Flamingot, pelikanët, mjelmat, nositët, fazanët, pallonjtë janë të bukur, ke qejf t'i shohësh, kanë frymëzuar artistë. Por jetojnë nëpër moçale të cekëta, nëpër llumra, baltra, gjirize. Ushqehen me krimba, insekte, larva nga ato që kur i përfytyron të vjen për të vjellë. Po ashtu dhe kushërinjtë e tyre të afërt e të largët, pulat që çukisin kakat, gjelat që hipin mbi pleh për protagonizëm, por edhe harabelat, rosat, patat. Shpendët e gjirizeve dhe qymezave, po kërkojnë largimin e Edi Ramës. Nuk ka për të ndodhur. Nuk dua unë. Nuk jam dakord unë. Nuk ma do qejfi mua.

Le të mblidhen ku janë e ku s'janë krejt horrat, halabakët, rrenacakët, hajdutët, dallkaukët, delirantët, ziliqarët, me në krye idhullin e tyre, zevzekun, histerikun, mendjengushtin, të sëmurin nga trut' e kokës, Fatos Gjiriz Lubonjën, ose cilindo budalla nga Islami politik terrorist, apo nga tregu në lulëzim e zgjerim galopant i spiunëve me mëditje. Të bëjnë një lidhje mbarëkombëtare donkishoteske me të ngjashmit e vet, apo një komitet të shpëtimit komunist, makar dhe një zyrë apo korridor të errët makbethian ku në dritën e qiririt dhe llamburitjen e teheve të thikave të mblidhen në një besëlidhje të pabesë ku të llafosin, vendosin, firmosin, vulosin, largimin e Edi Ramës. E kotë. Do të jetë sikur të ngrihen krimbat e baltës të largojnë luanin nga pylli. Të bëjnë ç'të duan mizat, insektet, njëqelizorët. Sa kohë nuk dua unë, Edi Rama do të vazhdojë aty ku është, ndërsa krimbat me oreks të shtuar që ngatërrojnë gjirizin e larvave me pyllin e viganëve, do të vazhdojnë të gjallojnë ku e kanë vendin në përputhje me zinxhirin ushqimor darvinian.

Edhe enveristi Artan Goxhaj, bashkë me kooperativistët, stalinistët, maocedunistët, lejfenistët, mbledhjet, komitetet, plenumet, prapaskenat, intrigat, kot e kanë. Përderisa nuk dua unë, jo Edi Ramën s'e luajnë dot nga piedestali ku e ka vendosur Historia, por një vrimë, në mos në ballin e vet, me siguri në ujë do e bëjnë.

Myslimanët, krishterët, katolikët, ortodoksët, bektashinjtë, hindusët, budistët, bashkë me sektet përkatëse, nuk mund ta prekin Edi Ramën sa jam gjallë unë që nuk dua.

Të mblidhen krejt presidentët, kryeministrat, mbretërit, perandorët, kajzerët, knjazët, krajlat, kalifët, sulltanët e botës, para refuzimit tim, vulat dhe firmat e tyre që pretendojnë të prekin Edi Ramën, bëhen pluhur e hi.

Nga varri të ngrihen Homeri, Shekspiri, Dante, Tolstoi, Çajkovski, Hygoi, Balzaku, Bahu, Bethoveni, Dostojevski, Kadarea, të kërkojnë njëzëri me firmë dhe vulë të largohet Edi Rama, ua shpjegoj unë fije e për pe pse Edi Rama nuk do lëvizë nga istikami, dhe i bind pse është më mirë të kthehen në thjeshtësinë e baltës së varreve dhe të mos ngatërrohen me hallet e të gjallëve.

CIA, FBI-ja, KGB-ja, Sigurimi, Asfalia, Mosad-i, kokë më kokë në u mbledhshin, bashkë me Dreqërit e Shejtanët me bij e bija, nipër e mbesa, dhe krejt farefisin e Ferrit të angazhohen për ta larguar Edi Ramën, s'munden. Sepse s'dua unë, s'do Zotëria ime.

Gazetat, revistat, agjencitë e lajmeve, portalet, rrjetet sociale, bashkë me CNN, BBC, ABC, NBC dhe çdo individ apo institucion komunikues që nuk e di ku ndodhet, për shembull, fshati Çemerricë, të nënshkruajnë një dokument ku të thuhet e shkruhet e zeza mbi të bardhë se Edi Rama duhet të largohet, është kot, është nul, është zero, pa u aprovuar nga lartësia, ndjeshmëria, thellësia ime danteske.

Ore po të them edhe Kina të vijë para kryeministrisë duke çjerrë fytyrën e duke i rënë kokës me grushte, bashkë me Indinë, Indokinën, Rusinë, Japoninë, Filipinet, plus Brazilin plus krejt Afrikën, janë pak për të më bindur mua të heq dorë nga refuzimi për ta prekur qoftë edhe një fije Edi Ramën.

Referendum të mbahet, 100% të fitojë në favor të largimit të Edi Ramës, e anuloj unë me refuzimin tim të parevokueshëm nga asnjë gjykatë e zakonshme apo e epërme, e drejtë apo e djallëzuar, e pastër apo hajdute.

Vetë Edi Rama për ndonjë trill në tru a shkrepje në mendje, të dojë të largohet, e sjell unë në vete, ia heq unë xhindet, ia largoj unë djajtë.

Zotat, Profetët, Shenjtorët, perënditë e Olimpit, misionarët, dervishët, murgjit, magjistarët, fallxhorët, këqyrësit e yjeve, të vrragave të dorës, ata të llumit të kafesë, bashkë me ata të sferës së kristaltë, ore vetë Zoti të japi urdhër, nuk lejoj unë të preket Edi Rama me thua.