TIRANË, 9 Mars / ATSH/ -Bashkia e qytetit të Durrësit vendosi të emërtoj me emrin e klerikut të shquar shqiptarë  Fan.S.Nolit, një  rrugë në këtë qytet ku Noli ka banuar dhe ka kryer shërbesa fetare.
Vendimi u mor pas propozimit të Kishës Ortodokse në adresë të Këshilli Bashkiak.
Në ceremoninë e organizuar ditën e djeshme u mbajt fillimisht një meshë, pasi më datën 8 mars, në moshën 26 vjeçare, Fan Noli është shpallur prift. Pastaj në mjediset e jashtme u krye ceremonia e vendosjes së pllakës prej guri me emrin e Fan Nolit.
Në cermoni morën pjesë klerikë të feve të tjera si dhe drejtues të pushtetit vendor. Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako theksoi vlerat e Fan Nolit si dhe kontributin e tij të madh në historinë e vendit tonë. Dako tha se, "bashkia e ka për detyrë që të vazhdojë të promovojë figurat të cilat kanë dhënë kontribute për vendin dhe veçanërisht për Durrësin".
Propozimi i kishës ortodokse të Durrësit për t'i vënë rrugës pranë saj emrin e Fan Nolit erdhi pas një konflikti që ajo pati disa kohë më parë me Shoqatën Fan Noli. Kjo shoqatë dëshironte vendosjen e bustit të Fan Nolit në oborrin e kishës në Durrës, gjë që u kundërshtua nga klerikët e lartë. Ky bust është vendosur në mjediset e kishës ortodokse të qytetit të Elbasanit./m.m/