TIRANE-Një javë para protestës që opozita ka paralajmëruar para Kryeministrisë për largimin e qeverisë Rama, disa nga ambasadorët e vendeve të BE-së kanë zhvilluar një takim me kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi. Takimi i zhvilluar mëngjesin e sotëm ka zgjatur mbi një orë, ndërsa në qendër të bisedës ka qenë pikërisht aktualiteti politik dhe protesta e javës që vjen. Gjatë takimit, Kryemadhi ka ngritur edhe disa nga shqetësimet e opozitës shqiptare lidhur me denoncimet e fundit kundër qeverisë.

Në përfundim, në një prononcim për mediat, Kryemadhi u shpreh se vijojnë përgatitjet për protestën në rakordim me Partinë Demokratike. "I kemi rënë Shqipërisë rreth e qark për protestën dhe jemi në rakordim të plotë me Partinë Demokratike". Kryemadhi u pyet nga gazetarët edhe për deklaratat e ministres së Drejtësisë ditën e djeshme në parlament për shantazh (lexo ketu). Kryetarja  e LSI-së u përgjigj duke thënë ministrja të mos bëj rolin e virgjëreshës.

"Ne nuk e shantazhojmë Etilda Gjonajn, por ajo nuk duhet të marrë pozicionin e virgjëreshës. Nëse një shqiptar harxhon vite për të fituar të drejtën në gjyq për t’u kthyer në vendin e punës, bashkëshorti i saj u kthye me një gjyq që u bë brenda një jave. Nuk mund të kenë shqiptarët një tjetër standard për burrin e Etildës dhe tjetër për shqiptarët" tha Kryemadhi. Në fund, ajo bëri akuza të forta edhe për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. "Reforma në drejtësi nuk mund të ketë dy standarde, për bashkëshortin e Donika Prelës nuk ka problem që nuk ka paguar tatimet ndërsa për një prokuror tjetër duhet të dëshmojë që kushëriri i saj ka paguar tatimet në Itali" përfundoi Kryemadhi.