Një kimist gjerman shpëton thesarin
me foto nga Shqipëria e 1916

Një kimist gjerman shpëton thesarin<br />me foto nga Shqipëria e 1916
Historia e një burri nga Gjermania Lindore që ruajti për 40 vjet reliket dhe fotografitë e realizuara nga Maksimilian Lamberc. I merr rastësisht, kur zbrazi vilën e gruas së albanologut. Ajo nuk interesohej për pasurinë albanologjike të të shoqit.
 
Admirina Peçi
Mund të kishte përfunduar në kazanët e plehrave. Një thesar i vërtetë! Një thesar i trashëguar nga Maksimilian Lamberc, një ndër albanologët më të mëdhenj të botës gjermanishtfolëse.

Një zotëri i moshuar, me profesion kimist, në pragun e fundit të jetës së tij, diku në Gjermaninë Lindore, po mendonte të shiste shtëpinë e tij. Detyrimisht, plaçkat e asaj shtëpie duheshin ngritur një nga një dhe se ai duhej të lirohej nga një pjesë e mirë e tyre. Por zotëria, e dinte se mes tyre kishte dhe një koleksion të pasur, një thesar që atij nuk i vlente për asgjë. Por e dinte se dikujt mund t’i ngjallnin interes. Në këtë rast mendoi albanologun Robert Elsie, i cili e njihte veprën dhe interesohej për gjithë gjurmët e Lambercit.
Elsie thotë se në maj të vitit 2006 u kontaktua nga ky zotëri që nuk e njihte. Ai i tha se në shtëpinë e tij kishte disa sende të trasheguara nga profesori Maksimilian Lamberc. “Më pyeti se kush mund të interesohej për këto sende. Përndyshe ai donte t’i flakte në plehra. Por kur u takuam disa javë më vonë në Bon, më shpjegoi gjithë historinë e atij koleksioni”.

[gallery]22829[/gallery]
Në fund të viteve dyzet, pas Luftës së Dytë Botërore, kur kishte qenë djalë i vogël, ai kishte jetuar në një pallat me Lambercin në qytetin e Lajpcigut. Profesori Lamberc vetë nuk kishte fëmijë, kështu që u krijuan marrëdhënie të ngushta miqësore midis profesorit plak dhe këtij djali me familjen e tij. Edhe më vonë kur Lamberci, dekan në Universitetin e Lajpcigut, kishte marrë një vilë të bukur në një lagje të mirë të qytetit, dhe djali kishte ikur me familjen në një qytet tjetër, nuk u shkëputën lidhjet. Pas vdekjes se Lambercit në gusht të vitit 1963, gruaja austriake e profesorit, me të cilën duket se ai nuk kishte marrëdhënie të mira, u kthye në Vjenë, pa u interesuar shumë për trashëgiminë albanologjike të burrit të saj.

Rrethanat erdhën të tilla që djaloshi, dikur fqinji i Lambercit, ndihmoi në zbrazjen e vilës së albanologut dhe mori disa sende për vete. I ruajti për më shumë se dyzet vjet në shtëpi, si një fije që e lidhte me mikun e dikurshëm. Duke qenë se ai kishte punuar kimist dhe nuk kishte shumë njohuri as për Shqipërinë dhe as për albanologjinë, ai nuk u interesua për vlerën shkencore të trashëgimisë se Lambercit. Ai i mbajti sendet më shumë si kujtim për nder të profesorit të dashur, i cili kishte ndërhyrë për atë një herë kur kishte patur probleme me autoritetet komuniste të vendit.
Të dorëzosh një thesar
Kohë më vonë,  pas më shumë se 40 viteve, kimisti i moshuar, ishte në një takim me një tjetër albanolog, Robert Elsienë. Gjatë takimit me të, ai kishte sjellë sendet e mbetura të albanologut të madh, duke e falënderuar Elsienë përzemërsisht për gatishmërinë e tij për t’i pranuar. Po ndahej përgjithmonë nga ato relike që kishin fjetur në shtëpinë e tij prej dekadash të tëra, dhe e kishin shoqëruar përgjatë gjithë ndodhive të ditëve të tij.

Tashmë kërkonte vetëm një burim të sigurt, i cili ti çonte këto relike në “Unë e sigurova se isha tepër mirënjohës, madje i mahnitur për këtë dhuratë të çmuar. Për mua ishte vërtetë një thesar i madh”, thotë Elsie, ndërsa tregon se ndër sendet e ruajtura të Lambercit gjatë dyzet viteve ishin disa libra (botime origjinale të tij dhe disa libra latinisht), disa foto në letër të Lambercit, por në radhë të parë, një kuti e bukur prej druri. Kjo kuti përmbante një koleksion fotografish të vjetra, gjithsej 45 diapozitiva prej xhami.
“Kur u ktheva në shtëpi, e hapa kutinë me shumë kujdes dhe pashë se ishin fotografi origjinale të bëra nga Lamberci gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më herët. Për këtë koleksion kisha dëgjuar një herë para shumë viteve, por me sa di unë, askush nuk e kishte parë gjatë dyzet viteve. Në një anë të kutisë kishte dhjetë diapozitivë të fshatrave arbëreshe nga viti 1913. Dihet se atë vit, mu para fillimit të Luftës se Madhe, Lamberci qëndroi në Italinë e Jugut për studime gjuhësore, kryesisht në Molize dhe në Abrucet”.
Fotot e rralla
Fotografitë tregojnë fshatarë arbëreshë - burra, gra dhe fëmijë - në rrugë të fshatrave dhe para kishave dhe shtëpive të tyre. Disa persona janë veshur me veshje të kohës, por ka edhe disa poza të bukura më veshje tradicionale arbëreshe. Pjesa dërrmuese e diapozitivave janë fotografi origjinale që Lamberci i ka bërë gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri në verë të vitit 1916, kryesisht në Mirditë. Janë fotografi të pejsazheve të Mirditës dhe të Shqipërisë se Veriut, të mirditorëve, dhe të fshatrave dhe ndërtesave të tyre në mes të Luftës së Parë Botërore. Elsie thotë se ka edhe një fotografi të bukur të Tiranës dhe se për identifikimin e fotografive të koleksionit, ekziston një raport me shkrim të

Lambercit për udhëtimin e tij në Mirditë në atë vit. Ky shkrim, me titullin “Raport mbi studimet e mia gjuhësore në Shqipëri nga mesi i majit deri në fund të gushtit 1916" u botua gjermanisht në gazetën e Akademisë Perandorake të Shkencave në Vjenë, po në vitin 1916.
Lamberci në Shqipëri

Në maj dhe qershor të vitit 1916, Maks Lamberc udhëtoi për herë të parë në Shqipëri si anëtar i Komisionit për Ballkanin të Akademisë Austriake të Shkencave për të kryer hulumtime gjuhësore dhe folklorike. Gjatë këtij udhëtimi ai kaloi në Grudë, Shkodër, Lezhë, Krujë, Tiranë, Durrës, në luginën e Kirit, Shosh, Shalë, në luginat e Drinit dhe të Valbonës, dhe në veçanti në Mirditë ku qëndroi shumë kohë duke studiuar dialektin dhe duke mbledhur material folklorik. Në dhjetor të vitit 1916 u kthye përsëri në Shqipëri, kësaj radhe me trupat austro-hungareze të cilët kishin pushtuar zona të gjera të Shqipërisë së Veriut dhe të Mesme, dhe u ngarkuar me mbikëqyrjen e shkollave në zonën austro-hungareze. Ishte gjithashtu anëtar i Komisisë Letrare Shqype të ngritur nga autoritetet austro-hungareze për të vendosur një normë letrare dhe një drejtshkrim standard për gjuhën shqipe. Gjatë qëndrimit të Shkodër, ai bashkëpunoi më Gjergj Fishtën në redaksinë e gazetës së përdyjavshme Posta e Shqypnies (1916-1918), në të cilën botoi disa artikuj.

Materiali i tij folklorik u paraqit gjermanisht për herë të parë në vëllimin Volkspoesie der Albaner: eine einführende Studie (Poezia popullore e shqiptarëve: një studim hyrës), Sarajevë 1917. Lamberci u kthye në Austri pas Luftës së Parë Botërore dhe punoi mësues shkolle deri në vitin 1934. Gjatë asaj kohe ai vazhdoi të shkruante libra dhe artikuj për aspekte të ndryshme të kulturës shqiptare, veçanërisht të folklorit. Lamberci e vizitoi sërish Shqipërinë në qershor të vitit 1954 dhe në 1957. Madje dhe pas prishjes së marrëdhënieve të ngushta politike midis Shqipërisë dhe Paktit të Varshavës, ai refuzoi të shkëpuste lidhjet me Shqipërinë dhe mori pjesë në disa pritje të ambasadës shqiptare në Berlinin Lindor.
 
Veprat e Lambercit që
lidhen me Shqipërinë
 
Maksimilian Lamberc konsiderohet albanologu më i shquar gjermanishtfolës i shekullit të njëzetë i cili ka lënë një listë të gjatë botimesh me rëndësi parësore: Albanische Märchen und andere Texte zur albanischen Volkskunde (Përralla shqiptare dhe tekste të tjera të folklorit shqiptar), Vjenë 1922; Zwischen Drin und Vojusa: Märchen aus Albanien (Midis Drinit dhe Vjosës: Përralla nga Shqipëria), Lajpcig 1922; Albanisches Lesebuch mit Einführung in die albanische Sprache (Libër leximi në shqip me një hyrje për gjuhen shqipe) në dy vëllime, Lajpcig 1948; Gjergj Fishta und das albanische Heldenepos “Lahuta e Malcís,” Laute des Hochlandes: eine Einführung in die albanische Sagenwelt (Gjergj Fishta dhe eposi heroik “Lahuta e Malcís,” Hyrje në botën e legjendave shqiptare), Lajpcig 1949; Die geflügelte Schwester und die Dunklen der Erde: albanische Volksmärchen (Motrat fluturake dhe të Errëta të Tokës: përralla shqiptare), Ajzenah 1952; Lehrgang des Albanischen (Kursi i shqipes) në tre vëllime, Berlin 1954-1955, Halle/Saale 1959; Albanien erzählt: ein Einblick in die albanische Literatur (Shqipëria rrëfen: hyrje në
letërsinë shqiptare), Berlin 1956; dhe Die Volksepik der Albaner (Eposi popullor i shqiptarëve), Halle 1958. I pabotuar mbeti dorëshkrimi i tij prej 187 faqesh Das Drama im albanischen Theater von heute (Drama në teatrin shqiptar të sotëm), shkruar në vitin 1963. 

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

VIDEOLAJM/ Dita e Pavarësisë, 112-vjetori festohet edhe në Fier, qytetarët me flamuj kuq e zi bëjnë paradë në qendër të qytetit

VIDEOLAJM/ Dita e Pavarësisë, 112-vjetori festohet edhe në Fier, qytetarët me flamuj kuq e zi bëjnë paradë në qendër të qytetit