Në Gjykatën e Tiranës u mbajt sot seanca për vlerësimin e masave të sigurisë për 7 të miturit, mes tyre nipi i gazetarit të "pavarur" Çim Pekaqë u arrestuan pas protestës së dhunshme të Sali Berishës më 10 shkurt, ku u hodhën edhe breshëri molotovësh. Te Kuvendi, ku përplasja ishte edhe më e ashpër, bomba e molotovit të protestuesve të Sali Berishës ra edhe mbi kameramanin e News 24, Aldo Kashri. Pamjet treguan momentin dramatik kur ai ishte mbi makinë dhe u përfshi nga të flakët e molotovit.

Ky veprim u dënua nga të gjithë kameramanët që ishin sot para Gjykatës së Tiranës. Të gjithë operatorët ulën kamerat dhe zgjodhën të mos filmojnë asnjë nga deputetët e opozitës që mbështesin dhunuesit, ndoshta në mesin e tyre, edhe ai që lëshoi bombë molotovë ndaj kolegut të tyre, Aldo Kashri,  i cili u përfshi nga flakët, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën, teksa ishte në krye të detyrës, duke përcjellë përmes objektivit të kamerës gjithçka ndodhi në protestën 3 orëshe të PD-së.

Habia në fakt është se si Sali Berisha, i cili jo vetëm që nuk u distancua nga dhuna në protestë, shkoi edhe në skenarë imagjinarë se policia dhunoi median, por e vërteta dallohet fare thjeshtë përmes këtyre pamjeve që tregojnë qartë se dhuna ndaj punonjësve të medias erdhi nga militantët e Berishës të cilët ishin pajisur me bomba molotov.

Siç shihet edhe në videon më poshtë, teksa ishte në krye të detyrës, operatori u rrethua nga flakët që u krijuan nga bombat molotov që hodhën militantët e Berishës. Pamjet në fakt përgënjeshtrojnë edhe pretendimin e Berishës për dhunë të efektivëve ndaj medias, pasi dallohet fare qartë një autobot që ndodhet aty pranë, i cili i vjen në ndihmë dhe hedh ujë në drejtim të operatorit që ishte i përfshirë nga flakët. Dhuna ndaj punonjësve të medias në protestë u dënua edhe nga rrjeti Safe Journalists.