Padia, ish zv/kryeministri-Nishanit: 
Ku të punon tezja megafon i mjerë?

Padia, ish zv/kryeministri-Nishanit: <br />Ku të punon tezja megafon i mjerë?
Ish-zv/kryeministri Bashkim Kopliku, i është përgjigjur në rrjetet sociale Bujar Nishanit me një shkrim të botuar 11 vite më parë, pas padisë në gjykatë të këtij të fundit, për një shkrim të disa muajve më parë. 

“Po ju dërgoj bashkëngjitur një shkrim të para 11 vjetëve, “Nuk futet minarja në thes”, botuar tek Gazeta Shqiptare, më datë 08.05.2006.  Mendoj se është shumë aktual, ditën e gjykimit tim për padi të po këtij zotërie, Bujar Nishani.

Unë nuk e kam pasur paditur Nishanin, para 11 vjetësh, por i jam përgjigjur publikisht.  Ai, edhe atëherë nuk pati kurajën të përgjigjet publikisht, si dhe sot …

Nuk futet minarja në thes

Nga Bashkim Kopliku*

Po përsëris një titull të përdorur vite më parë në një shkrim ku përgjigjesha për disa shpifje banale të kohës, që përsëriten sot prapë nga deputeti Bujar Nishani. Më datën 7.5.2006, në GSH, z. Nishani, replikon ndaj shkrimit tim me titull “Komisioni Sollaku—konflikt interesash”, të datës 6.5.2006. Por deputeti veçse i bishtnon kryesores, dhe pastaj edhe shpif. Faktet janë aq të mëdha, saqë nuk futen dot në thes!

Deputeti i bishton kryesores
Tema e shkrimit të replikuar është që z. Bujar Nishani ka tezen prokurore, prandaj ai ka konflikt interesash. Ai nuk i përgjigjet kësaj, gjë që në paburrërinë e tij përkthehet: “po, tezja ime është prokurore vartëse e z.Sollaku”.

Shkrimi ynë merret pikërisht me tezen, e pothuaj nuk merret me vëllanë e tij: vëllanë e përmendim shkarazi vetëm në paragrafin e pestë të shkrimit, meqë siç shkruajmë, “dëgjojmë fjalët më të mira” për të. (Tezja po, ajo përmendet 7 herë në shkrim, e që në paragrafin e parë). Mbase z. Nishani po tallet me lexuesit, duke bërë sofizma me emërtimin zytar të postit të të vëllait në Prokurori?! Emërtimi zyrtar i postit të tij është, “oficer i policisë gjyqësore në Prokurorinë” e një rrethi—post që në shqipen e përditshme gjithkush shkurt e quan prokuror: “Ali hoxha, hoxhë Alia”.

Nuk duam të hedhim në shtyp emra njerëzish që nuk kanë asnjë lidhje direkt me çështjen, prandaj nuk po i përmendim me emër tezen dhe vëllanë e z Nishani, por po i desh qejfi, mund të paraqitet në redaksinë e Gazetës Shqiptare, dhe të marrë të emrat e personave në fjalë, nëse blofet e tij të paturpshme shkojnë kaq larg.

Ky deputet, sado sofizma të bëjë, nuk e nxjerr dot veten nga konflikti i interesave, nuk e shpëtojnë dot as “dallimi në mes oficerit dhe prokurorit”, as premtimet se ai “do të shohë ligjin ”ndaj “çdo individi me pushtet që dhunon ligjet e vendit, për çdo vëlla, …., teze…”, prandaj amani mo, lëreni në komision. Jo, edhe për ushtarin e bindur Nishani, ligji është njësoj, dhe e detyron të lërë komisionin, me gjithë vajtimin e tij për “devotshmërinë”: ai ka konflikte interesi, dhe pikë.

Shpifjet
Nuk duhet që politikanët të merren me biografitë e analistëve të shtypit, pra as me timen, që tani jam thjeshtë një analist! Kjo marrje me biografitë, është një formë shantazhi ndaj lirisë së shtypit, aq shumë të propaganduar nga kryeministri aktual: “me të thënë e me të bërë na ndan një mal i tërë”! Detyrohem t’i përgjigjem, në respekt të votuesve të mi të dikurshëm, aq më tepër që z. Nishani është thjesht një megafon i mjerë i kryeministrit aktual.

Kanë vite që mblidhen tufë të gjithë ata që ndërsejnë z. Nishani, e jo vetëm që nuk kanë gjetur dot, por as kanë sajuar dot më asnjë shpifje që tua besojë njeri, asnjë veprim apo mosveprim të vetëm të tillë nga unë: asnjë “aferë korruptive”, asnjë “vjedhje, kontrabandë apo mbështetje të grupeve a individëve kriminal” [mungesa e shkronjës /ë/ në fund të numrit shumës të fjalës “kriminal” është e vetë z. Nishani]—i bajatën njerëzit me to! Ky vazhdim i shpifjeve thjeshtë e bën të pabesueshme çdo akuzë të tyre publike edhe kundër të tjerëve, edhe kur mund të jetë e drejtë.

Një person quhet i padënuar, për një faj të kryer 14 vjet më parë, për të cilin është dënuar atëherë me 2 muaj burg dhe që e ka kryer atë të plotë. Nuk ka se si të jetë në një komision hetimor një njeri që pranon të ndërsehet sa mos të respektojë normat elementare juridike, si z. Nishani, saqë përmend publikisht një njeri që zyrtarisht tashmë është “i padënuar”, djali im. Sidoqoftë, kjo është Shqipëria e të ndërsyerve si z. Nishani, e më duhet të jap përgjigje. Po, djali im është dënuar kur ka qenë adoleshent me dy muaj burg, e kur unë kam qenë zëvendëskryeministër i vendit! Por, karriera ime nuk është ndërprerë nga ky fakt. Në vijim, po jap disa hollësi që nuk është hera e parë që publikohen:

Ngjarja që ai përflet i përket tetorit të vitit 1992. Me të mësuar ngjarjen kam njoftuar menjëherë ish presidentin, kryeministrin aktual, dhe kam vajtur e i kam paraqitur dorëheqjen. Ka këmbëngulur e më ka bindur të vazhdoj të qëndroj në detyrën e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të rendit publik, duke më vënë në sedër për të mos u shmangur nga detyra e vështirë e ministrit të rendit publik, duke e konsideruar ngjarjen “punë kalamajsh” e “grackë e ngritur nga opozita”. Unë vetë kisha urdhëruar të kryheshin veprimet në zbatim të ligjit, kundër fëmijës sime.

Fakti është se edhe pas kësaj ngjarje, kam vazhduar të mbaj postin e zëvendëskryeministrit edhe dy vjet e tre muaj të tjera!

Po argumentoj më tej, megjithëse edhe sa thashë, normalisht do të ishin të mjaftueshme:

1-Pas asaj ngjarje, jam dekoruar në mars të vitit 1993 me Urdhërin e Lirisë të Klasit të Parë, me firmën dhe këmbënguljen e presidentit sot kryeministër. (Kjo ishte dekorata më e lartë që ka dhënë ish-presidenti për politikanë).

2-Pas asaj, në mars të 1993 jam riemëruar zëvendëskryeministër i vetëm i qeverisë.

3-Pas asaj, në fillim të vitit 1995, me “kalimin tim nga zëvendëskryeministër në një detyrë tjetër të rëndësishme” jam përcjellë publikisht nga ish-presidenti me lëvdata të tipit “Zoti Kopliku ka qenë padyshim një nga promotorët e reformës, ka dhënë një kontribut të çmueshëm në….”.

4-Pas asaj, jam emëruar në krye të reformës ekonomike, duke lënë postin e Kryetarit të komisionit të ekonomisë dhe financave të Kuvendit të Shqipërisë, vetëm në mesin e vitit 1997.

5-Pas asaj, për pesë vjet me radhë jam zgjedhur anëtar i Kryesisë së PD.

6-Pas asaj, në vitin 1996 jam zgjedhur deputet në zonën elektorale që përfshin Vuçidolin, fshatin e lindjes së ish-presidentit, me këmbënguljen e tij!

Po të isha i korruptuar e po të bëhesha ortak me të në djegien e Shqipërisë e në instalimin e diktaturës në PD, ai, kryeministri aktual, do të më mbante në krahë, e z. Nishani do të ishte sot duke m’u lëpirë në mënyrën e tij të pështirë.

Theksoj, se kam përmendur vetëm fakte të njohura publikisht, dhe kam heshtur për çdo lloj fakti konfidencial që kam mësuar gjatë detyrave të mia shtetërore, qoftë për z. Nishani, qoftë për rrethin e tij të afërt e qoftë për të gjithë tufën rreth kryeministrit. Konfidencialitetin do ta ruaj në vazhdimësi, sido që t’i vijë puna, edhe po të më leverdisë ndryshe, sepse është detyrim ligjor imi!

* Gazeta Shqiptare, 8.05.2006, ky tekst ka ndryshime të vogla redaksionale me atë të botuarin"



 

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Aksident i rëndë në Korçë, makina zë poshtë të riun që po lëvizte me skuter

Aksident i rëndë në Korçë, makina zë poshtë të riun që po lëvizte me skuter