OSBE raport fshikullues:
Zgjedhjet 2013, garë e egë

OSBE raport fshikullues:<br />Zgjedhjet 2013, garë e egë
Ambasadori i OSBE-së Eugen Wollfarth paraqiti sot në këshillin e përhershëm të OSBE-së, në Vjenë, raportin vjetor mbi Shqipërinë. Një raport tejet i detajuar dhe tepër kritik mbi situatën në Shqipëri në 12 muajt e fundit të cilën ky organizëm i quan një periudhë “ndal dhe ec”, ku ndërhyrja e ndërkombëtarëve shërbeu si katalizator për zhvillim dhe ndihmoi në zbutjen e interesave partiake, ndërsa zgjedhjet parlamentare 2013 i sheh si “tejet konkurruese.”

Për Presidentin OSBE mendon se Nishani do të jetë në qendër të debatit ndoshta për emërimin e prokurorit. Postet e ministrave u ndryshuan papritur. Për komisionet hetimore për 21 janarin e Spahinë, OSBE vëren se u tejkaluan kompetencat, u kthyen në gjykata. Kuvendi nuk shqyrtoi dekretet e presidentit, ndërsa për sistemin gjyqësor ndalet në gjyqin e Gërdecit dhe të Ilir Metës. Për tragjedinë e 15 marsit 2008, s’u zhvillua një gjykim i drejtë dhe Mediu su gjykua fare, se u mbrojt nga imuniteti. Ndërsa për gjykimin e Ilir Metës në Gjykatën e Lartë OSBE thotë se vendimet e ndërmjetme ishin të debatueshme. Kritikë e ashpër dhe për median. Titujt po subvencionohen nga bizneset jomediatike. Media e shkruar vuan nga mungesa e profesionalizmit.


ZGJEDHJET 2013, GARE E EGER

OSBE parashikon një garë shumë të egër për zgjedhjet parlamentare të 2013-tës, fushata e të cilës, thotë OSBE në raport ka nisur fill pas zgjedhjes së Presidentit të Republikës, në qershor.
"Mund të pritet që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të shohin një garë shumë të egër. Duke mbajtur parasysh që dita e votimit, me të ngjarë, do të jetë në fund të qershorit 2013, i tërë cikli i zgjedhjeve, përfshirë procesin e apelimeve paszgjedhore dhe përsëritjen, gati të pashmangshme, të zgjedhjeve në një numër zonash, mund të zgjasë deri në fund të shtatorit. Në pjesën më të madhe të dymbëdhjetë muajve të ardhshëm, shumica e vëmendjes kombëtare – e publikut, e medias dhe e klasës politike konkurruese – do t’i kushtohet fushatës politike."- vëren raporti

OSBE:NISHANI DO JETE NE QENDËR TË DEBATIT PËR EMËRIMIN E PROKURORIT
Raporti vlerëson se asnjë kandidat nuk mori shumicën e kërkuar prej tri të pestash gjatë tri raundeve të para. Në raport përmendet tërheqjen e kandidaturës së dy kandidatëve nga Partia Demokratike (PD) – ndonëse asnjëri prej të cilëve nuk ishte prezantuar zyrtarisht, dhe propozimin e ministrit të Brendshëm Bujar Nishani i cili u zgjodh si president në raundin e katërt të votimit me votat e koalicionit qeverisës.

OSBE vlerëson se procesi i zgjedhjes ishte në përputhje me Kushtetutën por “nuk çoi në një marrëveshje ndërpartiake për ndonjë kandidat, duke u shoqëruar me akuza reciproke për mungesë vullneti politik dhe u zhvillua në një atmosferë mllefi politik.”
OSBE thotë se “Ka gjasa që Nishani të vihet në qendër të disa debateve të tensionuara publike, që nga kjo vjeshtë, në lidhje me disa emërime të mundshme nga ana e tij të Prokurorit të ri të Përgjithshëm dhe të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët emërohen me marrjen e pëlqimit të qartë të Kuvendit.”

OSBE: POSTET E MINISTRAVE U NDRYSHUAN PAPRITUR

“Zgjedhja e Presidentit çoi edhe në disa ndryshime në Këshillin e Ministrave. Ndonëse emërimi i një Ministri të ri të Brendshëm ishte rrjedhojë e drejtpërdrejtë e zgjedhjes së presidentit, ndryshimi i ministrave të partisë së dytë të koalicionit, përfshirë pozicionin e Ministrit të Jashtëm, gjatë kohës së kryesimit të një organizate ndërkombëtare, erdhi mjaft papritur.”- thuhet në raport.

REFORMA ZGJEDHORE

NE 2013 PARTITE TË REALIZOJNE ZGJEDHJE TE LIRA E TE NDERSHME

OSBE raporton për shtyrjen e mandatit të komisionit të reformës zgjedhore tri herë, megjithatë reforma gjeti konsensusin. OSBE vë theksin në zbatimin e plotë të Kodit Zgjedhor në mënyrë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të mund të përgatitet në mënyrë efikase për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. ”Të gjitha palët politike të lënë mënjanë interesat vetjake partiake dhe të shfaqin vullnet politik për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. “- thuhet në raport e cila konstaton se përgjegjësia për përgatitjen dhe mbajtjen e suksesshme të zgjedhjeve mbetet më së shumti në duart e drejtuesve kryesorë partiakë. “Ata kanë mundësi thuajse të pakufizuara për të zhvilluar zgjedhje që përmbushin plotësisht standardet ndërkombëtare. ”- nënvizon raporti.


REFORMA PARLAMENTARE

NUK KA KONSENSUS,  DUHET GJETUR MARREVESHJA
Wollfarth informon Vjenën se nuk kanë arritur konsensusin për dy çështje kryesore: “kthimi i votimit të fshehtë për kandidatët e dekretuar nga Presidenti dhe balancimi i kohës për të folur në Kuvend për kryeministrin dhe kryetarin e grupit kryesor opozitar parlamentar. “ Është tashmë e rëndësishme të shihet arritja e një marrëveshjeje, në këtë proces, bazuar në standardet parlamentare ndërkombëtare. “

KOMISIONET HETIMORE PËR 21 JANARIN E SPAHINE

TEJKALUAN KOMPETENCAT, U KTHYEN NË GJYKATA
OSBE vlerëson si shqetësues ngritjen e komisioneve hetimore për 21 janarin dhe veprimtarinë e zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë
“Që të dyja këto komisione duket të jenë ngritur me rezultate të paracaktuara, duke i tejkaluar kështu kompetencat që u jep Kushtetua, e cila lejon vetëm shqyrtimin e një çështjeje specifike dhe jo zëvendësimin e punës së gjyqësorit. Për më tepër, në kundërshti me praktikën e saj dhe me formulimin e qartë të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese u mohoi disa deputetëve legjitimitetin për të ankimuar kushtetueshmërinë e ligjit për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë. Ky vendim duket se e ka ngushtuar, në mënyrë drastike, të drejtën e pakicës në Kuvend për të vënë në diskutim kushtetueshmërinë e ligjeve, siç parashikohet në Kushtetutë. “- thuhet në raport

SISTEMI I SE DREJTES

SHUME PAK PERPARIM
Sa i përket shtetit të së drejtës, OSBE vlerëson se “përparimi ka qenë relativisht i pakët.” “Shpesh, kanë qenë vetëm paralajmërimet dhe presioni nga aktorët ndërkombëtare dhe jo veprimet e institucioneve kombëtare, ato që kanë parandaluar bërjen e hapave prapa në këtë sektor. Dobësia e vazhdueshme e institucioneve shtetërore, siç është dëshmuar nga hezitimi i tyre për të vepruar në përputhje me ligjin, paraqet një kërcënim serioz për arritjet e brishta në fushën e shtetit të së drejtës. Ndonëse kjo dobësi vjen, kryesisht, për shkaqe të hershme, si për shembull klientelizmi i përhapur, presioni i pavend mbi institucionet për t’u bindur, si rrjedhojë e betejës së vazhdueshme politike për pushtet, nuk e ka përmirësuar situatën. “

KUVENDI NUK SHQYRTOI DEKRETET E PRESIDENTIT
Raporti përmend dhe faktin se Kuvendi nuk mori në shqyrtim kandidatët e dekretuar nga Presidenti për zëvendësimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, mandati i të cilëve përfundoi në vitin 2010. “Kuvendi as nuk mori në shqyrtim kandidatët e dekretuar nga Presidenti, as nuk kërkoi një zgjidhje të përbashkët me këtë të fundit për procedurën e emërimit, siç u kërkua shprehimisht nga Gjykata, duke cenuar kështu besueshmërinë e Gjykatës. Një tjetër kandidat i dekretuar nga Presidenti i atëhershëm mbetet i pashqyrtuar nga Kuvendi. Institucionet e Kuvendit dhe Presidenti duhet të gjejnë një zgjidhje koherente për këtë çështje, bazuar në atë që ka kërkuar Gjykata, gjë që ende nuk ka ndodhur.”

“Në përgjithësi,- vëren raporti- perceptimi i publikut – duke përfshirë atë të investitorëve dhe bizneseve të huaja të mundshme – për pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatave mbetet i ulët. OSBE nënvizon se përmirësimi i sistemit dhe reformat gjithëpërfshirëse varen, kryesisht, nga vullneti politik.


GËRDECI, S'U ZHVILLUA NJË GJYKIM I DREJTË, MEDIU U MBROJT NGA IMUNITETI
OSBE konstaton se gjyqi për tragjedinë e Gërdecit ”nuk mund të konsiderohet se është zhvilluar në përputhje të plotë me parimet e gjykimit të drejtë.” “Në veçanti, kohëzgjatja e tepruar e gjyqit, i cili shtyhej shpesh kryesisht për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës, ngriti shqetësime të herëpashershme. Një tjetër shqetësim ishte se ministrit të Mbrojtjes në detyrë në vitin 2008 nuk iu desh të paraqitej në gjyq në lidhje me përgjegjësitë që ai supozohej të kishte për këtë shpërthim, pasi as prokuroria nuk kërkoi një riheqje të imunitetit të tij pas rizgjedhjes së tij në Kuvend dhe as Gjykata e Lartë nuk i pranoi paditë penale të ngritura nga familjarët e viktimave. “

GJYKIMI I ILIR METES I DEBATUESHEM

Për gjykimin e Ilir Metës në Gjykatën e Lartë OSBE konstaton se vendimet e ndërmjetme ishin të debateshme. “Gjykata e Lartë e shpalli të pafajshëm ish-zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, ndaj të cilit ishin ngritur akuza për korrupsion. Gjykata u shpreh pas dhënies së atyre çka nga shumë vëzhgues u konsideruan si vendime të ndërmjetme të debatueshme, disa prej të cilave vështirë se mund të vihen në përputhje me ligjin, si për shembull përjashtimi nga Gjykata i regjistrimeve me zë dhe figurë dhe zbardhjes së tyre si dëshmi, caktimi i ekspertëve shqiptarë në vend të ekspertëve të huaj, apo rrëzimi i urdhrit për mbledhje provash.”


MEDIA

ZYRTARET E DENONCUAR NE MEDIA NUK NDESHKOHEN
OSBE vëren prirjen negative të subvencionimit të titujve nga bizneset jomediatike, të botuesve të tyre, të cilët i përdorin këto botime si mjete ndikimi mbi establishmentin politik. Media e shkruan po ashtu, vuan nga mungesa e profesionalizmit.
“Autoritet rregullator i medias u akuzua për marrjen e vendimeve të motivuara politikisht që shënjestronin transmetues të caktuar dhe për marrjen e vendimeve menaxheriale arbitrare në lidhje me asetet e agjencisë. Media e shkruar, po ashtu, vuan nga mungesa e profesionalizmit. Shumë tituj gazete subvencionohen nga bizneset jomediatike të botuesve të tyre, të cilët i përdorin këto botime si mjete ndikimi mbi establishmentin politik. Si rezultat, po dalin më pak raporte investigative si në median e shtypur ashtu dhe në atë të transmetuar. Kjo prirje është përkeqësuar më tej nga një ndjenjë dorëzimi nga ana e popullsisë sa i përket padobisë së raportimit të mirë investigativ, duke qenë se shumë raste mashtrimi dhe keqbërjeje të denoncuara në media nuk ndiqen nga organet ligjore. Aty ku rastet vihen nën ndjekje penale, të dyshuarit me profil të lartë shpesh kalojnë pa u ndëshkuar."

ROMET NUK INTEGROHEN

"Në fushën e të drejtave të njeriut, ndonëse pjesa më e madhe e kuadrit ligjor për mbrojtjen e pakicave tashmë ekziston, zbatimi i tij, veçanërisht në lidhje me romët, mbetet i dobët. Romët rrallë futen në kategorinë e atyre që përfitojnë strehim social, pasi ata shpesh punojnë në sektorin informal. "- thuhet ne raport.

REFORMA NE ADMINISTRATE

PROGES I KUFIZUAR, S'KA PROFESIONALIZEM, KA KORRUPSION
“Në lidhje me reformën e administratës publike, është vënë re një nivel i kufizuar progresi. Administrata publike ende vuan nga mungesa e profesionalizmit, si dhe nga korrupsioni gjerësisht i përhapur dhe i shoqëruar me klientelizëm. Është për t’u theksuar se një pjesë e madhe e vendeve të punës ende nuk caktohen përmes një procesi përzgjedhjeje në bazë merite. Një sistem tashmë i centralizuar u centralizua akoma më tej me miratimin e ligjeve që transferojnë katër agjenci shtetërore, përgjegjëse për informacione të klasifikuara, statistika zyrtare, prokurimin publik dhe financimin e projekteve për kërkim dhe zhvillim, në varësinë e drejtpërdrejtë të Kryeministrit. Dobësimi i organit kolegjial të Këshillit të Ministrave, në favor të një personi të vetëm, përbën shqetësim dhe mund të çojë në cenimin e pavarësisë së këtyre institucioneve dhe në keqësimin e transparencës. "- vëren raporti.

PRONAT DHE LEGALIZIMET

LEGALIZIMI I BANESAVE JO EFEKTIV DHE KORRUPTIV
"Reforma e pronës është zhvilluar në mënyrë të copëzuar, të pjesshme dhe, shpesh, kontradiktore që prej vitit 1991. Pa politika të qarta, që dalin nga një proces transparent dhe konsultativ, është e paqartë sesi reformat e politikave mund të jenë të qëndrueshme. Interesat konkuruese duhen zgjidhur për të eliminuar konfliktet. Procesi i legalizimit të ndërtimeve është, më së shumti, joefektiv dhe i damkosur nga perceptimi publik si i korruptuar. Padyshim, reputacioni publik i agjencisë shtetërore përgjegjëse për legalizimet është i ulët."

KORRUPSIONI NE NIVELE TE LARTA RRALLE NDIQET PENALISHT

"Agjencitë shtetërore përkatëse, në përgjithësi, mbeten të cenueshme nga presioni e ndërhyrja politike dhe vuajnë nga mungesa e burimeve financiare dhe njerëzore. Ndërkohë që korrupsioni në nivele më të ulëta ndonjëherë ndiqet penalisht dhe ndëshkohet ligjërisht, në nivele më të larta, korrupsioni rrallë ndiqet penalisht apo ndëshkohet, duke bërë që zyrtarë të lartë publikë dhe biznesmenë të rëndësishëm të gëzojnë imunitet thuajse të plotë. Kjo kulturë pandëshkueshmërie mund të shpjegojë përse sistemi i drejtësisë ka një reputacion publik kaq të keq. Akuzat e korrupsionit ndaj ministrave në detyrë, të cilët kanë në dorë kontrata investimesh të rëndësishme, si dhe mosbesimi në procesin e numërimit të votave kanë përforcuar kulturën e pandëshkueshmërisë. Një bilanc bindës vendimesh dhe dënimesh dhe/ose gjobash të forta dhe të përshtatshme, në rastet e korrupsionit që përfshijnë zyrtarë të lartë, do të ishte një masë pozitive për të kthyer besimin e publikut dhe për të demonstruar vendosmëri politike. Imuniteti i deputetëve, zyrtarëve të lartë dhe gjyqtarëve mbetet një pengesë kryesore për hetimin e rasteve të supozuara të korrupsionit."- vëren raporti.

VENDIMI PER REFERENDUMIN I MBETJEVE ISHTE I PAQARTE
"Nisma e një grupi individësh për të kërkuar një referendum të përgjithshëm për shfuqizimin e pjesshëm të ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve në lidhje me importin e mbetjeve shfaqi nevojën për të rishikuar dispozitat që rregullojnë mbajtjen e referendumeve. Në një vendim i cili u pa gjerësisht nga shumë veta si i diskutueshëm, pas certifikimit të 50 000 firmave të kërkuara, KQZ-ja vendosi t’ia përcjellë kërkesën Gjykatës Kushtetuese dhe Presidentit jo më herët se në janar 2013. Vendimi u bazua në një dispozitë të paqartë dhe disi kontradiktore të Kodit Zgjedhor, e cila duket se kërkon shtyrjen e kërkesës."- thuhet në raport.

Raporti i OSBE publikohet gati një muaj larg publikimit të progres raportit që Komisioni Europian pritet të bëjë në tetor, dhe mbi të cilën do të varet nëse Shqipëria do të marrë ose jo statusin e vendit kandidat për në BE.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Aksident në Fushë Milot, 38 vjeçari me makinë përplaset me 2 mjete! Tre pasagjerët e njërës prej tyre përfundojnë në spital

Aksident në Fushë Milot, 38 vjeçari me makinë përplaset me 2 mjete! Tre pasagjerët e njërës prej tyre përfundojnë në spital