Pallati që shoi dy familje në Durrës! Dëshmia e mësueses që shpëtoi nga një vrimë në dhomën e gjumit! Britmat rrëqethëse të 8-vjeçares: Gjyshiiii

DURRËS - Violeta Doda është një dëshmi e gjallë e tmerrit të përjetuar nga tërmeti që shkundi Shqipërinë të martën në 03:54 të mëngjesit. Ajo është 53-vjeçare me profesion mësuese, ndërsa punon edhe tek Kryqi i Kuq, që është shumë afër pallatit që u shemb, në lagjen 18 në Durrës.

Ajo ka mundur të dalë së bashku me dy fëmijët e saj dhe të emën nga një vrimë e mbetur e hapur në dhomën e tyre të gjumit.

1574894461_page.png

Hapësira nga gruaja shpëtoi familjarët e saj

Violeta është kryefamiljare dhe jeton me qira në një apartament në katin e dytë. Në momentin e tërmetit ajo thotë se ka qenë në gjumë me njërin nga fëmijët, ndërsa djali që flite në kuzhinë ka ardhur me shpejtësi në dhomë. Nuk kanë lëvizur derisa kanë mbaruar lëkundjet ndërsa kanë mundur të dalin nga rrënojat vetëm falë një hapësire të vogël të mbetur pa zënë nga betoni nga dhoma e gjumit.

"Isha me dy fëmijët bashkë me mamanë time, qëndruam aty derisa mbaroi tërmeti. Kemi dalë. Ka qenë një moment shumë i vështirë. Nuk e di, Zoti na bashkoi të katërt bashkë, kam nxjerrë djalin e vogël 10 vjeç para Enea, pastaj kam nxjerrë djalin e madh 14, vet kam qëndruar duke nxjerrë mamanë. Gjendja ka qenë shumë e rëndë. Kemi dalë duke kërkuar ndihmë. Na ka ndihmuar dikush edhe nga një pallat tjetër, nuk e njihja. Pastaj më kanë marrë shoqet dhe më kanë dërguar në shtëpitë e tyre. Kam qenë në gjumë në krevat. Hapësira që dolëm për fat të mirë nuk është prishur dhe në atë pozicion është edhe tani. Dhe vet nuk e kuptoj si kam dalë. Kemi qenë në dhomë gjumi. Djali i madh ka qenë në kuzhinë dhe ka ardhur me vrap në dhomë dhe forca shtytja e derës e ka përplasur me krevatin. Ishim në gjumë, nuk dinim ç'të bënim, për pak minuta është shembur gjithçka. Nuk dolëm dot. Jam grua, jam kryefamiljare, jam me dy fëmijë, jam në rrugë, më ka marrë shoqëria. Po kërkoj një shtëpi me qira. Por janë shumë si puna ime në shumë pallate të tjera. As pasaportë asgjë nuk kam. Ne kemi dalë me rrobat e gjumit, të gjitha materialet na mbetën aty", - tregon Violeta Doda për Report Tv.

Pallati 6 katësh në Durrës pranë Kryqit të Kuq u shemb duke zënë poshtë tij të 7 persona nga dy familje të ndryshme, familjen Reçi ku humbën jetën prindërit e dy fëmijët, dhe Meçajt, ku u shuan një grua me vajzën dhe mbesën. 

Violeta tregon se fqinja e saj në derën ngjitur ishte familja meçaj, prej së cilës humbën jetën Roza meçaj, vajza e saj Diena Meçaj dhe mbesa e vogël Eisela. I vetmi që shpëtoi ishte kryefamiljari, gjyshi i 8-vjeçares. në dëshinë e saj Violeta Doda tregon momentet e vështira kur ka dëgjuar të voglën të bërtasë dhe t'i kërkojë ndihmë gjyshit. Ai mbeti i bllokuar jashtë pa mundur të shpëtojë dot të shtrenjat e tij.

"Komshia ime në derën ngjitur ka qenë bashkëshorti me gruan, kanë pasur dhe gocën me mbesën. Familja Meçaj. I zoti i shtëpisë ka dalë nga ana tjetër e rrugës, jo nga ana e hyrjes së pallatit ku kam dalë unë. Ndërsa tre femrat kanë qëndruar brenda. Në momentin që unë po dilja goca e vogël bërtiste gjithë kohës i kërkonte ndihmë gjyshit. Gjyshi nuk u fuste dot aty se ishte aq vrimë e vogël sa nuk komunikoje dot as me korridorin tim të shtëpisë", - tregon më tej 53-vjeçarja.

Në këtë pallat, në katin e pesë jetonte edhe familja Reçi. Eduardi bashkëshortja e tij Dolora, vajza Kristi dhe djali Klausi. E gjithë familja u nxorr e pajetë nën rrënojat e pallatit, ndërsa dy fëmijëve iu këputën në mes ëndrrat e tyre, Kristit për tu bërë mjeke (kishte mbaruar Mjekësinë dhe ishte në stazh) dhe Klausit ëndrra për tu bërë inxhinier (Ishte në shkollë).

"Në katin e pestë ka qenë Eduard Reçi me gruan me djalin dhe vajzën, dhe të katërt kanë dalë viktima. Me Eduardin jemi nga njëra anë, nga Mirdita të dy. Edhe të tjerët kam 10 vjet që i njoh, se jetojmë këtu", shprehet ajo.

Në katin e gjashtë tregon Violeta Doda jeton pronari, i cili ka shpëtuar së bashku me gruan dhe vajzën, ndërsa djali ndodhej në Tiranë.

"Në të njëjtin pallat jeton edhe nëna dhe babai i tij, por një ditë më parë kishin ikur në Greqi. Në fillim kujtuam që ishte dhe një familje tjetër në katin e pestë, por fatmirësisht ajo kishte dalë që në tërmetin e parë. Ka qenë një zonjë me dy fëmijët dhe me burrin. Kishin ikur tek prindërit e tyre", përfundon ajo.

Në total në këtë pallat kanë qenë 4 familje, dy prej të cilave shpëtuan dhe në dy të tjerat pati humbje jete. Pallati është rrënuar totalisht dhe është një mrekulli se si në mesin e asaj lëkundje të fortë, njerëzit kanë arritur të dalin nga rrënojat. Familjen Doda, siç ajo tregon, e ndihmoi një hapësirë 'drite' prej së cilës ajo nxorri një nga një, dy djemtë dhe nënën e saj të moshuar.


Lajmi kryesor:

TË MBIJETUARIT/ 72-vjeçarja tregon tmerrin e tërmetit me lot në sy: Më tërhoqi komshija, isha vetëm! Lezhjani: Kam ulëritur në gjithë lagjen


G.M./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen