Shumica prej nesh nuk mund të mos e mbajnë mend personazhin emblematik të Mato Grudës, të interpretuar nga Timo Flloko në ekranizimin e novelës “Njeriu me top” të të madhit Dritero Agolli. Mato qëndron i papërfshirë në luftën çlirimtare të vendit, i strukur tek fshati i tij, hallet e familjes dhe hasmëria me fqinjët gërnjarë të plakut Mere Fizi, teksa vajis e përkëdhel topin që ua ka rrëmbyer gjermanëve e që e ka mësuar ta përdor me ndihmën e robit italian Agush (Augusto). E ndërsa partizanët luftojnë okupatorin dhe lufta përfshin gjithë vendin, edhe Mato detyrohet të dalë nga guaska e vetë dhe t'i bashkohet betejës për çlirim, në të cilën jep edhe jetën.

Më erdhi ndër mend ky personazh teksa dëgjoja fjalën e kryetarit të Frymës së Re Demokratike në zyrtarizimin e degës së FRD-së në Tiranë, dhe retorikën e tij për politikën shqiptare dhe nevojën që ajo ka për një rilindje (mungesë e theksuar origjinaliteti, me që ra fjala). Në qëndrimin e vetë politik, ish-Presidenti i Republikës (që të gjithë e mbajmë mend se në ç'mënyrë u zgjodh në korrikun e 2007-ës) tenton t'i veshë vetes dhe partisë së tij atributet e shpëtimtarit të vendit, duke u përpjekur të distancohet e të shkëptutet kryekëput nga 22 vitet e fundit të politikës në vend.

Qëndrimi antagonist i Topit dhe FRD-së kundër Berishës dhe PD-së është i kuptueshëm, duke qënë se PD është në pushtet dhe FRD në opozitë, teksa të dyja forcat i përkasin spektrit të djathtë dhe tentojnë të vjelin vota nga i njëjti segment votuesish. Sidoqoftë, impostimi dhe retorika politike e Topit janë paksa naive dhe jorealiste; pa paragjykuar programin politik të FRD-së dhe kryetarit të saj, për këdo është tepër e vështirë që të besojë se ata janë një zgjidhje deus ex machina për vendin, të zbritur papritur nga qielli, me ofertën më të mirë politike dhe aftësinë për ta përmbushur këtë premtim. Kjo sepse Topi dhe thuajse gjithë strukturat drejtuese të FRD-së, në një të shkuar jo tepër të largët kanë qënë pjesë integrale e mazhorancës në pushtet; kanë drejtuar fushata elektorale, diku do kenë manipuluar edhe zgjedhjet, kanë drejtuar bashki e komuna, kanë qënë drejtorë, deputetë e ministra, kanë administruar influenca, buxhete e pushtet, kanë votuar nisma në parlament, dhe i kanë dhënë mbështetje pikërisht Berishës e PD-së që sot anatemojnë. Gjithë këto vite bashkëpunim, mbështetje e përfitim me Berishën e shpurën e tij nuk mund të hidhen pas supeve vetëm me një "ndjesë" të kërkuar zyrtarisht, ashtu siç bëjnë besimtarët që rrëfehen para priftit për mëkatet.

Po aq jorealiste është edhe retorika e Topit dhe FRD-së ndaj opozitës aktuale, të cilën e konsideron po aq fajtore sa edhe mazhorancën, për batakun në të cilin ndodhet vendi. Topi dhe FRD-ja (njësoj si Mato tek filmi i sipërpërmendur) duhet të kuptojë se në betejën politike në Shqipëri nuk ka vend as për mospërfshirje apatike si ajo e "të folurit përmes heshtjes" e as për palë të treta që distancohen në mënyrë të baraslarguar nga partitë e vjetra me shpresën për të marrë votat e elektoratit gri nga të dyja polet. Llogoret janë të përcaktuara qartë dhe çdo tentativë për të krijuar një front të dytë luftimi nuk bën asgjë më shumë sesa fraksionon votën dhe krijon turbullirë me pasoja të papërfillshme elektorale.

 Eshtë pak po e sigurtë që, me gjithë mbështetjen që mund të ketë nga ish-strukturat e pakënaqura të PD-së dhe individë të alienuar prej autoritarizmit të Berishës, FRD-ja e Topi nuk mund të mbledhin vota të mjaftueshme për të qenë forca që do të qeveris vendin, dhe domosdoshmërisht do t'u nevojitet të jenë pjesë e një koalicioni post-zgjedhor. Për këtë arsye tepër të thjeshtë FRD duhet ta bëjë të qartë qysh sot se në cilin krah qëndron dhe se cilat janë aspiratat e veta pas Qershorit 2013, dhe duhet ta tregojë me vepra më tepër sesa me fjalë se e ka seriozisht opozitarizmin ndaj Berishës dhe PD-së.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 25 dhjetor 2012
(ad.ti/sqhiptarja.com)