'Pa Gjurmë' rindërton shtëpinë rrënuar nga tërmeti falë donacionit të emigrantit shqiptar, momenti kur nëna e jetimëve përulet live
Falë një emigranti shqiptar në Spanjë, i quajtur Martin u mundësua ndërtimi nga e para e banesës, në Kërrabë të Tiranës, aty ku jeton nëna bashkë me tre djemtë.
Redaksia 27 Korrik 2020, 19:11 | Përditesimi: 27 Korrik 2020, 19:39
Historia e nënës së tre fëmijëve jetim, që trokiti në emisionin ‘Pa gjurmë’, në prill të këtij viti, me një apel për ndihmë, pasi tërmeti i 26 nëntorit ia shembi shtëpinë është një ëndërr e bërë realitet. Falë një emigranti shqiptar në Spanjë, i quajtur Martin u mundësua ndërtimi nga e para e banesës, në Kërrabë të Tiranës, aty ku jeton nëna bashkë me tre djemtë. Për këtë gjest kaq human për Flutura Dedën, apeli i së cilës erdhi në muajin e shenjtë të Ramazanit, ajo nuk gjen fjalë për të përshkruar me lot gëzimi atë që ndien, sot.
"Më duket ëndërr kur kthej kokën dhe shoh shtëpinë. ishte sit ë shihja fëmijët të vdekur para syve, ishte një tmerr i vërtetë por ja që zoti të jep të keqen dhe të mirën. Falë donatorit Marin dhe emisionit 'Pa Gjurmë' ëndrra u bë realitet. Ju falënderoj shumë. Falë jush fëmijët e mi u ringjallën, pasi ato ishin të vdekur. Ato ishin pa bukë, dhe tavani iu binte mbi kokë. Të gjithë përulen para kishës dhe xhamisë, unë përulem ndaj jush", përlotet nëna e tre djemve.
Ende e pabesueshme për këtë familje, që lindjen e diellit ta presin nga dritaret e kësaj banese pa frikën se çatia mund t'u bie mbi kokë.
"Jam shumë i lumtur dhe e falënderoj donatorin, i cili na ndërtoi shtëpinë. Më përpara ishim në një kasolle. Faleminderit shumë për ndihmën dhe që na bëri ëndrrën realitet", thonë dy djemtë e Fluturës.
Falë nismës së Report Tv, shtëpia nisi që nga themelet e deri në përfundimin e arredimit të brendshëm të saj, që nga momenti kur shqiptari nga Spanja ofroi 100 përqind të vlerës për ndërtimin e shtëpisë, për të cilën Bashkia e Tiranës nuk vonoi për të dhënë lejen për ndërtim. U deshën plot katër muaj që gjithçka të përfundonte dhe shtëpia të ngrihej në këmbë.