/ATSH/ - Një grup i strukturuar kriminal që merrej me falsifikimin dokumentave është shkatërruar nga policia, ndërsa në pranga kanë përfunduar 5 persona. Në operacion e koduar "Emigracioni i Paligjshëm", të zhvilluar në Tiranë dhe në Shkodër, janë zbuluar laboratorë të falsifikimit të dokumentave.
Sipas policisë, 5 të arrestuarit rekrutonin njerëz që ishin të interesuar të largoheshin nga Shqipëria në drejtim të vendeve të BE-së, Britanisë së Madhe, SHBA-ve dhe Kanadasë, kundrejt shumave të parave. Për ata që donin të shkonin në vendet e BE-sëduhet të paguanin 5000 Euro, ndërsa 20.000 dollarë për në SHBA dhe Kanada.
Nga hetimet rezulton se pasi i pajisnin me dokumentacion të falsifikuar kryesisht italiane personat e interesuar, i instruktonin se si duhet të silleshin në aeroportet e huaja dhe i orientonin me anë të telefonit.
Personat e interesuar për të kaluar kufirin në dalje nga Shqipëria përdornin pasaportë biometrike dhe në aeroportet e huaja përdornin pasaportat e falsifikuara me të cilat ishin pajisur nga grupi kriminal.
Si rezultat i operacionit janë arrestuar në flagrancë, për kryerjen e veprave penale të "Ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve" dhe "Grup i strukturuar kriminal" shtetasit;
Bajram .M. XHAJA, 58 vjeç, banues në Tiranë.
Kujtim .A. EMIRI, 59 vjeç, banues në Tiranë, i i dënuar më parë ne vitin 2008, për veprën penale të falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave apo vizave si dhe prodhimi i mjeteve për falsifikim të dokumenteve.
Xhelil .Sh. ALLA, 43 vjeç, lindur në Peshkopi dhe banues në Tiranë.
Sofije . M. PEPAJ, 50 vjeç, lindur dhe banuese në Shkodër.
Mihal .V. Gjoka, 56 vjeç, banues në Tiranë.
Gjithashtu, Policia njofton se, gjatë këtij operacioni janë zbuluar dy laboratorë falsifikimi dokumentash. /gj.m/