Tiranë - "Një strehë e re për kulturën" e ka quajtur ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, "banesën" e sajë më të re, e cila prej pak ditësh është zhvendosur në ambjentet e ndërtesës së ish-Kinostudios.
"Laboratori Artistik" në të cilin janë prodhuar mjaft filma e dokumentarë, e njëkohësisht me ta janë promovuar edhe mjaft emra të njohur të ekranit në vend si, regjisorë, skenaristë e aktorë, tashmë është rikhtyer në institucionin më të rëndësishëm kulturor në vend.
Naim Frashëri, Sander Prosi, Saimir Kumbaro, Gezim Erebara, Piro Milkani, Feim Ibrahimi, Edi Luarasi apo Robert Ndrenika etj, etj, janë disa prej emrave që i kanë dhënë jetë dhe vlerë institucionit ku janë prodhuar filma si, "Ngadhënjim mbi vdekjen" (prodhuar në vitin 1967), "Treni niset në 7 pa 5 " (prodhim i vitit 1988), "Kur hapen dyert e jetës" (prodhim i vitit 1986), Zonja nga Qyteti " (nga regjizori Piro Milkani në vitin 1976) e plot e plot të tjerë që kanë ushqyer e rritur mjaft breza.
Themeluar në vitin 1952, Kinostudio si realizimin e parë të saj ka bashkëprodhimin shqiptaro-rus filmin "Skënderbeu", ndërkohë që në vitin 1957 prodhohet filmi i parë i një regjisori shqiptar, Hysen Hakani.
Ndryshimi i sistemit politik dhe kriza ekonomike e viteve '90 sjell trasformimin e Kinostudios në "Albafilm" dhe në vitin 1996 edhe kjo e fundit mbyll ekzistencën e saj.
Kinostudio ka lënë në trashëgim rreth 200 filma, një pjesë e të cilëve ishin prodhim i propagandës shtetërore, por ajo la në trashëgimi edhe një sasi të konsiderueshme filmash dhe aktorësh, që kanë qenë pjesë e jetës kulturore te shumë breza shqiptarësh.
E rikthyer përsëri në jetë, tashmë si "Ministria e Kulturës" punimet e godinës së re janë realizuar nga arkitekti Artan Shkreli, nderkohe qe godina e restauruar ka qenë dikur magazinë e kostumografisë së ish- Kinostudios.
Investimi kryesor i godinës së re konsiston në pjesën e fasadës dhe ndriçimit, ndërkohë që në brendi godina ka ruajtur autencitetin e ndërtimit dhe fizionominë që ka pasur përpara se të shkatërrohej.
Investime janë bërë në fasadë, ku bie në sy për kompozimi që i ka dhënë një tjetër imazh ndërtesës, ku sipas arkitektit Shkreli, punimet kanë qenë më të përqendruara në pjesën e fasadës.
Ky i fundit e ka quajtur këtë ndryshim të godinës si një ringritje prej rënies dhe lënies pasdore përgjatë viteve të kësaj godine.
Ndërtesa qendrore e ish- Kinostudios u projektua nga një arkitekt rus dhe u ndërtua me ndihmën e ish-Bashkimit Sovjetik, në shenjë miqësie ndërmjet dy vendeve.
Punimet e saj nisën në vitin 1948 dhe përfunduan në 10 korrik të vitit 1952.
Kjo ndërtesë e stilit neoklasik është konsideruar si unikale nga arkitektët.
Pas restaurimit, arkitekti Shkreli ka ruajtur një linjë arkitekturore midis klasikes, modernes dhe klasit të përdorimit të antikuarëve, pa e prishur autencitetin e godinës.
Disa prej objekteve dhe mobilieve të ruajtura në ish -Kinostudio, arkitekti Shkreli ia ka përshtatur stilit pompoz të godinës, duke iu rikthyer edhe funksionin.
"Me shumë finesë selia e MK-së është arreduar edhe me llambadarë apo pasqyra të vjetra kristali, të shpëtuara tashmë nga moria e grabitjeve gjatë rrënimit të institucionit të kinemasë shqiptare", theksohet edhe në informacionin që Ministria e Kultuës ka publikuar së fundmi.
/ATSH/