Pedagogë të PD dhe LSI në grevë: Solidarizohemi me studentët. Te Ekonomiku rinis mësimi, popullohen 80% e auditoreve (VIDEO)

Ashtu siç edhe kishin paralajmëruar, disa pedagogë të Fakultetit Histori Filologji të Universitetit të Tiranës kanë nisur sot grevën si mbështetje ndaj protestës së studentëve. Pedagogët e FHH shprehen se kanë vendosur të solidarizohen me studentët për realizimin e tetë kërkesave të tyre. Mes pedagogëve bien në sy Mark Marku dhe Agron Gjekmarkaj, të cilët njëkohësisht njihen për afrimitetin e tyre me të djathtën dhe vecanërisht PD-në. Mark Marku ka qenë edhe deputet i PD, ndërsa Gjekmarkaj është aktivist i të djathtës. Edhe Romeo Hanxhari, pedagog i Gjeografisë te Filologjiku është gjithashtu një emër i njohur pranë opozitës si përfaqësues i disa kauzave të saj. Një tjetër emër i njohur i Filologjikut si pjesë e strukturave partiake është edhe Zylyftar Bregu, pedagog i gazetarisë, pjesë e LSI-së. Jonila Godole, gjithashtu pedagoge e gazetarisë, kohët e fundit është angazhuar pranë shoqatave të të përndjekurve politikë. 

Në prononcimet për mediat, pedagogët janë shprehur se kërkesat e studentëve janë të drejta. Sipas tyre, "Pakti për Universitetin" i ofruar nga qeveria nuk është zgjidhja, ndërsa shtojnë se ata nuk janë pyetur për draftin e miratuar nga Këshilli i Ministrave me 12 pika ku i jepet zgjidhje pjesës më të madhe të tetë kërkesave të studentëve. Pas studentëve, edhe pedagogët kërkojnë shfuqizimin e Ligjit të Arsimit të Lartë. Nga ana tjetër, grupe të caktuara studentësh vijojnë bojkotin e mësimit te Fakulteti Ekonomik, Juridik dhe te Arkitektura. Të ndarë në grupe të vogla, studentë e disa fakulteteve kanë tentuar të pengojnë mësimi, por në fakt sic duket edhe në këtë video, mësimi është zhvilluar normalisht në 80% të auditoreve dhe studentët janë paraqitur në sallat e leksioneve dhe seminareve (Lexo këtu). 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:42
Bojkoti i mësimit/ Plas sherri tek Juridiku, një nga protestuesit nuk lë studentët të dalin: O injorant mos më kap me dorë, o ro**** ( VIDEO)

Megjithëse mësimi ka nisur në më të shumtën e Fakulteteve, në Fakultetin Juridik, situata vazhdon të jetë e tensionuar. Ditën e sotme, disa student kanë vazhduar të bojktojnë mësimin duke mos lejuar studentët e tjerë që të hyjnë në mësim. Kjo ka sjellë tensionimin e situatës, që ka degraduar në sharje dhe ofendime banale, ndërkohë që njëra nga studentët i thotë njërit prej djemve: O injorant mos më kap me dorë mua o ro*****.

Sherri tek Juridiku:
Protestuesi: Po dal për të drejta e mia.
Studentja: S’mund të na pengosh për të drejtat e tua, na lër të kalojmë. Dil protesto në rrugë. Dekani tha hapni derën, ju lutem hapni derën. O injorant mos më kap me dorë mua o ro*****.
Protestuesi: Ti më godite mua o femër idiote…

Ora 15:21
Zylyftar Bregu: Greva pedagogëve, studentët dhe profesorët pjesë e vendimmarrjes

Zylyftar Bregu, pedagog i gazetarisë dhe njëherazi pjesë e strukturave të LSI, thotë se vazhdimësia e grevës së pedagogëve do vendoset nga Asambleja e profesorëve të Historisë dhe Filologjisë. "Greva e sotme ishte një vendim i Asamblesë së profesorëve të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, dhe se çfarë do të ndodhë pas kësaj proteste 1 ditore, është prapë Asambleja që duhet ta marrë vendimin dhe studentët që kanë pjesën e tyre të vendimarrjes", thotë Bregu. 

Ora 15:15
Greva te Filologjiku, Ervin Goci: VKM-të që nuk pranojmë te Pakti për Universitetin

Edhe pedagogu i gazetarisë dhe njëherazi aktivist i Shoqërisë Civile, Ervin Goci, kundërshton Paktin e qeverisë për Universitetin. “Ajo që ne nuk ndryshojmë është qendrimi i prerë në lidhje me VKM-të që kanë dalë, që kanë lidhje me tekstet shkollore, tekstet universitare, kanë lidhje me statusin e pedagogut, autonominë e Universitetit, këto ne nuk i pranojmë", thotë Goci.

Ora 15:10
Greva te Filologjiku, ish-deputeti i PD, Mark Marku: Pakti për Universitetin përkeqëson gjendjen e arsimit publik

Ish-deputeti i PD, Mark Marku ka qenë protagonist i grevës së pedagogëve te Fakulteti Filologji Historisë ditën e sotme. Ai tha për mediat se Pakti për Universitetin përkeqëson gjendjen e arsimit publik në vend. "Mirëpresim cdo iniciativë shtetërore, nuk kemi kurrëfarë paragjykimi, çdo iniciativë që çon në zgjidhjen e problemeve të mëdhaja që ka arsimi publik në Shqipëri. Cili është problem? Të gjitha VKM-të dhe vendimet e qeverisë, në thelb, e përkeqësojnë gjendjen e arsimit publik".

Ora 13:37
Greva te Filologjiku/ Pedagogët e Çadrës së Bashës përdorin protestën e studentëve (FOTO)

Ka nisur me bojkot java për Universitetin e Historisë dhe Filologjisës ditën e sotme si pasojë e “grevës” së parlajmëruar nga dita e premte nga një grup studentësh dhe pedagogësh. Numri i studentëve prezent në grevë është i vogël ndërsa ishin të shumtë ata që ishin nisur për të vazhduar mësimin, dhe dhe janë vetëm dy pedagogë që kanë marrë “frenat” duke bllokuar e lidhur pa të drejtë dyer e korridore të Universitetit.

Në një letër publike asambleja e pedagogëve të këtij fakulteti (të përfaqësuar vetëm nga dy) shprehu disa shqetësime në lidhje me VKM-të e miratuara në qeveria në fund të vitit të kaluar dhe kërkojnë që ato të rishikohen, pasi sipas tyre shkelet autonomia universitare. Janë pikërisht pedagogët Agron Gjekmarkaj dhe Mark Marku ish-deputet dhe mbështetës të Partisë Demokratike të cilët po mundohen me çdo kusht për ta kthyer protestën e studentëve në “Çadrën e Lirisë” të Lulzim Bashës. Pasi hoqi dorë nga zgjedhjet në 2013 Marku vazhdon të mbështesë me zemër PD-në duke përdorur gjithashtu ndikimin e tij në universitet tek studentët edhe pse në dëm të tyre. /Lexo.al/

Ora 12:39
Greva te Filologjiku, deputetja e PD: Raporte të tilla qeveri-universitet nuk janë parë as në komunizëm

Deputetja e Partisë Demokratike Valentina Duka shprehet se kryeministri Edi Rama dhe kabineti i tij qeveritar duhet të braktisin menjëherë demagogjinë, mashtrimet e sulmet dhe të plotësojnë sa më mirë kërkesat e studentëve. Duka thotë se qeveria tanimë ka filluar një fushatë manipulimesh dhe kërcënimesh ndaj studentëve dhe stafeve universitare, e sipas saj kjo po shoqërohet edhe me një prirje arrogante për të denigruar e diskredituar pedagogët e universiteteve dhe duke u përpjekur që fajtori për gjendjen e arsimit të kërkohet tek ata (Lexo të plotë).

Ora 12:34
Protesta/ Edhe në Shkodër ngujohen një grup studentësh (VIDEO-FOTO)

Ndërkohë që edhe në Shkodër një grup studentësh kanë nisur ngujimin në ambientet e Universitetit "Luigj Gurakuqi". Ata janë mbledhur sot duke përshkallëzuar protestën.

Ora 12:34
Rinis mësimi te Fakulteti Ekonomik në Tiranë, 80% e auditoreve të populluara nga studentët (VIDEO)

Pas disa ditësh tensioni, në të cilën studentë apo militantë të lidhur me partitë politike të opozitës penguan zhvillimin e mësimit me forcë në Fakultetin Ekonomik të Tiranës, ditën e sotme është rikthyer normaliteti. SiBurime brenda këtij Fakulteti bëjnë me dije se këtë të hënë po zhvillohen normalisht të gjitha lëndët dhe në mbi 80% të auditoreve. Grupet e vogla të studentëve që vazhdojnë bojkotin janë në masë të madhe të njëjtët që tentuan të ngujoheshin ose të bllokonin rifillimin e mësimit gjatë dy javëve të fundit.

Pavarësisht kësaj, pas plotësimit të kërkesave të paraqitura në protestat e muajit dhjetor, shumica dërrmuese e të rinjve është bindur për vazhdimin e mësimit. Gjithashtu, mësohet se në Fakultetin Ekonomik vijon aplikimi i studentëve ekselentë në portalin “Punë të Mbarë”, një portal i cili do të mundësojë punësimin automatik të më të mirëve në administratë. Aktualisht, janë mbi 800 vende pune në dispozicionin e studentëve me mesatare mbi 9, të ndarë pothuajse në mënyrë të barabartë midis atyre që kërkojnë Master dhe atyre që kërkojnë vetëm Bachelor.

Aplikimi në këtë portal eliminon intervistën e punës apo kërkesën për përvojë të mëparshme, duke sjellë punësimin e menjëhershëm të të rinjve në sektorët e kërkuar. Kriteri i vetëm në përzgjedhje është mesatarja, me më të mirët që do të zgjedhin të parët, e në vijim të gjithë të tjerët./lexo.al/

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Mateo: 21/01/2019 20:35

    Gjith pedagoget qe marin lek jan mbledhur ketu dhe kerkojn me shum kur tr na marin ne provime

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare