Ishte parashikuar të ishte një seancë solemne në prezencë të kryapralamentarit maqedonas Talat Xhaferi, për votimin e marrëveshjes për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Por është kthyer krejt papritur në një incident të paprecedntë, kur nënkryetari i Kuvendit Edi Paloka qëlloi me bojë zbrazur nga një shiringë, kryeministrin Edi Rama. Garda e Republikës ka nisur hetimet ndaj Palokës, pasi ka dyshime se në shiringë ka pasur një solucion kimik.

Kryeparlamentari Gramoz Ruçi vendosi përjashtimin e menjëhershëm nga salla, edhe pse Paloka refuzoi duke cuar në mbledhjen e Byrosë së Kuvendit dhe përjashtimin e tij me 10 ditë nga punimet parlamentare.

E gjitha ndodhi menjëherë pas fjalës së kryeministrit Edi Rama i cili nuk u kursye të thumbonte liderin demokrat Lulzim Basha, për mungesën e respektit sipas tij, ndaj kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferri.  Rama u detyrua t'i kërkojë ndjesë kryeparlamentarit maqedonas, për faktin që kreu i opozitës Basha në fjalën e tij nisi të flasë për akuza politike dhe të fokusohet tek protesta e 16 shkurtit. Por ky moment u përkthye si ofendim ndaj liderit demokrat çka solli dhe reagimin e Palokës.

Seanca e sotme plenare, filloi  me mbajtjen e  një minutë heshtje për viktimat e aksidentit tragjik në Maqedoni me 15 viktima dhe dhjetëra të plagosur.

Paloka shiringe me bojë mbi Ramën

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:02
Incidenti në Kuvend/ Fatmir Xhafaj: Shfaqje e turpshme!

Deputeti Fatmir Xhafaj  e cilëson të turpshme ngjarjen e ndodhur sot në sallën e seancave ku Edi Paloka i hodhi bojë kryeministrit Rama pasi ky i fundit i kërkoi ndjesë Talat Xhaferit për shkeljen e kodit të mikpritjes nga opozita.Përmes një postimi në twitter, deputeti Xhafaj nënvizon se një akt i tillë fyen të gjithë, por që turpëron rëndë frymëzuesit, nxitësit e zbatuesit e kësaj shfaqje të turpshme për Kuvendin dhe imazhin e vendit.

“Një TURP kjo që ndodhi sot në Kuvend. Një akt që na fyen të gjithëve, por që turpëron rëndë frymëzuesit, nxitësit e zbatuesit e kësaj shfaqje të turpshme për Kuvendin dhe imazhin e vendit. Bërë kjo, në prani të mysafirit të nderuar në Kuvendin e Shqipërisë, për të nderuar momentin historik të anëtarësimit në NATO të fqinjit lindor, i bën nxitësit e ekzekutuesit e aktit, me TURP para gjithë shqiptarëve. Këtej e andej kufirit”, shkruan Xhafaj.

Deputeti socialist  shkruan se kjo është fytyra e vërtetë e një pjese të politikës shqiptare, ndërsa thekson se ky nuk është modeli i deputetit që meritojnë shqiptarët. “Kjo është fytyra e vërtetë e një pjese të politikës shqiptare. Ky NUK është modeli i deputetit që meritojnë shqiptarët! Ndjesë mikut e kolegut Talat Xhaferri. Shqiptarët në shekuj kanë respektuar mikun, fqinjin, e më shumë akoma vëllain e tyre të gjakut. Urime fqinjëve tanë për anëtarësimin në NATO. Urime fqinjëve tanë

Ora 15:32
Veliaj për incidentin në kuvend: Shkatërrim e përdhosje të çdo vlere shqiptari

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka komentuar incidentin e ndodhur sot në kuvend, para nisjes së votimit për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, ku nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka hodhi bojë drejt kreyministrit Rama. Kryebashkiaku i quajti deputetët e opozitës neandertalë të SHQUP që i nxorën bojën këtij vendi.

Reagimi i plotë i Erion Veliajt:

"Neandertalët e SHQUP, mavri me bojë që i nxorën bojën këtij vendi me dhunë

Neandertalët e SHQUP, shkatërrim e përdhosje të çdo vlere shqiptari! Turp!", tha Veliaj

Ora 15:15
Lleshaj për incidentin në kuvend: Përpjekja e opozitës, e ngjashme me skenat e Gruevskit

Ministri Brendshëm, Sandër Lleshaj ka reaguar lidhur me zhvillimet e ndodhura sot në seancën plenare të kuvendit.  Ai tha se pranimi i Maqedonisë së Veriut në NATO është në interes të vendit tonë ndërkohë që nuk la pa përmendur edhe incidentin e ndodhur në kuvend ku nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka hodhi bojë në drejtim të kryeministrit Edi Rama. Lleshaj e krahasoi gjestin e Palokës me skenat e Gruevskit në Kuvendin e FYROM në prill të 2017.

"Maqedonia e Veriut në NATO është interes edhe i Shqipërisë. Përpjekja e opozitës për të njollosur solemnitetin atlantik të një vendimi në Kuvend, është turp dhe dëshpërim.

Përpjekja e sotme ishte shumë e ngjashme me ato skena që krijoi Gruevski në Kuvendin e FYROM në prill të 2017 në bashkëpunim të ngushtë me kumbarët antiatlantikë nga Lindja.

Asgjë nuk e ndalon vullnetin e njerëzve të lirë të Ballkanit për t’u bashkuar në NATO dhe BE. Urime për Maqedoninë e Veriut!", përfundoi Lleshaj.

Ora 14:37
Incidenti në kuvend/ Spiropali dhe Rama: 'Plehrë, s'ka turp'

Seanca e sotme plenare është shoqëruar me një incident ku nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka ka hedhur drejt kryeministrit Rama bojë me një shiringë. Inicidenti ka sjellë tensione mes deputetëve ndërkohë që kryeparlamentari Rucci ka kërkuar përjashtim e Palokës nga salla e Kuvendit.

Pas këtij momenti, Spiropali dhe Rama kanë bërë disa komente të cilat nuk janë dëgjuar në mikrofon.

Kryeministri e ka qujtur  Palokën “plehrë”, ndërsa Spiropali, i drejtohet atij me fjalët “qelbësirë”, “s’ka turp”.

Ora 14:37
Rama: Jam rritur me bojëra...dhe zbulon shqetësimin e tij për popullin

Ka bërë një reagim të tretë për incidentit në Kuvend ku Edi Paloka e qëlloi me bojë. Kryeministri Edi Rama thotë se ka marrë mesazhe solidariteti nga shumë njerëz, ku thotë se nuk e shqetëson fakti që ëstë qëlluar me bojë, pasi me to është rritur. Këtu i referohet pasionit të tij për pikturën, si artist, por shton se e shqetëson fakti që populli sipas tij nuk i meriton këta opozitarë.

"Faleminderit për mesazhet e solidaritetit, po s'më shqetëson hiç boja se me bojrat jam rritur e mësuar. Më shqetëson mendja e shpirti katran i palopërfaqësuesve të një populli që s'i meriton këta zorzopë. Prandaj jo që s'i hap rrugë budallallëkut, po veç më rritet pasioni e vendosmëria", shkruan Rama në rrjetin social Twitter.

Ora 14:13
Paloka gjuan me bojë Ramën, çfarë nuk u pa nga Basha e Berisha /FOTOT

Kryetari i PD-së Lulzim basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha janë parë të komunikojnë me nekryetarin e Partise, Edi Paloka, pas sulmit që ku i fundit i bëri kryeministrit Rama me bojë.

Këto dhe shume foto të tjera pikante nga seanca e sotme në kuvend mund të shihni në fotogalerinë më poshtë.

Ora 12:59
Qëlloi me bojë kryeministrin, Paloka: Ky është vetëm fillimi i 16 shkurtit

Seanca e sotme plenare është shoqëruar me një incident ku nënkryetari Partisë Demokratike, njëhkohësisht nëkryetar i Kuvendit, Edi Paloka ka sulmuar kryeministrin Edi Rama,  duke qëlluar në drejtim të tij me një shiringë boje.

Si pasojë e këtij veprimi kryeparlamentari, Gramoz Ruçi ka kërkuar përjashtimin e tij nga senaca e kuvendit.  

Garda e Republikës ka nisur hetimet e menjëhershme për agresionin e kryer në sytë e të gjithëve dhe gjithashtu procedimin penal kundër shtetasit Edi Paloka. Ndaj Palokës, është kërkuar masa e përjashtimit nga kuvendi me një afat ditor prej 10 ditësh.

Ndërkohë vetë nënkryetari Partisë Demokratike është shprehur se kjo nuk ishte hakmarrja e tij por shqiptarëve që vidhen çdo ditë nga qeveria. Ai tha se Rama nuk ka parë gjë akoma dhe ky është vetëm fillimi i 16 shkurtit.

"Ai parlament është i qelbur kokë e këmbë, nuk ka asnjë vlerë. Ja thashë edhe Gramoz Ruçit kur tha se është përjashtuar Paloka. Ai parlament është përjashtuar nga populli, është parlament me vota të vjedhura. U tha se u hakmorr Paloka, por ajo ishte hakmarrje e shqiptarëve që përditen fyen dhe vidhen nga një qeveri dhe një kryeministër arrogant dhe i pacipë. Ky është vetëm fillimi i 16 shkurtit. Ai realisht nuk parë asgjë akoma", tha Paloka.

Ora 12:50
Rama: Opozita budallallëk universal...ironizion 'Palothën" për derdhjen e bojës

Kryeministri Edi Rama ka bërë dy reagime të njëpasnjëshme në rrjetet sociale, pasi u qëllua me bojë nga nënkryetari i PD-së Edi Paloka, gjatë seancës në Kuvend. Ka postuar në Instagram foton e shiringës me bojë e cila tashmë është sekuestruar nga policia pas nisjes së hetimeve për lëndën me të cilën ajo ishte mbushur. Garda e Republikës thotë se është solucion kimik, ndërsa demokratët pretendojnë për bojë stilografi. "Penga e mendimtarit E.Th Palotha pas një derdhjeje të fuqishme mendimedh mbi rolin e opozitës në zhvillimin e vendit", shkruan Rama teksa ironizon edhe mënyrën e të folurit me "th" nga nënkryetari i Kuvendit, Edi Paloka.

Në një postim të dytë në Facebook, Rama bën edhe më tej sarkazëm me opozitën, ku gjithashtu ka postuar edhe fjalën që mbajti në Kuvend, që shkaktoi edhe veprimin e papritur të Palokës. Rama ishte duke i kërkuar ndjesë kryeparlamentarit të Maqedonisë Talat Xhaferri, për faktin që Basha doli përtej axhendës së Kuvendit në seancën solemne për miratimin e marrëveshjes së anëtarësimit të Maqedonisë në NATO

"Dy gjëra janë të pafundme, universi dhe budallallëku i njeriut", shkruante Albert Ainshtajni, përpara se sa opozita në Shqipëri të merrte formën e një Budallallëku Universal, që vizion ka Vezën e Lulit, ide ka Çizmen e Doktorreshës dhe program ka Bojën e Palothës", shkruan Rama.

Ora 12:11
Basha mungesë respekti për kryeparlamentarin maqedonas, Rama: Ndjesë për fëmiun!

Gjatë fjalës së tij kryetari demokrat Lulzim Basha fillimisht shprehu ngushëllimet e tij për familjarët e viktimave në të aksidentit tragjik në Maqedoni nuk harroi të përsërisë thirrjen e tij për të gjithë qytetarët shqiptarë që sipas tij, duhet të bashkohen për t'i rrëzuar qeverinë e Rilindjes më 16 shkurt. Basha tha se qytetarët shqiptarë nuk mund të festojnë, pasi sipas tij qeveria ka ardhur nga krimi dhe se sot sipas tij jemi në një mort të rënies së shtetit në Shqipëri.

“Aksidenti tragjik ka mbushur me dhimbje popullin shqiptar dhe të Maqedonisë së Veriut dhe dua që në këto orë dhimbje t’u drejtoj ngushëllimet tona më të ndjera. Zoti u lehtësoftë dhimbjet. Maqedonia e Veriut në NATO është një moment i veçantë.  Konfirmoj vizionin e palëkundur të PD në mbështetjen ndaj Maqedonisë së Veriut. Për PD çështja kombëtare është ylli polar. Procesi i Maqedonisë së Veriut në NATO erdhi pas një përballje të fortë midis faktorëve që nuk duan Ballkanin në NATO por edhe faktorëve që me lidhjet me krimin ishin bërë pengesë. Të gjithë i mbajnë mend skenat në Kuvendin e Maqedonisë. Kush jemi ne të zgjatemi më shumë me hallet e Maqedonisë.

Këta njerëz kanë ardhur në pushtet si shprehje e një grushti kriminelësh. Kjo është arsyeja se pse nuk mund të festojmë me ju. Shqipëria nuk do ta marrë hapjen e negociatave në qershor. Ky është morti i dytë zoti Xhaferri, mori i rënies së shtetit të Shqipërisë. Një grup oligarkësh që kanë kapur Shqipërinë. Kjo është arsyeja pse në këtë ditë ne nuk mund të festojmë me ju, por frika e tyre është që këtë qershor Shqipëria nuk mund ta marrë dritën jeshile të hapjes së negociatave. Sot kemi një problem të gjithë problemeve. Të shtunën do jetë protesta më e madhe. "Ky sistem duhet përmbysur.  Pa përmbysur këtë sistem nuk mund të rimëkëmbim ekonominë e vendit. 16 shkurti është  Ejani ta çlironi veten nga kjo humnerë, bashkohuni të shtunë të rrëzojmë këtë qeveri të korruptuar”- tha Basha.

Çfarë tha Rama

"Ju kërkoj ndjesë për këtë shkelje të kodit të mikpritjes por ju siguroj se fëmiu që sapo foli nuk i mendon ato që thotë por nuk di se çfarë thotë, edhe një herë ju kërkoj ndjesë", tha Rama menjëherë pas fjalimit të Bashës.

 

Ora 12:04
FOTO/ Ja shiringa me të cilën Paloka i hodhi bojë Ramës, Garda: Ishte solucion kimik, nisin hetimet

Garda e Republikës thotë se ka nisur hetimet ndaj Edi Palokës, pasi pretendimet janë që boja brenda shiringës që nënkryetari i Kuvendit zbrazi ndja kryeministrit Rama, të jetë një solucion kimik.

Shiringa që përdori Paloka për ti hedhur bojë Ramës

Deklaratë e Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit

Sot, në sallën e seancave të Kuvendit të Shqipërisë, deputeti Edi Paloka ka sulmuar me një solucion kimik të parapërgatitur Kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama.

Garda e Republikës me mbështetjen e strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit ka nisur hetimet e menjëhershme për agresionin e kryer në sytë e të gjithëve dhe gjithashtu procedimin penal kundër shtetasit Edi Paloka.

Ora 11:56
Balla: Do kërkojmë përjashtimin e Palokës nga nënkryetari i Kuvendit

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla thotë se socialistët do të kërkojnë shkarkimin e Edi Palokës nga posti i nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë.

"Gjithcka u bë në një seancë solemne si është momenti i votimit të marrëveshjes për anëtarësimit në NATO të Maqedonisë së Veriut dhe në prezencën e një miku të vyer jo se është kryetari i kuvendit të Maqedonisë së Veriut por se është personalitet i rëndësishëm i shqiptarësisë.

Berisha ia ka marrë dorën që cadrën ta bëjë pistoletë dhe shiringën ta bëjë stilograf. Të bëhen hetimet  për turpin që kreu nënkryetari i Kuvendit. Më lejoni tu them se grupi i PS nuk duron më që nënkryetari të jetë Paloka dhe në seancën e ardhshme do depozitojmë kërkesën për shkarkimin”-  tha Balla.

Këtë qëndrim Taulant Balla e shprehu pasi Paloka sot në parlament, në prani edhe të kryeparlamentarit të Maqedonisë Talat Xhaferri, qëlloi me një shiringë me bojë kryeministrin Edi Rama. Paloka u përjashtua me 10 ditë nga Byroja e Kuvendit, por socialistët siç paralajmëroi Balla, do të kërkojë largimin nga posti i nënkryetarit të Kuvendit.

Ora 11:53
PD: Ja pse Paloka gjuajti me bojë Ramën

Partia Demokratike ka sqaruar arsyet pse Edi Paloka gjuajti me bojë Kryeministrin Edi Rama.

Sipas PD-së, qëndrimi i deputetit demokrat erdhi për shkak të talljes së vazhdueshme që Rama i bëri në seancat e kaluara.

“Edi Paloka e gjuajti me boje Edi Ramën, pasi ky e talli në mënyrë të përsëritur për shkak të mënyrës së të folurit. Gjuatja me boje është mospranim i bullizmit të ushtruar nga Kryeministri për të cilin është dëshmitar i gjithë opinion publik”, thuhet në reagimin e PD-së.

Ora 11:53
Incidenti në kuvend, Spiropali: Populli mos t'i bashkohet zjarrit të opozitës në protestën e së shtunës

Pas mbylljes së seancës së sotme plenare, ka reaguar edhe Ministrja e Marëdhënieve me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila e quajti të pavend gjestin e opozitës dhe tha se ky ishte një shembull i cili i mësoi popullit se nuk duhet të ndjekë zjarrin e opozitës në protestën e së shtunës.

"Dy arsye madhore pse zoti Basha dhe opozita nuk duhet të ngatërronte mexhliset, siç thotë populli:

Kishim këtu mikun dhe vëllain, kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut i cili priste nga ne, jo vetëm mikpritjen siç na takon, edhe me kanun, në daçi, edhe me ligje, por edhe me miqësinë dhe vëllazërinë që i karakterizon vendet tona, për më tepër për shqiptarët që janë një realitet shtetformues në Maqedoni dhe pa me sytë e tij një katandisje të llahtarshme të opozitës shqiptare.

E dyta, zoti Basha dhe opozita nuk duhet të ngatërronte mexhliset, sepse aty, në ato aula, në Parlament kishte të rinj dhe të reja, studentë të Juridikut, të Ekonomikut, të fakulteteve shqiptare që prisnin nga ajo seancë solemnitet dhe seriozitet minimalisht dhe u bënë dëshmitarë të një shfaqjeje të turpshme, ku, e para, kryetari i opozitës ngatërroi fjalimet. 
Fjalimi i kryetarit të opozitës nuk ishte për ratifikimin e Marrëveshjes së Aderimit të Maqedonisë së Veriut në Traktatin e NATO-s, por ishte fjalimi i tij i zakonshëm, ku nuk lë gjë pa thënë për Shqipërinë dhe për shqiptarët, jo për qeverinë, e theksoj.

Patjetër që Kryeministri e mori fjalën për t’i kërkuar ndjesë mikut që kishim aty, i cili ishte fyer në mikpritjen tonë, në shtëpinë tonë dhe patjetër që iu referua fëmijës që drejton opozitën shqiptare.

Në rast se do ishte vetëm një deputet, i cili hedh bojë në Kuvendin e Shqipërisë mbi Kryeministrin e vendit, një deputet i njohur për defiçencat e tij, sigurisht ne nuk do merreshim me të sot, por ai është mishërimi më i qartë i vizionit, i lidershipit, i frymëzimit opozitar. Ja, ai deputeti që hodhi bojë në Kuvendin e Shqipërisë.

Ne gjejmë rastin këtu t’iu themi qytetarëve shqiptarë, edhe pse ajo bojë u hodh mbi ne, e para t’i kërkojmë ndjesë popullit shqiptar për këtë shfaqje, t’i bëjmë të ditur se, opozita në protestën e të shtunës do ta kthejë atë bojë në zjarr për të djegur Shqipërinë dhe ne besojmë dhe kemi arsye të forta për të besuar, që, sa herë Shqipëria i ka punët mirë, sa herë rajoni dhe faktori shqiptar forcohet opozita gjen një mënyrë për të turpëruar Shqipërinë në sytë e botës.

Iu themi njerëzve të cilët, patjetër janë më të zgjuar se ajo turmë që u fut sot në Kuvend për të bërë atë shfaqje, që të mos ndjekin zjarrin e opozitës, por t’i qëndrojnë deri në fund Shqipërisë, me Shqipërinë dhe për Shqipërinë.
Dua ta përfundoj fjalën time, duke thënë se në këtë moment të gjithë shqiptarët duhet të jenë në një zë që akte të tilla të mos përsëriten.

Për masat që do merren pastaj ndaj personave do vendosë Kryesia e Kuvendit, por, besoj se qytetarët e kanë bërë zgjedhjen e tyre, duke i flakur këta të pacipë në koshin e historisë", përfundoi Spiropali.

Ora 11:50
Qëlloi Ramën me bojë, Ruçi përjashton me 10 ditë Palokën

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ndërpreu me 5 minuta seancën pasi Paloka qëlloi me bojë kryeministrin Edi Rama në Kuvend, dhe nuk pranoi të linte sallën. Në këto kushte, Ruçi mblodhi Byronë e Kuvendit, e cila mori vendim për përjashtimin me 10 ditë të nënkryetarit të Kuvendit, Edi Paloka.

Ora 11:38
Paloka bojë Ramës, Kryemadhi: Kryeministri rrugaç bulizon! Ka deficencë mendore

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi, e quajti të drejtë veprimin e Edi Palokës ndaj Edi Ramës, duke dhënë argumentet e saj se kreu i qeverisë bulizon këdo.

"Sigurisht që Kryeministri nuk e ka problem t’i bullizojë shqiptarët çdo ditë e më shumë. Vjen një moment ku të gjithë jemi njerëzorë, të gjithë kemi momentet tona të emocioneve, por e disata herë që ky kryeministër rrugaç ka bullizuar shqiptarët në radhë të parë duke  i konsideruar  me organet gjenitale. Më pas vazhdon dhe bullizon pafundësisht deputetët në Parlament.  Vazhdon dhe bullizon dhe anëtarët e Partisë Socialiste, vazhdon dhe bullizon dhe ministrat e tij. Ka pasur Shqipëria në 27 vite tranzicion kryeministra, por kurrë nuk kemi pasur kryeministër qesharak, kryeministër që krijon incidente të tilla, papërgjegjshmëri dhe mbi të gjitha një defiçence mendore, e cila për hir të së vërtetës duhet ti bëjmë një propozim Parlamentit, por ndoshta dhe shqiptarët vetë, që të gjithë ata që marrin poste drejtuese, qofshin këto që nga Presidenti dhe deri te ministrat e qeverisë, duhet të bëjnë analizën psikike dhe klinike, të çdo drejtuesi, i cili ka një post shtetëror, që nuk përfaqëson vetveten e tij, por përfaqëson qytetarët.", tha Kryemadhi.

 

Ora 11:37
Paloka hedh shiringën, Berisha i 'fsheh dorën': Ishte stilograf!

Ish-kryeministri Sali Berisha ka mohuar atë që duket qartësisht përmes fotove edhe videove. Shiringën e mbushur me bojë në duart e Edi Palokës, teksa e zbraz në drejtim të kryeministrit Edi Rama. Nga fotot dallohet kryeministri i bërë me bojë në fytyrë, si dhe momenti fiks kur Edi Paloka shtrëngon shiringën duke lëshuar bojën. Një veprim që i kushtoi atij përjashtimin nga salla e Kuvendit, edhe pse nuk e zbatoi duke detyruar kryeparlamentarin Gramoz Ruçi të mbledhë Byronë e Kuvendit.

Paloka me shiringë duke spërkatur Ramën

Në një deklaratë për mediat jashtë Parlamentit, Berisha justifikoi veprimin e Palokës duke thënë se kryeministri Edi Rama përdori fjalë ofenduese ndaj liderit të opozitës Basha, dhe ndaj gjesti sipas Berishës, ishte mëse i merituar. Por ish-kryeministri mohoi që Paloka të ketë qëlluar me shiringë. duke thënë se ishte një stilograf, edhe pse vetë fotot e shpërndara nga zyra e shtypit të PD-së, dëshmojnë të kundërtën.

"A e dëgjuat cfarë u tha?

Çfarë i tha?

Dëgjojeni

S'mund të përsëris fjalët e tij

Nuk mund të fyhet kryetari i opozitës nga kryeministri si rrugac, se është mësuar ai,

Kryetari i opozitës shprehu mendimine  opozitës, dhe nuk i bëri asnjë fyerje personale, ai u lëshua me fjalë që ishin ofenduese, duhet të marrë fund një herë e mirë ofendimi dhe sharjet", tha Berisha.

Ora 11:23
Paloka, bojë mbi fytyrën e kryeministrit Edi Rama ( FOTO+VIDEO)

Nënkretari i Partisë Demokratike, Edi Paloka spërkati sot me bojë kryeministrin Edi Rama, i cili ishte ulur në karrigen e tij në Kuvend.

Paloka u çua nga vendi me shpejtësi dhe e spërkati Ramën me shiringë me bojë.

Garda ka ndërhyrë menjëherë dhe kryeparlamentari Ruçi përjashtoi Palokën nga seanca.