TIRANE - Ulja e humbjeve të energjisë elektrike mbetet sfida e OSHEE edhe pse treguesit flasin për ulje të ndjeshme, që llogaritet në 10% në cdo muaj, krahasuar me të njejtën kohë të dy viteve te fundit.
Në Janar niveli i humbjeve arriti në 36,68%, në Shkurt 31.8% dhe muaji Mars me 32.89%.
"Në secilin prej këtyre tre muajve, krahasuar me të njëjtën periudhë të viteve 2014 dhe 2013, ulja është mbi 10%", thonë burimet zyrtare të OSHEE-së.
OSHEE nis së afërmi investimet, që për vitin 2015 arrijnë në 5.8 miliard lekë investime. "Kanë nisur procedurat e para të prokurimeve dhe projektet të cilat do të nisin shumë shpejt", thanë burimet e OSHEE-së.
Investimet përfshijnë 991 milionë lekë në ndërtim nënstacionesh, 2.73 miliardë lekë në ndërtim rrjeti të tensionit të mesëm dhe kabina transformimi, 820 milionë lekë në ndërtimin e rrjeteve të tensionit të ulët dhe ABC, janë 711 milionë lekë që do të investohen në sistemin e matjes së energjisë së konsumuar dhe 600 milionë lekë në fushën e IT-së.
Me këto investime, OSHEE përllogarit që të ketë një reduktim të humbjeve teknike dhe jo-teknike në masën 4%./ATSH/