Shqiptarja.com vjen në ndihmë të lexuesve duke publikuar çdo të shtunë historinë e një gruaje e cila ndihet e frikësuar apo e kërcënuar dhe këshillën e psikologes, Mirela Sula . Letrat mund të dërgohen direkt në adresën e psikologes Mirela Sula: [email protected]. Ruhet anonimati. 

LETRA: ZOTI ME SHPETOI NGA DHUNA E TIM SHOQI

Kam kohë që mendohem t’ju shkruaj. Temat që trajtojnë çështjet e grave më kanë interesuar gjithmonë, sidomos ajo e dhunës në familje. Unë jam rritur me idenë se dhuna në familje është diçka e zakonshme. Babai im ka qenë shumë autoritar dhe nëna shumë e urtë, asnjëherë nuk ka hapur gojën sa herë është rrahur. Edhe ne fëmijëve na kanë rrahur në atë kohë, por sa mirë që kohët kanë ndryshuar, dhe pavarësisht se dhuna ekziston akoma, të paktën të gjithë e dimë se është një akt i dënueshëm dhe jo një e drejtë e burrit ndaj gruas.
 
Edhe kur u martova rashë në një derë ku dhuna ishte pjesë normale e jetës. Burri për vite me radhë më ka rrahur, edhe krejt kot, pa bërë asgjë, vetëm se ia thoshte mendja. Martesa ime ka qenë e tmerrshme deri sa u ndamë nga vjehrra dhe vjehrri. Por prapë dhuna nuk m’u largua sepse burri im pinte shumë. Kur ishte esëll sillej mirë, por kur vinte i dehur në shtëpi donte të shkatërronte çfarë i dilte përpara. Unë e di se çfarë kam hequr. Jam përpjekur sa herë të iki nga shtëpia po ku të mbytesha me fëmijët? Të ishte për mua sa herë kam menduar të mbysja veten më mirë. Por nuk e kam bërë për fëmijët, ata kishin nevojë për mua, nuk mund t’i lija të jetonin me një njeri të papërgjegjshëm si ai.
 
Kur e pashë se jeta ime po bëhej ferr unë i ktheva sytë nga Zoti. Fillova të lutesha çdo ditë me zë të lartë dhe me përgjërim “Zot bëj diçka që të më shpëtosh nga kjo dhunë. Bëj diçka që të ndalosh burrin tim të sillet në këtë mënyrë”. E bëja këtë lutje disa herë në ditë. Zoti ishte i vetmi shpëtimtar për mua, nuk kisha asnjeri tjetër që të më ndihmonte. Ai ishte vetmi me të cilin flisja çdo ditë dhe më lehtësonte dhimbjen e plagëve që më shkaktonte dhuna e burrit. Lutesha më shumë për fëmijët se sa për vete dhe e ndieja se Zoti po më dëgjonte. E dija se do të gjente një zgjidhje, thjesht e dija. 
 
Për më tepër s’kisha kujt tjetër t’i qaja hall, sepse nëna ime më thoshte të duroja. Ajo kishte duruar për vete gjithë jetën, dhe vetëm në pleqëri babai im arriti të zbutej. E mbaj mend vitet e fundit para se të vdiste, ishte aq i nënshtruar, a thua se nuk ishte i njëjti njeri që na kishte rrahur gjithë jetën. Të tillë fat ndoshta do të kisha pasur edhe unë me tim shoq. Mos ndoshta duhej të prisja deri sa ai të plakej, kur mos të kishte më fuqi të ngrihej në këmbë? Por ajo që ndodhi ishte e papritur. Zoti bëri mrekullinë që unë prisja. Burri im pësoi një sëmundje të rëndë dhe gati sa nuk vdiq.
 
Unë bëra maksimumin bashkë me fëmijët duke i shërbyer në spital deri sa doli jashtë rrezikut dhe e sollëm në shtëpi. Sëmundja e tij nuk ka lënë pasoja serioze për shëndetin,  dhe e mira është se tani ai e ka lënë pijen sepse i ka dhënë urdhër doktori. Dhe që mbas sëmundjes ai çuditërisht ka ndryshuar shumë, a thua se nuk është i njëjti njeri.
 
Tani përpiqet të më afrojë, të sillet ndryshe me mua dhe më fëmijët por prapë mua nuk më hiqen nga mendja ato që më ka bërë për vite me radhë. Ndonjëherë dua ta fal por e kam të pamundur. Ndihem akoma e pashëruar nga dhuna e tij edhe pse kam filluar të merrem më shumë me veten dhe të ndjek karrierën dhe ambiciet e mia më në fund. Unë nuk kam ndonjë pyetje specifike thjesht doja të ndaja me ju këto ndjesi të jetës time. Mrekullia që më ndodhi me ndihmë të Zotit. Jeta ime ka ndryshuar pas sëmundjes së tij, edhe ai ka ndryshuar por marrëdhënia jonë është akoma e ftohtë e zor se mund të ndryshojë. M.

PERGJIGJJA E PSIKOLOGES, MIRELA SULA: NUK KA ASNJEHERE ARSYE PER TE RRAHUR NJE GRUA

E dashur M,
Nuk ka asnjëherë arsye për të rrahur një grua!

Tepër e veçantë historia jote, faleminderit që e ndave me ne. Me sa kuptoj çështja e dhunës në shtëpinë tuaj qenka zgjidhur nga një forcë tjetër, që është mbi ne. Ndoshta vërtetë do të kishte qenë e vështirë të ndryshoje një njeri të dhunshëm, nëse diçka e tillë si sëmundja, nuk do ta mposhtte agresivitetin e tij. Kam dëgjuar shpesh histori, që shumë njerëz, pasi përballen me aksidente shëndetësore, pësojnë transformime në mënyrën se si sillen dhe reagojnë në jetën e re. Dhe yt shoq duket se ka nisur një jetë të re, pa dhunë dhe krejt i ndryshuar. A nuk është kjo çfarë ke pritur të ndodhë për vite me radhë? Lutjet e tua, ndjellja që i ke bërë jetës së lirë dhe pa dhunë kanë krijuar një realitet të ri për ty.
 
Ka njerëz që zgjedhin t’i përgjigjen dhunës me inate, zemërime dhe reaksione shpërthyese. Janë këto përgjigje që ndodhin natyrshëm si mekanizma të mbrojtjes, dhe secili është i pajisur me aftësi të ndryshme reagimi. Mekanizmi që ti ke aktivizuar për t’u mbrojtur ka qenë lutja, dhe unë e besoj se rezultat i një fundi të tillë është edhe për shkak të forcës dhe fuqisë së besimit. Ti ke arritur ta ndryshosh situatën tënde përmes thirrjes që ke bërë. Kohët e fundit në një nga kurset ku mësohet se si të duam njerëzit që na rrethojnë theksohet: “Të thërrasim për dashuri, me dashuri”. Jam e befasuar nga lutjet e tua dhe mënyra se si ke besuar në to.
 
Një gjë doja të theksoja nga letra jote kur thua “Burri për vite me radhë më ka rrahur, edhe krejt kot, pa bërë asgjë”. E dashur M, a mendon se ka pasur raste, që ndonjëherë burri të ka rrahur me të drejtë? Vërtetë ke besuar se ndonjëherë ti e meritoje të rriheshe? Në këtë pikë nuk jam dakord me ty, dhe do të doja të theksoja me zë të lartë, jo vetëm për ty, por për të gjithë ato gra që mund ta lexojnë këtë letër: “Nuk ka asnjëherë arsye për të rrahur një grua”. Fakti që ti edhe kur ke qenë fëmijë je rritur në një familje të dhunshme të ka krijuar një sistem besimi se, “nëse bën gabime do të ndëshkohesh”. Në marrëdhënien burrë grua nuk mund të ekzistojë një raport i tillë. Gruaja nuk është pronë e burrit që ai të mund të sillet me të si të dojë. Por një partner që përfshihet për të krijuar një lidhje të barabartë në të gjitha dimensionet me bashkëshorten.
 
Dikur gratë kërkonin dhe pretendonin shumë pak nga martesa, ndaj nuk prisnin që burrat t’u përgjigjeshin emocionalisht, e kjo mungesë përfshirjeje krijonte lehtë hapësirë për të abuzuar me gruan. E them këtë, pasi në këtë stad ku është marrëdhënia juaj tani mund të ndryshosh shkëmbimin emocional me bashkëshortin. Mund të thërrasësh për dashurinë e tij me dashuri. Duke e ofruar vetë e para do të shohësh se si do të shpërblehet dhënia jote.
 
Nëse lutjet e tua kanë funksionuar për t’i dhënë fund pijes së tij, dhe për ta shëruar bashkëshortin tënd nga varësia e alkoolit, jam e sigurt se do të funksionojnë edhe për t’u afruar më shumë me njëri tjetrin. Një shprehje budiste thotë “Asgjë nuk ndodh rastësisht në jetë”. Ndoshta aksidenti i sëmundjes së tij ndodhi pikërisht për këtë arsye? Ndoshta tani është radha jote të marrësh drejtimin e lidhjes, meqë yt shoq është dorëzuar? Nëse ti je lutur për vite me radhë që ai të ndryshojë nuk mendoj se e ke bërë këtë që pasi të plotësohet lutja jote ti të dorëzohesh.
 
E di që nuk është e lehtë, që pasi të kriset një lidhje, të ngjitet menjëherë, a thua se nuk ka ndodhur asgjë. Truri i vjetër vepron me një shpejtësi marramendëse për të të kujtuar pakënaqësitë dhe vuajtjet që të lidhin me të shkuarën, sa herë të shfaqet dëshira për t’iu afruar. Por duhet të pranojmë se njerëzit ndryshojnë. Disa e kërkojnë këtë nëpër ekspedita meditimi, disa duke u lutur në Zot, disa pësojnë shok nga ndonjë ngjarje që u ndodh në jetë, disa për shkak të sëmundjeve, apo disa thjesht sepse vendosin të dalin nga errësira në dritë. Pavarësisht se ti nuk ke ndonjë pyetje specifike në letrën tënde, do të doja të të thoja se “Detyra jonë është të respektojmë ndryshimin e njerëzve tanë të dashur, kur kjo lëvizje ndodh për mirë. Unë jam e sigurt se ti mund ta bësh këtë”. 

Shkrimi u publikua sot (21.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)