TIRANË - Operacioni "Forca e Ligjit" u ka kërkuar të justifikojnë pasuritë dy të dënuarve me burg për trafik droge nga drejtësia italine. Gazmend Mahmutaj dhe Edison Çobo nga Berati, kanë marrë me shkrim kërkesën nga OFL për të dorëzuar një autodeklaratë për pasuritë dhe burimin e tyre. Si subjekt i Ligjit Special, ata duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së. Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. Gazmend Mahumtaj është një emër i njohur për drejtësinë, njihet si i rrezikshmi i Beratit, i dënuar në Itali për trafik të drogës dhe prostitucion me 25 vite burg.

Por ngjarja më e bujshme rreth emrit të tij është ajo e 18 nëntorit 1998 kur me një emër të rremë (Raqi Gjoni), edhe pse kërkohej nga Italia, mundi të shkojë deri në aeroportin ”Malpensa” në Milano në një avion tranzit ku udhëtonin për Strasburg një grup parlamentarsh shqiptarë në një konferencë për krimin e organizuar. Mes tyre ishte edhe Fatmir Mediu, mik i Gazmend Mahmutajt, pasi vëllai i tij, Kasem Mahmutaj, ka qenë kryetar i Partisë Republiken në Berat që në mars të 2008. Por jo vetëm kaq! Vëllain e trafikantit, Partia Demokratike e kandidoi për kryebashkiak të Beratit në zgjedhjet e vitit 2007 dhe 2015. Për akuzat e ngritura nga drejtësia italiane se Mediu favorizoi të kërkuarin Gazmend Mahmutaj, kreu i Partisë Republikane fitoi pafajësi në Gjykatën e Lartë italiane, edhe pse në vitin 2000 Apeli e dënoi me 3 vite burg dhe ndalim të ushtriimt të posteve shtetërore për akuzën e “përkrahjes së të inkriminuarve”. Ndërkohë, i zbuluar nga shenjat e gishtërinjve, Mahmutaj u arrestua nga policia italiane, por nuk dihet nëse ai ka kryer ndonjë dënim në burg, pasi aktualisht ai lëviz lirshëm në qytetin e Beratit ku ka edhe biznese në fushën e transportit të udhëtarëve. Sipas mediave italiane, Gazmend Mahmutaj kishte tetë identetitete të ndryshme, cilësohej kreu i orgarnizatës kriminale të drogës e prostitucionit me persona kryesisht nga Berati, dhe njihej si "Gazi".

Ndërkohë që Edison Çobo është po ashtu një emër i njohur për drejtësinë. Sipas OLF-së ai është dënuar në Itali për trafik droge, por ende nuk i ka mbyllur hesapet me drejtësinë shqiptare. Në 2013 ka qenë akuzuar për grabitjen e një biznesmeni, ndërsa në 2018 është arrestuar me një urdhër gjykate të 2017 për trafik droge në bashkëpunim dhe aktualisht ndodhet në burgun 313 ku vijon procesin gjyqësor. Edison Çobo është vëllai i ish-Presidentit të Tomorit të Beratit Ardian Çobo, që u vra në vitin 2000 në Tiranë në një lokal pas stadiumit 'Selman Stërmasi'. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:33
'Jeta e familjarëve të tu, vlen sa një fishek', në 2017 Gazment Mahmutaj dhunoi dhe kërcënoi kreun e LSI-së në Berat

1582047349_ofl.jpg

Gazmend Mahumtaj, të cilit OFL i dërgoi sot formularin e deklarimit të pasurisë, është akuzuar në vitin 2017 se ka dhunuar dhe kërcënuar kreun e LSI-së në fshatin Gjoroven të Beratit Krenar Shehu. Vetë ky i fundit asokohe bëri një denoncim në polici duke rrëfyer se autorët i kanë vënë pistoletën tek koka dhe e kanë kërcënuar me jetë dhe familjen. Ai tha se dhunesit i kishin thënë se jeta e familjarëve të tij vlen sa një fishek. “Më kanë dalë përpara në lagjen Uznovë 3 kriminelët më famëkeq të Beratit, Gazmend Mahmutaj, i dënuar me 25 vjet burg për prostitucion dhe trafik droge, Gramoz Toto i dënuar me 18 vjet për prostitucion dhe Ramazan Toto i dënuar me 18 vjet. Ditën për diell më kanë ndaluar me forcë, të shoqëruar nga shumë persona të tjerë dhe të armatosur me automatik dhe pistoleta më kanë shkatërruar makinën. Më nxorën me forcë nga makina dhe më kërcënuan se do të vrasim dhe zhdukin mua dhe familjen nëse në njësinë Velabisht, LSI del forcë e parë. Më ka goditur Gazment Mahmutaj dhe më tha se nga ky moment s’duhet të bëja asnjë lëvizje për LSI-në. Iu thashe se i kam miq kandidatët e LSI-së dhe se do vazhdoja t’i ndihmoja. Më pas Gramoz Toto ka drejtuar pistoletën duke më bërë presion dhe ma ka vënë në kokë. Më tha se jeta jote dhe e familjarëve të tu vlen vetëm një fishek", u shpreh Shehu asokohe.

Mahumtaj është një emër i njohur për drejtësinë, njihet si i rrezikshmi i Beratit, i dënuar në Itali për trafik të drogës dhe prostitucion me 25 vite burg.  I lidhur me emrin e tij ka qenë edhe kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu

Ora 13:15
Mahmutaj, mik i Mediut! Bosi i drogës i kërkuar nga Italia 'kamufluar' në avion me deputetët...Basha i kandidoi vëllanë kryebashkiak, Berisha ia bëri drejtor

Gazmend Mahmutaj është dënuar për trafik droge dhe shfrytëzim prostitucioni në Itali me 25 vite në total I lidhur me emrin e tij ka qenë edhe kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i cili është dënuar në itali me 3 vite burg dhe ndalim të ushtriimt të posteve shtetërore për akuzën e “përkrahjes së të inkriminuarve”, pasi sipas Gjykatës së Apelit në Milano, me një vendim të 23 prillit 2000, Mediu, në emër të parlamentit shqiptar, ka favorizuar të kërkuarin nga drejtësia italiane, pikërisht Gazmend Mahutajn me të cilin kishte miqësi, për të kaluar tranzit nga vendi ynë drejt shtetin fqinj me emër të rremë (Raqi Gjoni). Për këtë ngjarje, në atë kohë, Fatmir Mediu për Shqiptarja.com deklaronte se është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Lartë italiane.

Më 18 nëntor 1998, Gazmend Mahmutaj, një personazh i njohur i botës së krimit në Berat, ishte duke kaluar tranzit në aeroportin ”Malpensa” në Milano bashkë me një grup parlamentarësh shqiptarë që shkonin për në Parlamentin Europian në një konferencë për krimin e organizuar. Mahmutaj, e dinte që ishte në kërkim nga autoritetet italiane,  ndaj duke përfituar nga miqësia me kryetarin e PR-së, thotë drejtësia italiane, - Fatmir Mediu kishte siguruar dokumente të falsifikuara me emrin Raqi Gjoni.

Trupi gjykues në Itali, në shkallën e Parë dhe atë të Apelit, kishte arritur në përfundimin e se Mediu e ka ndihmuar Mahmutaj t’i shmanget drejtësisë italiane duke mos vuajtur dënimin. Mediu u dënua me 4 vite e 6 muaj burg dhe pas procedurës me gjykim të shkurtuar, ai u dënua me 3 vite burg. Por vetë Mediu shprehej se ka marrë pafajësi nga Gjykata e Lartë dhe se kjo çështje nuk ka vend për aludime.

Ndërkohë, i zbuluar nga shenjat e gishtërinjve, Mahmutaj u arrestua nga policia italiane dhe u dënua me 10 vjet burg. Sipas mediave italiane, ai kishte tetë identetitete të ndryshme, dhe cilësohej kreu i orgarnizatës kriminale me persona kryesisht nga Berati, dhe njihej si "Gazi".

Basha kandidoi per kryebashkiak vellain e trafikantit

Gazmend Mahmutaj është vëllai i Kasem Mahmutaj i kandiduar nga Partia Republikane në zgjedhjet lokale te vitit 2007 dhe në vitin 2015 u kandidua nga PD e drejtuar nga Lulzim Basha, po për kryetar Bashkie Berat. Kasem Mahmutaj ka qenë drejtor i objektit më të madh të industrisë ushtarake, në Poliçan, duke qenë njëkohësisht dhe kreu i Partisë Republiken në Berat që në mars të 2008, në kohën e qeverisë Berisha.

Mahmutaj me kompani udhetimi ne Berat

Nga një vëzhgim në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Gazmend Mahmutaj, prej vitit 2014 është 100% aksionet në një kompani  udhëtimesh A.P Transport me kapital fillestar 1 milionë lekë.  Ndërkohë, prej vitit 2016, rezulton të jetë administratorë i një kompanie (P.T.E BR) për instalime, punime dhe tregti të pajisjeve elektrike me 50% të aksioneve.

Ora 13:13
OFL-ja i vihet pas vëllait të ish-Presidentit të Tomorit që u vra, grabiti mikun biznesmen, i dënuar për drogë


Edison Çobo 48-vjeç nga Berati është personi i dytë që Operacioni Forca e Ligjit njoftoi sot se i ka dërguar formularin për të justifikuar pasurinë, pasi në të kundërt do të sekuestrohet. Çobo i dënuar në Itali për trafik droge është një emër i njohur shumë edhe për drejtësinë shqiptare, teksa në 2018 është arrestuar.

Në datë 24 mars të vitit 2018 ai u arrestua, pasi ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier me vendim më datë 25.09.2017 për prodhim dhe shitje droge në bashkëpunim. Në 13 korrik të vitit 2013 Çobo së bashku me tre persona të tjerë u akuzuan se grabitën shtëpinë e biznesmenit Edmond Piti nga Ura Vajgurore. Ata hynë me forcë në shtëpinë e biznesmenit dhe e detyruan t'u jepte 20 milionë lekë të reja.

Edmond Piti, pronar i një pike karburanti ishte i njohuri i tij. Çobo momentalisht ndodhet në burgun 313 në Tiranë ku së bashku me Klaudio Hasajn, Iliro Harunin, Skender Vrenozin, Gentian Vrenozin, Ervis Vrenozin, Spartak Cerajn dhe Renato Agalliun, po gjykohen për akuzën e "Trafikimit të narkotikëve", në bashkëpunimin, "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve e municionit".

Edison Çobo është vëllai i Ardian Çobos, ish-president i klubit të futbollit të Tomorit të Beratit që u ekzekutua nga Adlin Goxha në vitin 2000 në një lokal afër stadiumit “Selman Stërmasi”, pak çaste pasi kishte përfunduar ndeshja Partizani-Tomori. Tashmë Edison Çobo duhet të përballet me drejtësinë sërish për të justifikuar pasurinë që ka vendosur në vite dhe që dyshohet se është bërë me aktivitet të paligjshëm të trafikut të drogës.