Pandemia dhe karantina Covid-19, duket se janë bërë "shesh lojërash" për psikologët në të gjithë botën.
Dhe me lehtësimin a masave në shumicën e vendeve, pas dy muajsh të mbyllur brenda mureve të shtëpisë, ka shumë pyetje që lindin. Një duket se është mbi të gjitha: si do ta jetojmë këtë fazë të paparë të jetës sonë, të cilën e kemi pritur kaq gjatë? Nëse për shumë është çlirim, nuk është për të gjithë kështu.
Sindroma e kasolles
E ashtuquajtura Faza 2 u ka shkaktuar shumë njerëzve nervozizëm, pasiguri, frikë dhe ankth. Ka shumë që, edhe nëse tani janë të lirë të largohen nga shtëpia, të kthehen në punë, të rinisin jetën sociale, zgjedhin të mos bëjnë, sepse tek ata lind një ndjenjë frike që njihet si Sindroma e Kasolles ose Sindromi i të burgosurve, një sindromë që prek ata që kanë kaluar një kohë të gjatë të izoluar nga shoqëria për shkak të një sëmundjeje ose një gjendje patologjike ose, siç ndodh sot, për arsye të masave kufizuese të vendosura për shkak të pandemisë.
Sipas Shoqatës Italiane të Psikiatrisë (SIP), mbi një milion italianë ka të ngjarë të preken nga ‘Sindroma e kasolles’ pasi sot, këtyre njerëzve bota që i pret përtej derës është një botë që nuk e njohin dhe për këtë arsye ata ndjehen më të sigurt brenda katër mureve të shtëpisë.
Studimet e kryera tashmë për patologji të tjera, të tilla si Ebola dhe SARS, kanë treguar se pas 10 ditësh izolimi, te disa njerëz zhvillohen çrregullime emocionale, të cilat zgjasin me kalimin e kohës dhe që njihen si stresi post-traumatik.
Duke hyrë në fazën 2, gjithçka te njerëzit varet nga mënyra se si e kanë përjetuar karantinën. Sipas studimeve, për ata që e kanë përjetuar keq Fazën 1, Faza 2 do të jetë shumë e ndërlikuar.
Po çfarë duhet të bëjmë për të mos e përjetuar keq çlirimin prej masave izoluese?
Sipas ekspertëve të fushës, "Para së gjithash, duhet të jemi të arsyeshëm, domethënë jo alarmist, të gjejmë anën pozitive të gjërave, madje edhe ato të vogla, të cilat në këtë kontekst të paqartësive na lejojnë të imagjinojmë një të ardhme pozitive”.
Ajo që ngjall më shumë frikë, megjithatë, është një valë e dytë epidemie. Kush ka jetuar mirë në mbylljen e parë, e përjeton më mirë një faë të dytë hipotetike mbyllje, por kush ka pasur një përvojë të keqe, është e dyshimtë se në një rimbyllje tjetër do jetë edhe më e vështirë.