Teksa janë numëruar deri tani mbi 90% e votave duket se Partia Socialiste po shkon drejt fitores historike të mandatit të tretë qeverisës. Deri tani PS ka fituar me 48.68% të votave ose 73 mandate deputetësh. PD ka marrë 39.39% të votave ose 59 mandate duke shënuar rritje të ndjeshme krahasuar me zgjedhjet e 2017 ku fitoi vetëm 46 deputetë. LSI ka pësuar rënie drastike duke fituar vetëm 6.91% thënë ndryshe vetëm 5 mandate nga 19 që ka pasur në zgjedhjet e kaluara. Surpriza e këtyre zgjedhjeve është PSD e Tom Doshit e cila deri tani ka marrë 3 mandate, 2 në Shkodër dhe 1 në Tiranë, ndonëse ai vetë hoqi dorë nga mandate për shkak se është person i shpallur "non grata në SHBA"
Në qarkun e Tiranës janë numëruar 71.8 % e votave dhe deri në këtë fazë është krijuar pak a shumë një panoramë e qartë e shpërndarjes së mandateve, edhe pse jo finale. Deri më tani PS ka marrë 48.8 % të votave, PD 39 % dhe LSI 6 %. E përkthyer në mandate PS merr 18, ndërsa PD 15 dhe LSI 2 dhe PSD 1 mandat.
Në qarkun e Durrësit PS kur janë numëruar 72.1% e votave PS vijon të jetë forcë e parë me diferencë të madhe votash krahasuar me PD. PS ka marrë 49.82 % të votave, për t'u ndjekur nga PD me 41.60 %. Thënë ndryshe e përkthyer në mandate ndarja është PS 7, PD 6 dhe LSI 1. Durrësi është qarku që ka ecur më ngadalë sa i përket numërimit të votave. Procesi i numërimit në Durrës nisi me 6 orë vonesë për shkak të mosmarrëveshjeve mes numëruesve.
Në qarkun e Shkodrës Partinë Demokratike ka marrë 5 mandate, PS ka marrë 3 mandate, 2 për PSD-në dhe 1 mandat për LSI-në. Jozefina Topalli nuk arrin të marrë asnjë mandat në Shkodër.
Ka përfunduar mëngjesin e sotëm numërimi i votave në qytetin e Elbasanit ku palët luftuan deri në votën e fundit që mbajti peng mandatin e 9 të PS në këtë qark. Deri tani raportohet se PS ka humbur deputetin e 9 vetëm për 78 votë, duke marrë 8 mandate kundrejt 6 mandate të fituara nga PD dhe asnjë nga LSI.
PS ka marrë objektivin maksimal të mandateve në Gjirokastër duke fituar 3 të tillë me 53.83 % të votave të fituara. Forcë r dytë në këtë qark është PD me një mandate, ndërsa LSI nuk ka fituar asnjë.
Ndërkohë në qarkun e Beratit LSI ka pësuar disfatën më të madhe duke humbur dhe 2 mandatet që fitoi në zgkedhjet e 2017 dhe duke u zhdukur si parti. Në këtë qark PS ka fituar 5 mandate ndërsa PD 2.
Vlora nuk pritet që të ketë surpriza. PS ka arritur që të korrë një fitore bindëse në këtë qark, krahasuar me PD, por edhe me LSI. Kur ka mbetur dhe 1 Qendër Votimi pa numëruar, PS ka arritur që të marrë 57.89 %, PD 31.55 % dhe 6.08 % LSI. Të përkthyera në mandate, në këtë qark, PS merr 8, PD 4, e LSI 0.
Është mbyllur procesi i numërimit në Qarkun e Dibrës, ku janë numëruar 227 kuti. Partia Demokratike ka marrë 45.75% të votave dhe e përkthyer në mandate ka fituar 3 mandate. Diferenca me PS ka qenë shumë e vogël, ku socialistët kanë marrë 44.50%, përkthyer kjo në 2 mandate. LSI nuk ka fituar asnjë mandate.
Në Qarkun e Fierit deri tani kur janë numëruar mbi 91% e votave PS merr një fitore bindëse dhe ruan bastionin e saj. PS ka marrë 52.2 % PD ka një rritje të lehtë me 37.6 % të votave, e ndërsa LSI ka marrë 7.1%. Projeksioni i mandateve deri tani është 9 për Partinë Socialiste dhe 6 për Partinë Demokratike dhe 1 për LSI-së.
Kur janë numëruar mbi 80% e votave, në qarkun e Korçës kryesojnë socialistët me 47.8 % të votave, ndërsa PD me 41.8%. Pritshmëritë e LSI në këtë qark kanë qenë të mëdha, por deri më tani ajo ka marrë 7% të votave. Projeksioni i mandateve deri tani është 6 për Partinë Socialiste dhe 5 për Partinë Demokratike dhe asnjë për LSI.
Kur janë numëruar 75.1% të votave, PD kryeson në qarkun e Lezhës, me 46% të votave, ndërsa ka një rezultat të ngushtë me PS, e cila vjen pas saj me 39.8%. LSI deri tani ka marrë vetëm 9.6% të votave. Deri në këto momente mandatet ndahen 4 me 3 për Partinë Demokratike.
Kukësi ishte qarku i parë ku përfundoi numërimi. PD merr 2-fishin e votave në Kukës dhe kjo nuk është aspak surprizë. PD ka arritur që të marrë 62.27 % të votave krahasuar me 35.84 % të PS. Sa i përket LSI, nuk ka marrë dot as 0.2 % të votave. Nga 3 mandatet e Kukësit 2 i merr Partia Demokratike dhe 1 e merr Partia Socialiste.
Si janë shpërndarë mandatet në qarqe kur kanë mbetur dhe pak kuti për t'u numëruar
Qarku Tiranë: PS 18 mandate/PD 15/ LSI 2/PSD 1
Qarku Durrës: PS 7/PD 6 /LSI 1
Qarku Shkodër: PS 3/ PD 5/LSI 1/PSD 2
Qarku Elbasan: PS 8/PD 6
Qarku Gjirokastër: PS 3/PD 1
Qarku Berat: PS 5/ PD 2
Qarku Vlorë: PS 8/PD 4
Qarku Dibër: PS 2/PD 3
Qarku Fier: PS 9/ PD 6/LSI 1
Qarku Korçë: PS 6 /PD 5
Lezhë: PS 3/PD 4
Kukës: PS 1/ PD 2