Ndërsa në Shqipëri, ndonëse pranohet që ritmet e zhvillimit janë realisht të vonuara në krahasim me hapësirat dhe horizontet e Perëndimit, ku hidhen sytë, përsëri vihen në përdorim të gjerë, shpesh të gabuar, terma anakronikë të leksikëve politikë. Në këtë vorbull keqkuptimesh, pa dyshim që kanë ndikim edhe mediat, të cilat me formatet e shtypit dhe transmetimet e tyre në vend që të bëjnë korrigjimet e përshtatme, nuk rrijnë pa shoqëruar dhe përsëritur llomotitjet e ca politikanëve, që as nuk janë shquar dhe as nuk mund të shquheshin për një kulturë të mirëfilltë politike, përveçse asaj të zënkave të kahershme të provincave të thella në kohën e regjimeve totalitare, ku shumica prej tyre janë lindur dhe edukuar.
Le të mos zgjatemi si shumë dhe ta përqëndrojmë vëmendjen në këto pak rradhë vetëm te dy terma, që nuk ka ditë të mos na i zërë veshi me tepri të tejskashme: “të djathtët” dhe “të majtët”. Pra, mjafton të përmendim ndarjen, që bëhet edhe sot, në “partitë e djathta” dhe “partitë e majta”, në “ish qeverinë e djathtë” dhe në “qeverinë aktuale të majtë”, në “deputetë të djathtë” dhe në “deputetë të majtë” etj. Një ndarje e prerë me thikë, ashtu sikurse ende përgjithësisht në masë gjërat dallohen vetëm me ngjyrat bardh e zi, pa vërejtur nuancat e ndryshme që mbushin dhe duhet të mbushin jetën komplekse në zhvillim të pandërprerë.
Por, çfarë mund të kuptojmë sot me parti ‘të djathta’ apo ‘të majta’, me politika të djathta apo të majtë? Në të vërtetë, kushdo që njeh pak a shumë historinë e kalimit nga Mesjeta në Kohën e Re, si edhe traditën e shteteve që nga kjo periudhë, menjëherë i kujtohet që kjo terminologji është e trashëguar nga Revolucioni francez. Konkretisht, në maj të vitit 1789, mbreti i Francës thirri Asamblenë Kushtetuese me përfaqësues të klerit, të fisnikërisë dhe të klasës së tretë. Në të djathtë të kryetarit të Asamblesë u renditën kleri dhe fisnikëria, kurse në të majtë të tij u renditën përfaqësuesit radikalë. Kjo renditje u përsërit edhe gjatë Konventës Kombëtare (1792). Që nga ajo kohë mbeti që të djathtë konsideroheshin përfaqësuesit konservativë dhe të majtë ata radikalë.
Edhe gjatë zhvillimeve të mëvonshme, me ndryshimet në sistemet ekonomiko – shoqërore apo të nuancave që përvijonin këto nryshime, nuk mund të thuhet që termat e mësipërm nuk u përdorën. Madje, përdorimi i tyre pati një jetgjatësi të shënueshme. Derisa, pas Luftës II Botërore, gradualisht ato nisën të “bien nga fuqia”, duke lënë të rezistonin më së tepërmi sinonimet e tyre, pra: ‘konservatorë’ dhe radikalë’. Por edhe këto, më së shumti në vendet me pluralitet tradicional dhe kulturë politike të qendrueshme. Ndërkohë, edhe në plot vende të tjera ku jeta mori një zhvillim të madh dhe përmbajtja e shtetit moto të re (“Themeli dhe kufiri i veprimit të shtetit është e drejta”), ku dinjitetit të njeriut iu njoh një vlerë absolute, prej së cilës nisi të buronte në rrafsh ndërkombëtar respektimi jo vetëm i dy kategorive disi më klasike të të drejtave themelpre, por edhe ajo e quajtur e “gjeneratës së re” (të drejtat e mjedisait etj,), në këto kushte gjithashtu arenat politike njohën “klasifikime” të tjera.
“Klasifikime” që i tejkalonin përfytyrimet për vetëm dy krahë të trupit politik të një vendi. Prandaj, nuk është trajtuar si i çuditshëm dhe nuk komentohet si i tillë fakti që në shumë shtete të Evropës, madje aktualisht edhe të Rajonit ballkanik, në legjislatura të ndryshme jo rrallë mazhorancat parlamentare zgjidhen dhe qeveritë përbëhen nga përfaqësues të forcave politike të një spektri të gjerë, nga e djathta në të majtë apo anasjelltas.
Kurse në Shqipërinë e fillimeve të pluralizmit politik, më saktë, të fillimeve të pluripartitizmit, si edhe në vijim u trumbetuan dhe u veprua për t’i ruajtur si të paprekura termat e vjetra, kur në shtetet e civilizuara ato po konsideroheshin të vjetëruara. Në këtë tablo duket me të vërtetë anakronike që pas 225 vjetësh të përdoret vendqëndrimi i deputetëve të dikurshëm si kriter për identifikimin e prirjeve politike të deputetëve të sotëm. Duke qenë se një terminologji e tillë, qoftë dhe për arsye të një plogështie intelektuale, vazhdon të përdoret edhe sot, mos vallë u jepen vlera reale partive politike, duke i quajtur thjesht ‘të djathta’ dhe ‘të majta’, kur vlerat e tyre maten me programet që mbartin, me aleancat që krijojnë dhe me veprimet që kryejnë? Më tej, përkrahësit e kthimit të pronave pronarëve të ligjshëm duhet të cilësohen ‘të djathtë’ apo ‘të majtë’, kur ligji nr. 7501 “Për tokën”, që nuk lejonte kthimin e pronës atij që kishte qenë pronar i ligjshëm nuk mund të cilësohet si ligj ‘i djathtë’ apo ‘i majtë’?
Me këtë pyetje mund të vazhdohet për mjaft akte juridike të tjera, që e kufizojnë seriozisht përdorimin e terminologjisë tashmë të vjetëruar edhe për kushtet e Shqipërisë. Për kushtet, kur në prag të përftimit të statusit të Shtetit kandidat për në Bashkimin Evropian, këtu nevojitet ndërmarrja pa humbur asnjë vit kohë e reformave të thella në shumë fusha, që i interesojnë zhvillimit të krejt vendit, të të gjithë popullit. Në këtë kuptim, nuk ka asnjë bazë abrogimi i deputetëve opozitarë në këtë proces jetik për të sotmen dhe sidomos të ardhmen e Shqipërisë. Këto nuk mund të quhen reforma ‘të djathta’ apo ‘të majta’, formulimi ligjor i të cilave të përjashtojë forcat politike sipas emërtimeve anakronike. Për t’u përballur me sfidat që qëndrojnë përpara, më shumë se sa termat ka rëndësi krijimi dhe rrënjosja e një mendësie të re, edhe në ato raste kur kjo nuk u përshtatet interesave të ngushta partiake të ditës. E një mendësie të re dinamike, gjithmonë në zhvillim, ashtu sikurse e drejta nuk mund të ekzistojë pa u ndërvarur nga jeta që synon të displinojë.
Shkrimi u publikua sot 30 prill 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)