Gjykata Penale e Tiranës shpalli këtë të premte vendimin për ish-zyrtarët e Bashkisë Tiranë, lidhur me prishjen pa vendim Këshilli të një pallati në zonën e Kombinatit në kryeqytet, pas tërmetit të 2019.

Gjyqtari Gerd Hoxha gjeti fajtor vetëm dy të akuzuar, ndërsa dha pafajësi për 6 të tjerë. Me 9 muaj burg u dënua Shyqyri Maloku dhe me 6 muaj Aleksandra Mahmutllari, dënim që i konvertohet në shërbim prove.

Të pafajshëm u gjetën Aurel Boriçi, Aurel Çuko, Eleana Guçe, Sokol Qehajaj, Rexhina Rakipi dhe Fatmir Shiri. Për të gjithë këta prokurori Bledar Valikaj kishte kërkuar fajësi dhe dënim me kusht.

Një pallat i prishur në Kombinat janarin e 2020-s me mjetet dhe shpenzimet e Bashkisë Tiranë, u rifut në një tender bashkë me 14 ndërtesa të tjera që duheshin rrafshuar si të dëmtuara nga tërmeti. Prokuroria e Tiranës tha se pallati nr. 140 nuk ishte i vetmi, që dyshohet se u pagua për t'u shembur edhe pse ishte i rrafshuar, por edhe 5 ndërtesa të tjera.