“Pak orë na ndajnë nga uragani i madh i shpresës dhe fitores së opozitës dhe kombit shqiptar...Të bashkohemi sot në bulevardet dhe rrugët e Tiranës në një nga momentet më kritike të historisë tonë....sot më shumë se kurrë duhet të jemi në atë bulevard”. Më pak se 5 orë nga kjo thirrje e Sali Berishës nga Selia e PD, këto janë pamjet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Apelit të tij për t’iu bashkuar në një përshkallëzim të revoltës për të rrëzuar  qeverinë, iu përgjigjen edhe më pak protestues se ata të një proteste më parë.

Pamjet ekskluzive të Report Tv më 10 shkurt tregojnë qartazi tkurrjen e protestës së Partisë Demokratike krahasuar me atë të 24 janarit të kaluar. 

Në një kohë kur PD e justifikonte edhe më 24 janar pjesëmarrjen e ulët me faktin se ato sa do të vinin e do të bëheshin më masive, protesta e 10 shkurtit numëron disa mijëra më pak. 

Pamjet janë marrë në të dyja rastet, kur protestat kanë qenë në kulmin e fjalimeve, ende pa nisur dhuna me molotovë në drejtim të Kryeministrisë

Takimin e radhës në Bulevard Berisha e la sërish në shkurt, duke e shtyrë me 10 ditë të tjera “rrëzimin” qeverisë, ndërsa teksa qëndronte përballë bulevardit edhe më bosh se hera e kaluar ndihmën për protestën e radhës e kërkoi tek të gjithë.

“Kam një thirrje për çdo forcë opozitare, për çdo opozitar të këtij regjimi, për çdo qytetar të këtij vendi, u bëj thirrje jo si lider i partisë më të madhe opozitare, por si qytetar, si shqiptari-shqiptarit, le të bashkohemi”, tha Berisha. 

Deri në protestën e radhës do të shihet se sa do t’i përgjigjen thirrjes së tij, ndërsa pamjet e 10 shkurtit edhe një herë tregojnë se si ‘revolta’ në vend të ndizet edhe më shumë po fiket, dhe jo nga autobotet e ujit të policisë efekt pamjet krahasues