Deputeti socialist Ulsi Manja thotë se ultimatumet që Dritan Goxhaj renditi dje drejt qeverisë si zëdhënës i vetshpallur i protestës 23-ditore në Tiranë, janë autorësi e Iranit, dhe këtë dyshim e përfocon mbështetja e Olsi Jazexhiut, "i njohur për qëndrimet e tij publike antiamerikane, antizioniste dhe si fans i madh i Iranit".
Deklarata e plotë e Ulsi Manjës:
Mbrëmë dhe sot kam ndjekur me shumë kuriozitet debatin që ka shpërthyer mbi zëdhënësin zyrtar të vetëdeklaruar të protestës, Dritan Goxhaj. Kam përcjellë me vëmendje qëndrimet pro dhe kundër tij këtu në Shqipëri dhe në Kosovë.
Por më mbeti në mendje mbështetja që Dritan Goxhaj mori nga Olsi Jazexhi, një person i njohur për qëndrimet e tij publike antiamerikane, antizioniste dhe si fans i madh i Iranit.
Për shqiptarinë e këtij Jazexhiut, besoj se ai s’ka nevojë për përkthyes, sepse e thotë vetë, me zë dhe figurë, se identiteti fetar është mbi identitetin kombëtar.
Por pyetja që do një përgjigje është: pse platforma e parë politike për “Shqipërinë e Re” (se mund të ketë edhe të tjera) zgjati kaq gjatë dhe doli në javën e katërt të protestës?
Pse mbrëmë Dritan Goxhaj, si zëdhënës i vetëdeklaruar i protestës, mezi i lexoi pikat e ultimatumit ndaj qeverisë së Tiranës?
Ka një përgjigje për të dyja pyetjet. Deklarata e ultimatumeve për qeverinë është shkruar me dorën e IRGC-së iraniane dhe Jazexhiu do t’ia ketë përkthyer keq nga persishtja Goxhajt!
Por sot kam parë edhe shumë reagime pro dhe kundër për rolin e Dritan Goxhajt në UÇK. Lavdi Zotit, UÇK-ja i ka heronjtë e saj të gjallë dhe të gjithë ne kor kanë dënuar gjuhën antiamerikane dhe antizioniste dhe janë distancuar nga Dritan Goxhaj me shokë.
Tani pyetja nuk është më pse Olsi Jazexhiu e mbështet Dritan Goxhajn, sepse të dy e kanë shprehur me zë dhe figurë admirimin e tyre për Republikën Islamike të Iranit.
Pyetja është: pse një protestë qytetare ka nevojë për mbështetjen e Olsi Jazexhiut dhe për një zëdhënës si Dritan Goxhaj?
Shiheni vetë: a ka ndonjë ndryshim midis asaj që thonë Esmaeil Baqaei (zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Iranit), Olsi Jazexhiu dhe Dritan Goxhaj?

Lajmi kryesor:
Rama nxjerr dokumentin kur Goxhaj refuzoi të luftojë krah UÇK-së për Kosovën: S’më ka marrë koka erë! Kryeministri: Është manipulator gjysmë taleban e gjysmë mitoman









