Për herë të parë një nga të prekurit me koronavirus në Shqipëri ka dalë publikisht me zë dhe figurë në një video sensibilizuese, si kudo në botë, veçanërisht ndaj të rinjve, që deri më tani "mbrohen" pas idesë se COVID-19 shfaq simptoma të rënda dhe i merr jetën vetëm të moshuarve. Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë videon e vajzës të prekur me koronavirus, për të tejçuar thirrjen e fortë tek të rinjtë shqiptarë që u duket vetia të pamposhtur se ky armik i padukshëm prek këdo dhe e vetmja mënyrë që të mbrohesh është duke qëndruar në shtëpi.

Vajza e re, e cila flet në video, e cilësuar si e infektuara e 69 me covid 19 në Shqipëri, ka dalë me dëshirën e saj pa u ndjerë e turpëruar se është e infektuar, duke apeluar se çdokush mund të preket nga Covid 19. Ajo sqaron se ka qenë një vajzë e fortë, energjike dhe me shëndet të mirë dhe sërish u prek nga koronavirusi. Ashtu siç e cilëson, qëllimi i kësaj video është sensibilizimi i të rinjve që nuk po kuptojnë rrezikun që u kanoset në këtë kohë dhe i qytetarëve që vijojnë shëtitjet në rrugë kur lejohen oraret e lëvizjes.

'Këtë video e nisa sepse vazhdoj të shoh postim pa fund për shkeljen të drejtave për karantinimin apo nuk po merr askush parasysh pasojat psikologjike të të qëndruarit brenda. Dhe përveç kësaj shoh vazhdimisht njerëz që vijojnë jetën normalisht pa shqetësimi sidomos këtu në lagjen time ku të gjithë e dinë që jemi të paktën 2 veta të infektuar dhe kushedi sa të tjerë mund të rezultojnë. Pasojat psikologjike të qëndrimit brenda në shtëpi sidomos kur jeni të shëndetshëm janë të papërfillshme me pasojat kur shikon një familjarë që ta merr ambulanca dhe që do të kesh komunikim vetëm telefonik për kush e di se sa kohë. Përveç kësaj me pasojën që do të kesh kur të vijnë të bëjnë analizën dhe të trajtojnë sikur je një mbetje kimike sepse fundja në këtë pikë ke të njëjtën rrezikshmëri për të tjerët", shprehet vajza

Ajo tregon se nuk ka pasur histori udhëtimi në Itali dhe asnjë kontakt me personat e prekur, por sërish rezultoi pozitive se ishte prekur nga koronavirusi. Aktualisht vajza sqaron se ndodhet në vetizolim në shtëpi, ndërsa lë të kuptohet se një nga familjarët e saj, i infektuar me covid 19, ndodhet në spitalin Infektiv dhe se nuk mund të takohen. Për të kjo është pasoja më e rëndë psikologjike për tu përballuar se qëndrimi në shtëpi kur je i shëndetshëm.

'Nuk kemi pasur kontakte me njerëz të infektuar, nuk kemi pasur kontakte me njerëz të ardhur nga jashtë apo me njerëz që kanë shfaqur simptomat. Nuk e di si e kemi marrë dhe kur e kemi marrë. Kjo do të thotë se tashmë nuk janë rrezik potenciale vetëm ata të ardhur nga Italia dhe ata që kanë pasur kontakt me ta, por shumë më shumë njerëz dhe është një rrezik të cilin ne nuk mund ta shohin se nuk e kemi përballë. Ky virus nuk është shaka, po jua thotë dikush që vuan pasojat, që ka dikë të shtuar në spital dhe po jua thotë dikush që është karantinuar momentalisht në shtëpi me zero kontakt njerëzor.'

Se si mund ta kenë marrë koronavirusin, kjo ende nuk dihet, prandaj apeli i vajzës është që të gjithë të ruhen pasi ky virus i rrezikshëm prek edhe të rinjtë energjikë e të fortë dhe se ai gjendjet kudo. Virusin nuk mund ta marrim vetëm nga personat me histori udhëtimi në Itali, por çdo qytetarë është një rrezik potencial për tu infektuar me Covid 19. "Ky virus nuk është luftë individuale e secilit prej nesh, është një luftë e gjithë njerëzimit", shprehet vajza e cila sqaron se në këtë situatë nuk ke në dorë vetëm jetën tënde por dhe të tjetrit dhe je përgjegjës për të.

'Nuk po hiperbolizojë kur them se ky virus nuk është luftë individuale e secilit prej nesh, është një luftë e gjithë njerëzimit, dhe ne na duhet të bëjmë diçka shumë të vogël krahasuar me atë që po bëjnë mjekët dhe infermierët. Ne na duhet thjeshtë të rrimë në shtëpi dhe të sigurohemi të mos infektohemi dhe të mos infektojmë të tjerë që të mos u rrisim barrën mjekëve dhe tu lëmë mundësinë të gjejnë zgjidhjen  e problemit dhe të mos mbingarkohen me pacientët që në 90 % të rasteve e kanë marrë virusin si pasojë e pakujdesisë qoftë të vetës, qoftë të dikujt tjetër. Duke shpresuar që kjo video tua bëjë situatën pak më të prekshme dhe pak më reale për të krijuar sensibilizim tek ju,  ju lutem qëndroni në shtëpi, bëni kujdes maksimal dhe telefononi urgjencën nëse keni simptoma. Kujdesi nuk ju duhet vetëm për vete dhe familjarët por dhe për ata që takoni në rrugë, pasi këtu bëhet fjalë edhe për përgjegjësi të jetës së tjetrit', ka qenë apeli i vajzës së re të vetëkarantnuar në shtëpi pas testit pozitiv me covid 19.

Kyreministri Edi Rama e ka komentuar mesazhin e vajzes duke vleresuar kurajon e jashtezakonshme te saj per te folur publikisht per semundjen dhe duke kerkuar ndergjegjesimin e shqiptareve:

Ti zemër do ia dalësh padiskutim dhe unë jam me ty, të gjithë ne jemi me ty, deri kur të shërohesh plotësisht!

Por ti meriton edhe një falenderim të megjithëzemërt, për fjalët e thjeshta, të vërteta, të ndjera, që ke ndarë me të gjithë ne, sot kur të gjithë kanë nevojë të dëgjojnë dhe disa prej nesh, kanë akoma nevojë të kuptojnë që jemi në një luftë botërore për jetën, jo në një lojë kukamçefthi, ku kemi të drejtën të mërzitemi e të ankohemi pse po e kufizojmë skajshmërisht lirinë tonë!

Ti nuk ke nevojë për kurajo, sepse dalja jote publikisht tregon se kurajon e ke të jashtëzakonshme, kështu që unë nuk mund të të jap kurajo ty, po dua të të falenderoj për kurajon që ti më dhe mua me fuqinë magnetike të brishtësisë tënde