Fillimisht lojtarët refuzuan të dilnin në stërvitjen e paraditës, ndërsa klubi zgjodhi të mos reagonte. Në këto kushte u vendos një tjetër stërvitje në orën 16:00, por sërish situata nuk ndryshoi. Në fushën stërvitore të ‘Reshit Rusit’ u stërvitën vetëm lojtarët e ekipit U-19, ndërsa zgjidhja që lojtarët pretendojnë me klubin duket larg.
Kjo situatë e rëndë vjen vetëm pak ditë pasi Vllaznia shkarkoi trajnerin Edi Martini dhe emëroi hungarezin Csaba Laszlo. Pas 5 javësh kampionat Vllaznia renditet në vendin e fundit me vetëm 2 pikë, ndërsa me ardhjen e trajnerit të ri u mendua se situata do të ndryshonte.
Mësohet se te Vllaznia shumica e futbollistëve kanë 4 muaj pa u paguar, ndërsa për situatën flitej shpesh në dhomat e zhveshjes. Vendimi drastik vjen pasi lojtarët nuk kanë më besim te drejtuesit, me në krye presidentin Alban Xhaferi. Ndërkohë ditën e sotme është folur edhe për largimin e drejtorit sportiv Vioresin Sinani, por ky i fundit mohoi duke thënë se ‘është në kontratë me klubin’.
Ndeshja e radhës për Vllazninë do të jetë të dielën në Loro Boriçi, teksa shkodranët presin Dinamo City-n.











Komente
Komento