OSBE: KQZ duhet depolitizuar
Topi respekton Kushtetutën

OSBE: KQZ duhet depolitizuar <br />Topi respekton Kushtetutën
TIRANE – Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wolfarth, tha sot se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) duhet të jetë i depolitizuar. “Duhet të dominojë vullneti i zgjedhësit. Unë do uroja të kishit një KQZ të depolitizuar pasi kemi të bëjmë me një punë teknike”, tha Wolfarth në një intervistë në ABC NEWS. “Një përbërje e mirë e KQZ bëhet e mundur nëse jemi në një ambient të depolitizuar – shtoi ai – Një KQZ e mirë është ajo e pavarur”.

Ambasadori i OSBE-së foli edhe për rolin e tekonologjisë në zgjedhjet e ardhshme. “Populli do që votat të numërohen siç duhet”, tha ai, por paralajmëroi se mungesa e mosbesimit mes palëve nuk mund t’i delegohet elektronikës. “Besimi duhet të krijohet midis njerëzve. Zgjedhjet varen shumë nga besimi mes njerëzve. Kur besimi nuk ekziston nuk mund t’ia delegosh një makinerie. Paisjet mund të ndihmojnë”, shtoi ai gjithsesi.

Në zgjedhjet e 2013 do të ketë numërim elektronik? “Është e mundur por varet edhe se si do të shkojë procesi i reformës së kodit zgjedhor. Do të duhet kohë për instalimin, trajnimin e njerëzve. Ka vende të tjera që e kanë provuar por do të shohim si do të vendoset. E rëndësishme është që të gjitha palët të bien dakort. Atëherë kjo është diçka që mund të bëhet. Por koha po vjen e po zvogëlohet sepse procesi i instalimit është goxha kompleks”.

Shqetësimet e partive të vogla ambasadori i OSBE i quajti “çështje shumë të rëndësishme” dhe tha se “një zgjidhje duhet gjetur”. “Partië e vogla duhet të respektojnë disa pragje për të hyrë në parlament. Kjo duhet parë me shumë kujdes. Kjo është diçka që duhet diskutuar mes vetë liderëve të partive të vogla e të mëdha. Barazia e votës është e rëndësishme. Në planin afatgjatë nuk është mirë të kemi parti të përfaqësuara nga një person i vetëm në parlament”.

Ambasadori i OSBE foli edhe për zgjedhjen e presidentit që “është një proces i rëndësishëm që po e ndjekim nga afër për mënyrën se si po respektohen procedurat. Unë mund të bëj një thirrje që të respektohet Kushtetuta”. Sipas tij zgjedhja “nuk është e thënë që të jetë e kufizuar brenda politikës”. “Do ishte mirë që presidenti të zgjidhej në një nga tre raundet e para sepse kjo do të ishte një sinjal i fortë”, tha ambasadori.

Në lidhje me punën e Presidentit Topi, ambasadori tha se ai “është një patriot, respekton Kushtetutën, i qëndron Kushtetutës”. Por “Kushtetuta aktuale e ka kufizuar mundësinë e presidentit për të kontribuuar në gjetjen e balancave”. Përsa i përket emërimit të gjyqtarëve “ai ka qenë gjithnjë i interesuar për të emëruar njerëz të zotë”.

Në lidhje me çështjen e 21 janarit, ambasadori i OSBE në Tiranë tha se “nuk kam informacione të tjera në lidhje me” hetimet. Por ai shtoi se “është shumë e rëndësishme që Prokuroria të punojë në mënyrë të pavarur, pa influencë, pa ndikime politike. Duhet të shohim një sistem që funksionon siç duhet”.

Duke folur për klimën politike në Shqipëri ambasadori Wollfarth tha se “zgjidhjet duhen gjetur dhe negociuar mes vete partive shqiptare. Mua më duket normale që negociatat të jenë të ashpra. Ne shume rrallë shohim raste kur opozita e mburr qeverinë. Në fakt roli i opozitës është të ofrojë alternativa. Unë këtë do të ftoja opozitën të bënte. Tashmë shumica e vendimve udhëhiqen nga një axhendë ndërkombëtare. Për çfarëdolloj vonese ka edhe një çmim që vjen me të. Kjo s’do të thotë thjeshtë shtyp një buton dhe gjen një zgjidhje hap e mbyll sytë. Demokraci do të thotë dëshirë për të gjetur zgjidhje”. Gjithësesi jemi në demokraci? “Absolutisht”, përgjigjet ambasadori.

Wollfarth foli edhe për pasionin e shoqërisë shqiptare për t’i rreshtuar institucionet ndërkombëtare në njëri apo tjetrin krah të politikës. “Për ne nuk ka rëndësi nëse je PD, PS, LSI, apo parti që nuk je fare në Parlament. Është pak më e fortë këtu se në vende të tjera identifikimi me njërin krah. Kjo nuk të ndihmon. Shpesh herë ngrihen pyetje që nuk kanë nevojë fare të ngrihen pasi përgjigjja është në Kushtetutë. Mua gjithsesi më pëlqen të punoj këtu dhe unë jam partizan i Shqipërisë. Jam mbështetës i progresit që tashmë është stabël. Kjo është ajo që u duhet njerëzve. U duhet arsim, punë për të pasur një jetë sa më dinjitoze”.

Ishte më e vështirë apo më e lehtë nga parashikimi puna në Shqipëri? “Ishte sfiduese. Nuk ishte më e vështirë se ç’e prisja. Disa ngjarja sigurisht ishin të paparashikuara. Por e prisja që do të kisha një detyrë të vështirë. Nëse do të më pyesnit nëse do të pynoja përsëri në Shqipëri përgjigja është po”.

(im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Sulm masiv me raketa në Kharkiv! Zelensky: 2025 bëhet viti i paqes për Ukrainën

Lufta/ Sulm masiv me raketa në Kharkiv! Zelensky: 2025 bëhet viti i paqes për Ukrainën