Një stuhi që nuk mbërrin në brigjet tona

Një stuhi që nuk mbërrin në brigjet tona

Foto ilustruese

Greqia ka bërë disa hapa pozitivë në debatin mbi njohjen e ndërsjelltë të kufirit detar Shqipëri- Greqi. Deri më dje, disa politikanë në Athinë dhe Sali Berisha e Ilir Meta në Shqipëri, këmbëngulnin se marrëveshja do të mbetet ajo e vitit 2009 dhe se ajo që hodhi poshtë Gjykata Kushtetuese “do të ngelet turp në histori” (citoj Berishën).

Tani, lajm pozitiv është se nga tre aktorë, dy janë tërhequr nga ky qëndrim: Greqia dhe Ilir Meta. Sali Berisha vazhdon t’i mbetet besnik marrëveshjes që nënshkroi me Lulzim Bashën para zgjedhjeve të vitit 2009.

Gjëja më pozitive e deklaratës së diplomatëve grekë rreth nevojës për njohjen e kufirit detar mes Shqipërisë e Greqisë, është fakti që ata më në fund po pranojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, dhe nuk e quajnë më problem të brendshëm të Shqipërisë, apo “tradhti” të Edi Ramës, në bashkëpunim me Turqinë, siç e quan Sali Berisha.

Kjo nuk është një fitore e vogël. Më në fund ka një lloj luajaliteti, duke njohur institucionet kushtetuese të një vendi, të cilat gjykuan se marrëveshja ishte negociuar mbi parime të gabuara, duke llogaritur kufi fundor një ishull shkëmbor, dhe jo shelfin kontinental.

Aspekti i dytë pozitiv është që Greqia, e futur në darën e një krize serioze me Turqinë, pikërisht për shkak të një problemi të ngjashëm, nuk dëshiron probleme të ngjashme me fqinjë të tjerë në këtë çështje. Pra ajo kërkon që marrëveshja të negociohet sipas ligjeve ndërkombëtare, me sa më shumë mirëkuptim, sa më shpejt të jetë e mundur.

Greqia sapo ka përfunduar marrëveshjen për kufirin detar me Italinë. Ata i  janë përmbajtur marrëveshjes së vitit 1977 për shelfin kontinental, që ka parim vijën e mesme të korrektuar. Kjo është shumë mirë të aplikohet dhe në bisdimet me ne.

Efekti i tretë pozitiv në Greqi, është se Greqia është e bindur se çëshja e kufirit detar me Shqipërinë, është dhe një problem me rezistencë të brendshme politike në Shqipëri, dhe ata janë duke qëmtuar raste politikanësh pozitiv ndaj kësaj marrëveshje.

Në një shkrim të gazetës Liberale.gr në Greqi, gazetari Nikos Melitis, shkruante pas Forumit të Delfit në qershor të këtij viti, se “z. Rama shmangu dhënien e çdo perspektive të mundshme për rifillimin e bisedimeve për demarkacionin e zonave detare. Ai u kujdes të mënjanonte nga qeveria e tij Ditmir Bushatin, ministrin e Jashtëm, i cili ishte në bisedime me ministrin e Jashtëm grek Nikos Kotzias, sipas të cilit, ishte bërë përparim i madh.”

Sipas tij, “asnjëherë nuk u bë e ditur nëse ky “përparim” që ish-ministri i Jashtëm i referohet sot (është fjala për ish-ministrin e Jashtëm grek Nikos Kotzias), ka të bëjë me bisedimet që ai ka pasur vetëm me z. Bushati, apo nëse ka pasur të njëjtin perceptim në zyrën e kryeministrit.”

Pra në këtë pike, pala greke mendon se në Shqipëri po lufton me Turqinë dhe nuk po negocion me Tiranën zyrtare. Kjo është paranojë nga e cila duhet të shërohen.

Sipas tyre, jo vetëm marrëveshja në vitin 2009 është rrëzuar nën ndërhyrjen e Turqisë, por dhe ministri Bushati qenka larguar nga Qeveria se qe treguar bujar me grekët për kufirin tonë detar jugor me Greqinë.

Kjo është paksa e çuditshme, pasi vetë ministri Bushati ka mbushur botën me deklarata e intervista, se u largua ngaqë po mbronte kufijtë veriorë të Kosovës, dhe jo se po shiste kufijtë jugorë të Shqipërisë.

E vërteta është se Shqipëria është në kohë të mirë për të zhvilluar bisedime të hapura me Greqinë, sipas ligjit ndërkombëtar, dhe bashkë me këtë çështje të mbyllë gjithë problemet e trashëguara me Greqinë, mbi të gjitha ligjin e luftës.

Stuhia greke rreth kufijve detarë nuk është një uragan që mbërrin në brigjet tona. Kriza greko- turke ku ka nisur uragani, është serioze dhe të shpresojmë që gjakrat do bien dhe do zgjidhet me mendje të ftohta. Ndonjëherë krizat e mëdha prodhojnë dhe zgjidhje të mëdha.

E rëndësishme është që Greqia dhe Ilir Meta tani e njohin vendimin e Gjykatës Kushtetuese të 2009, që e ka zhbërë marrëveshjen Berisha- Karamalis, për kufirin detar.

Ndërkohë që Berisha ka kohë të qetësohet, kryeministri Edi Rama duhet të jetë serioz në bisedimet me ministrin e Jashtëm grek, dhe të bëjë maksimumin për të përdorur këtë krizë për një fillim të ri me Greqinë.

Shqipëria ka një rast të artë të bëjë zero çdo problem të së shkuarës me Greqinë, pa qenë nevoja për të futur në mes paranojat turke, apo shantazhet për bllokim drejt BE-së.

Problemet tona me Greqinë zgjidhen vetëm si europianë dhe duke na ndihmuar të jemi europianë, jo duke na dashur të na identifikojnë me Turqinë. Dhe ky është rasti!

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Besiktas 'shkrin' ekipin, nxjerr në shitje edhe Ernest Muçin! Shqiptari kërkohet në Angli

Besiktas 'shkrin' ekipin, nxjerr në shitje edhe Ernest Muçin! Shqiptari kërkohet në Angli