I kthyer në traditë, në Lezhë u organizua Panairi i Gjelit të Detit. Fermerët u mblodhën në Zadrimë, zonë e njohur prej dekadash për mbarështimin e këtij shpendi, simbol i tryezave të natës së ndërrimit të viteve. Krahas promovimit të produktit vendas, panairi solli edhe tradita kulturore e gastronomike të kësaj zone.

Teksa flasin për vështirësitë që po përballen, fermerët kërkojnë që gjeli i detit të konsumohet gjatë gjithë vitit, ndërsa thonë se çmimi varion nga 7 deri në 10 mijë lekë për kilogram.

“Kjo zonë e ka traditë gjelin e detit. Është një shpendët më të shijshëm, rritet me ushqim bio. Ka pasur shitje ngaqë është i rritur me ushqime të zonës. Ka vështirësi, por ia kemi dalë ngaqë tregu po shkon mirë.

Gjeli i detit është shumë i vështirë me u rrit, por shumë i bukur kur shitet. Por ne e shesim vetëm 1 herë në vit, në nëntor për festat. Sikur të shitej gjatë gjithë vitit do ishte shumë mirë, edhe për atë që i blejnë, edhe për ata që i rrisin. Zadrima rrit gjelin 100% bio, çmimi varion nga 800 lekë/kg deri 1000 lekë/kg”, shprehen fermerët.

Kryetari i Bashkisë Lezhë Pjerin Ndreu, thotë se të gjithë bashkë duhet të bëjmë më shumë për ti dhënë më tepër zhvillim sektorit të bujqësisë dhe blegtorisë.

“Bashkia, Ministria, të gjithë duhet të bëjmë më shumë në drejtim të fermerëve, jo vetëm për gjelin e detit, që zona e Zadrimës si një ndër zonat më të spikatura në fushën e agrokulturës dhe kultivimit të gjelit të detit të jetë e mbështetur dhe të jetë në fokusin e projekteve të qeverisë. Zadrima është ndërkombëtarizuar me ato që ka bërë, produktin lokal e ka ndërkombëtarizuar”, thotë Ndreu.

Prej fillimit të muajit dhjetor në Lezhë ka nisur tregtimi i gjelit të detit, teksa në Zadrimë mbarështohen rreth 15 mijë shpend çdo vit.