Pak krijime origjinale bëhen në TKOB, ja ç’po ndodh me koreografinë

Pak krijime origjinale bëhen në TKOB, ja ç’po ndodh me koreografinë

*Nga Albert Janku

Jetojmë në kohë të rënduara, me ngjarje të cilat ndikojnë në atë se si dhe qysh do të jetohet në të ardhmen. Mbi të gjitha shqetësuese dhe tronditëse është lëvizja largimi dhe zhvendosja e popullsive në vende të tjera, ku ato detyrohen dhe mendojnë se mund të jetojnë më mirë. Ata kanë marrë arratinë nga vende ku pasojat e korrupsionit dhe luftërave shkaktojnë dhe lënë pas shkatërrim dhe varfëri, terror dhe kaos. Njerëz që largohen me pikëllim të madh në shpirt dhe sy, ndërsa lënë pas dheun ku lindën e u rritën dhe nesër kudo që do të jenë do ndjejnë peripecitë e emigrimit të përjetshëm.

Prag tragjedie është kjo dramë që po përjetohet me dhimbje në një pjesë të botës. Ngjarje këto që diskutohen në mjedise mediatike, në shoqëri dhe familje. Qytetarë të botës kudo janë e përjetojnë këtë thamë sikur të ketë ndodhur në vatrat e tyre.

Artistët si qenie me ndjeshmëri të lartë memorizojnë në vepra dhe spektakël këtë fenomen dhe të tjera aspekte të jetës, vepra këto të një forme të ndryshme nga ato që shohim shpesh. Bëjnë pjesë dhe ato balete të mëdha të cilat shprehin me energji dhe art të vërtetë sakrificat e mëdha, dramën e thellë psikologjike dhe historisë së shkuar të këtyre popujve.

E gjitha kjo shprehet me anë të potencialit dhe bukurisë së gjuhës së trupit të kësaj gjinie dhe shpesh në frymën epike që dallohet në artin popullor të këtyre popujve.

Autori dhe regjisori i Hollivudit, Vudi Alen ka tipizuar kështu kërcimin (baletin) që zhvillohet etapë pas etape në mënyrë graduale: “Kërcimi”, thotë ai, “ është manifestim vertikal i një dëshire horizontale”. Sipas tij dëshira horizontale shprehet në mënyrë vertikale dhe është forma që kanë zgjedhur koreografët të krijojnë dhe kërcimtarët të shprehin. Këto dy trajektore vertikale dhe horizontale mundësojnë që struktura dhe forma në koreografi (balet) të jenë të larmishme, të gjera e gjithëpërfshirëse. Hapësira, koha, lartësia dhe largësia në një vepër baleti ndikojnë në zhvillimin e saj dhe e bëjnë atë të jetë komunikuese me shikuesit, kur vetë koreografia është në sintoni me idenë e autorit për të realizuar muzikën dhe qëllimin e koraleve gregoriane.

Me muzikë të kërkuar dhe kuruar në thesarin e koraleve gregoriane dhe fondit të muzikës simfonike, instrumentale, mbështetur në motivet popullore, trupa e baletit, “Herve Koubi Compani”, themeluar në fillim të viteve 2000, ka zgjeruar kohët e fundit repertorin e saj me vepra të një koreografie dhe paraqitjeje të ndryshme nga ato që kemi parë në trupa dhe balete të tjera bashkëkohore. Janë pjesë gjithë-ngjyrash e të papriturash dramatike,të frymëzuara nga ajo që po ndodh edhe nga shembja e skemës së vlerave, e tronditjes shpirtërore e njerëzve, krijime emocionuese të realizuara nga ndërthurja apo miksimi i kohës me historinë.

Vlera e vyer e traditës në kërcim vihet re gjatë këtyre performancave në mjetet shprehëse të gjuhës, ku dallohet afrimiteti dhe impresioni i fituar nga vështrimi në thellësi i autorit, jo vetëm në traditën por në evolucionin që po përjeton prej dekadash arti i kërcimit e koreografia mbarëbotërore. Koreografi Herve Koubi dhe bashkëpunëtori i tij Guillerme (i pari me origjinë algjeriane) të inspiruar dhe nga pikturat orientale të lashta, kanë mëshiruar idetë e tyre me figurat ekspresive të grupeve të kërcimtarëve, të cilat ngjasojnë me gravurat e basorelievet për nga lëvizjet dhe figurat impresioniste të gjymtyrëve. Me plastikën e trupit të tyre kërcimtarët transplantojnë në koreografi idetë e pikturave e gravurave të hershme. Kërcimtarë që mbajnë veshur në trup vetëm fustanella të ngjashme me ato të vendeve afrikane, të cilat na kujtojnë fustanellat e artistëve shkodranë dhe të piktorëve të huaj të shekullit të nëntëmbëdhjetë.

Balete të thurura me shumë episode, që në përmbajtjen e tyre dhe në shprehjen e formës (gjuhën koreografike) dallohet gjendja shpirtërore e njerëzve, e dominuar nga një peshë jo e vogël dramaciteti e dëshpërimi, si dhe nevoja për të dalë nga kjo gjendje paradoksale dhe shokuese. Meditimi, shpërthimi, përpjekja dhe këmbëngulja dinjitoze për ekzistencë dhe integritet. Këto ide përçohen në disa nga baletet e repertorit të kësaj trupe si “Le Golen”, “Ce que le jour dit a la nuit”, “Fantasie” etj. Kërcimtarë që zotërojnë teknikë të lartë profesionale, të cilët shprehin me lehtësi një gjuhë të pasur e elokuente, dhe zgjerojnë çdo ditë gamën e kërcimit e interpretimit. Artistë virtuozë që me aftësitë e tyre vënë në vështirësi cilindo krijues kur punon me to.

Krijimtari e pasur me fantazi dhe larmi lëvizjesh; koreografi ku frymojnë së bashku të miksuara vallëzimi klasik, akrobatik, kërcimet ‘street dance’, hip-hop, kërcime vite më parë të paimagjinueshme që zgjerojnë gamën e artit mbarëbotëror. Muzika dhe ritmet i japin shkathtësi lëvizjeve virtuoze të gjymtyrëve dhe trupit. Rrotullimet (piruetat) e kërcimtarëve me kokën dhe herë-herë me shputën e dorës të vendosur në parketin e skenës, ngjasojnë me piramidat e përmbysura, me majën poshtë dhe këmbët lart.

Balerinët në këtë tekst koreografik shprehin jo vetëm virtuozitetin e tyre super por gjithashtu edhe ndjenjat e fuqishme që përjetojnë nga gjendja shpirtërore e njerëzve të thjeshtë, nga situata dramatike që po ndodh me vendin dhe historinë e tyre. Këta artistë shfaqin me art dhe mjeshtëri interpretimin e ngrohtë e gati të magjishëm që emocionon çdo audiencë.

Pa pretenduar se kam mundur të kuptoj krejtësisht ç’kanë dashur të thonë autorët në veprat e tyre, nga ajo që pashë e dëgjova mora ndjesi emocionuese që më lanë mbresa të thella, të cilat doja t’i shprehja e t’i diskutoja me dikë, prandaj ula të shkruaj për atë që mund të arrihet të shprehet nga komunikimi i artit bashkëkohor me shikuesin, kur krijuesit kanë hapësirë dhe mjedis të kulturuar për të realizuar vepra e tematika pa limit. Fenomene të tilla që provokojnë apokalipse e tronditje të thella në jetën e popujve të cilat janë vetëm pasoja të mosveprimit të institucioneve shtetërore dhe një pjesë të shoqërisë që kanë neglizhuar dhe lënë pas dore dinjitetin dhe të drejtat themelore të njerëzve, duke i mohuar lirinë e barazinë e mundësinë për të jetuar e punuar në vendin e tyre.

Përpjekja për integritet, duke i dhënë baletit vlera kombëtare

Ky impresion më përforcoi idenë që dhe baleti ka vlera të pafundme për të shprehur dhe të përçojë ide kaq të rëndësishme, të cilat duan një trajtim më të thellë, më të kuptueshëm e të komunikueshëm, njëlloj si fjala dhe peneli që depërtojnë më me lehtësi te shikuesi e dëgjuesi.

Ndoshta dikujt mund t’i duket se piruetat me kokën ose shputën e dorës  në tapetin e skenës janë vetëm shprehje e mjeshtërisë së lartë të kërcimtarit!? Ndoshta në kohën e “street dance” mund të ketë pasur këtë efekt. Në këta balete e krijime ky lloj rrotullimi unikal është një element i rëndësishëm dhe ka ndihmuar koreografët të trajtojnë e të japin figuracionin e një fuge simbolike që në mes njerëzve nuk ndalon së rrotulluari, ndërsa të tjerë kërcimtarë vazhdojnë të lëvizin me shprehje dhe lëvizje që rrotullimi t’i ngjajë përpjekjes së tyre. Vazhdimësia nuk ndalet, jeta vazhdon, koha ecën. Këtë integritet, vendosmëri dhe përpjekje për ekzistencë trupa e kërcimtarëve e shpreh me lëvizjet e saj dhe fugës së rrotullimeve, për të mos u ndaluar së kërkuari rrugën që duhet ndjekur për të fituar, për të ripërtërirë dhe për të lulëzuar të ardhmen.

Gjithë këtë veprim dhe atmosferë e ndihmon tonaliteti i ngjyrave të munguara në ndriçimin e skenës. Dominon bardhësia dhe errësira. Drita dhe nata në skenë, e përqendruar mbi trupën e baletit, së bashku me veprimet skenike, shpreh dramën e madhe psikologjike të shoqërisë dhe të individit në veçanti. Malli i pashuar e i përndezur në shpirt është shkaktuar nga diktati, terrori padrejtësia dhe luftërat, që i detyrojnë këta njerëz të kërkojnë hapësira të reja, tokë tjetër për të jetuar sepse nuk kanë mënyrë tjetër, ata shkojnë nga nata në dritën e paqartë, për t’u identifikuar si “Refugjatë”.

Lëvizjet e gjuha koreografike në tokë e në ajër, të inspiruara në vetitë më të mira të kërcimit klasik, popullor akrobatik ose ‘street dance’ të mishëruara si një simbiozë solide, inkorporojnë gjendjen e sotme psikologjike me historinë, me pasurinë e traditës, me vështirësinë e përgjithshme që mund të shprehë kurajën, forcën dhe besimin për të mos rënë në pesimizëm, për të ripërtërirë e të mos lënë veten në errësirë, por për t’u munduar të gjejnë qoftë dhe në vende të tjera dritën e vërtetë. Krijimtaria e kësaj gjuhe shprehëse kuptohet që është ndikuar nga eksperienca dhe eksperimentet e koreografëve, për të arritur një gjuhë shprehëse artistike, të përafërt me një eksperiment të suksesshëm shkencor. Sipas meje këto janë ide të mishëruara në disa balete të kësaj kompanie , siç vihen re në baletin “Le Barbar” /Netë barbare, ku koha dhe hapësira ndjehen e shprehen në një gamë të veçantë dhe origjinale në stil e në formë. Kjo dukuri dhe bagazh i pasur është fituar edhe nga larmia e madhe e kërcimeve popullore të të gjithë botës.

Ashtu siç shprehet Udi Alen që kërcimi është manifestim vertikal i një dëshire horizontale, po ashtu mund të arsyetohet që lart e larg, këto dy trajektore që nuk kanë limite ndihmojnë që autorët të synojnë me artin e tyre të prekin e të zhvillojnë magjinë e shprehjes në balet.

Koreografia në vallen e baletit kombëtar shqiptar përgjatë dekadave

Njihet tashmë zhvillimi i koreografisë në vallen e baletin kombëtar shqiptar përgjatë dekadave, po ashtu dhe repertori i shtuar në dekadat e fundit me baletet klasike e moderne. Këto të fundit në pjesën më të madhe janë krijime të autorëve të huaj. Akoma sot numri i shfaqjeve të krijuara nga autorë shqiptarë është i munguar. Prej kohësh në Teatrin e Operës e Baletit nuk ofrohen koreografë vendas që do të dëshironin të realizonin krijime bashkëkohore të veprave të tyre, ku të mos mungojë karakteri dhe fryma popullore.

Pak krijime origjinale zënë vend në TKOB gjatë dekadave të fundit ndaj natyrshëm pyetet: Mos vallë kjo ndodh nga mungesa e koreografive apo është më lehtë të vësh në skenë kryevepra në plagjiaturë apo redaktime që të ndjellin keqardhje kur lexon në reklama autorë të paqenë. Nuk duhet heshtur kur ndodh kështu sepse kjo është një mënyrë e padenjë që frenon dhe dëmton krijimtarinë, zhvillimin e saj në artin tonë. Duhet menduar e menaxhuar me seriozitet më të madh, që ky fenomen i trashëguar të dalë nga mentaliteti dhe praktika e cilitdo. Ato pak vepra origjinale që u krijuan deri tani nuk e mbulojnë dot këtë shterpësi që po kalojmë. Krijues të dedikuar dhe seriozë duhet të jenë në krye të trupave artistike në shkollat dhe institucionet që kanë aftësi për t’u përballur me mediokritetin dhe paaftësinë. Të jenë artistë me eksperiencë, talent e kulturë të mëvetshme, të angazhuar me vullnet të madh për të sjellë begati në këtë thatësirë e shterpësi.

Dikush mund të thotë: Ku janë këto koreografë? Ata janë këtu mendoj unë, në Shqipëri dhe në vendet ku kanë emigruar. Ata punojnë në mjediset e artit e kulturës, japin mësim, krijojnë për aq sa janë mundësitë për të krijuar në Teatër, Ansambël, stacione televizive, apo shkolla e institucione me lidhje të pakta me kulturën. Është detyrë e drejtuesve të kulturës e të artit të bien në kontakt me cilindo nga ata që kanë dhënë prova dhe shkëndija të vërteta. Drejtuesi i trupës artistike duhet të jetë një menaxher dhe inspirues shpirtëror, për të krijuar hapësirën e daljes nga ky ngërç dhe të bindet se strategjia e menduar për repertorin e ardhshëm do të gjejë veten e saj.

Të zgjedhurit, qofshin këto koreografë apo kompozitorë duhet të jenë artistë dhe krijues që ndjejnë dëshirë dhe dhimbje për atë që shihet qartë nga cilido që e njeh mirë këtë art të bukur.

Duke mos vështruar dhe duke heshtur kur ndodhemi përballë këtij paradoksi, unë mendoj se në këtë rast reagimi i artistëve të përkushtuar t’i japë jetë ideve të reja, dhe në mënyrë të natyrshme t’i hapet rruga inovacioneve, duke pasur mbështetjen nga ata që drejtojnë e mendojnë me seriozitet për të ardhmen e artit në vendin tonë.

Nuk mungojnë të talentuarit te ne

Nuk mungojnë të talentuarit te ne, por ka dhe të tjerë me përvojë që duan të krijojnë në folenë ku u rritën dhe u formuan me kujtimet dhe interpretimin e tyre. Nuk mjafton vetëm administrimi burokratik dhe publiciteti pa fre i ngjarjeve që nuk kanë jehonë dhe jetë në skenë. Nuk është art dalja në televizione duke folur për arritje të paarrira pasi këto nuk ndihmojnë për t’u ngritur por të lënë me këmbë në ujë.

Artin e vërtetë e bëjnë artistët e talentuar që janë në kontakt të përditshëm me zhvillimet jo vetëm të muzikës, koreografisë, dramës e letërsisë, por dhe me atë çfarë ndodh në botë, kontaktin me njerëzit, zhvillimet e shoqërisë, teknologjinë dhe ndërgjegjen e njerëzve. Artistë që mendojnë ditë e natë për imazhe të reja, të cilat mund të realizohen në skenë pa mbështetjen e shtetit.

Habitesh dhe indinjohesh kur shikon që në ndonjë ‘show’ të suksesshëm vallja e kërcimi popullor, kaq i bukur dhe i përhapur në tërë vendin, performohet në mënyrë të gabuar e të banalizuar. Larmia e madhe dhe e pasur e hapave dhe e intonacioneve popullore ishin neglizhuar në këtë ‘show’, e pothuaj transformuar në një masë heterogjene që e ka vendin në koshin e izmave dhe eklektizmit diletantest.

Është për t’u duartrokitur puna shpeshherë shumë e arritur e trupave të baletit të televizioneve, por do të ishte më origjinale nëse në krijimet e tyre të mos mungonin elemente të kërcimit popullor. Për të mos u keqkuptuar, fjalën e kam te përfshirja e intonacioneve dhe frymës së këtij kërcimi dhe jo thjesht kërcimin autentik popullor që e bëjnë mjaft mirë grupet folklorike të Ansamblit Popullor.

Ashtu siç krijohet e punohet profesionalisht në njësitë e mëdha koreografike bashkëkohore dhe në ilustrimeve inskenimeve moderne, në përmbajtjen e tyre duhet të ndjehet aroma dhe gjallëria e esencës së lëngut të kërcimit popullor, kaq i veçantë dhe me karakter.

Duke u kthyer në atë që u tha në fillim për krijimin e veprave të mëdha të baletit por dhe për vallen popullore në Ansamblin popullor, duhet kujtuar dhe bërë thirrje artistëve e koreografëve që kanë harruar të kërkojnë e të afrohen pranë teatrit Kombëtar të Operës e Baletit tempullin ku janë pagëzuar si krijues, koreograf dhe mjeshtër baleti, të afrohen me projekte e pikësynime që të ringjallin e të lulëzojnë bimët e mbjella.

Krijuesit e afirmuar s’duhet të jenë larg sallës së baletit

Në sallën e baletit dhe pranë teatrit, përveç të rinjve të talentuar në gjininë e tyre, mund të aktivizohen dhe krijues të afirmuar për të vazhduar artin e tyre, si Pëllumb Agalliu, Arian Sukriqi, Ilir kemi, Gjergj Prevazi, Kozeta Bakiu, Artan Theshmi, Manjola Hasani, Albi Nako. Gjithashtu dhe ata që iu mungon skenë e duartrokitjet e bashkatdhetarëve.

Edhe nëse nuk u ndërtua një teatër i ri i Operas e Baletit, pra të ishte godinë më vete dhe jo pjesë e pallatit të kulturës, uroj që dhe salla e rikonstruktuar të përurohet me veprat më  të mira.

Në repertorin e saj përveç baleteve dhe operave botërore, uroj të mos mungojnë vepra të krijuara nga autorë shqiptarë si të traditës dhe ata bashkëkohorë. Uroj të rilindin me dinjitet veprat e repertorit klasik kombëtar, të krijuar nga mjeshtrit më të shquar të artit koreografik e muzikor.

Një vepër kombëtare që është duartrokitur shumë brenda dhe jashtë vendit mund të ketë nderin të hapë fletët e historisë Teatrit me rastin e inaugurimit të sallës dhe skenës së rikonstruktuar.

Në repertorin e Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit të marrë jetë e të shkëlqejë krijimtaria bashkëkohore e artistëve tanë, pa shembur rendin e shëndoshë të vlerave të arritura.

Me guxim e kulturë vlerat dhe tematikat e reja të rrezatojnë shqetësimet, gëzimet e mendësinë e shoqërisë, ndryshimet ekzistenciale, materiale dhe shpirtërore të saj.

Të shprehen dhe të performohen në strukturën dhe idetë e veprave përpjekjet për të drejtën fondamentale të nderit, larmisë së fjalës, mendimit të lirë dhe komunikimit të hapur e të sinqertë.

*Mjeshtër baleti, Artist i Merituar

 

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni punën e qeverisë gjatë vitit 2024?



×

Lajmi i fundit

E rëndë në Durrës, gjendet i pajetë 82-vjeçari në banesën e tij, i moshuari kishte prerje thike në fyt! Policia nis hetimet, sekuestrohen pamje filmike

E rëndë në Durrës, gjendet i pajetë 82-vjeçari në banesën e tij, i moshuari kishte prerje thike në fyt! Policia nis hetimet, sekuestrohen pamje filmike