TIRANE-Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë. Lideri demokrat shprehet se përfaqësuesit e Dhomës së Tregtisë i shprehën shqetësimin se Paketa 1 dhe 2 të ndërmarra nga qeveria kanë qenë joefektive dhe me një ndikim të papërfillshëm tek biznesi. Për të kapërcyer krizën, Basha thotë se ka zgjidhjen dhe një plan të qartë për rimëkëmbjen ekonomike, por më parë kërkon largimin e Edi Ramës nga pushteti.

"Me përfaqësinë më të lartë nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë diskutuam për krizën ekonomike pas pandemisë Covid 19 dhe për alternativat tona për rimëkëmbjen e ekonomisë shqiptare. Ata shprehen shqetësimin e tyre se Paketa 1 dhe 2 të ndërmarra nga qeveria kanë qënë joefektive dhe me një ndikim të papërfillshëm tek biznesi. Masa e financimit është shumë e ulët ndërsa pengesat burokratike i kanë bërë ato të pazbatueshme. Si rrjedhiojë, sot në kohë emergjence financimi i ekonomisë është inekzistent, ndërsa sektorë si biznesi prodhues, turizmi, bujqësia dhe transporti mbeten ende pa asnjë mbështetje.

Menaxhimi i pandemisë dhe krizës ekonomike është dështimi më i madh i Ramës. Fatkeqësisht, këto dështime po i kushtojnë shumë shtrenjt shqiptarëve dhe ekonomisë së tyre që sot po varfërohen edhe më shumë. Partia Demokratike propozoi masa konkrete mbështetëse për biznesin vendas dhe për të punësuarit e tij por Rama zgjodhi ti harxhojë lekët e buxhetit të shtetit për një grusht oligarkësh dhe jo për njerëzit. Ai është sot e keqja më e madhe për vendin.

Unë dhe opozita e kemi një plan konkret për rimëkëmbjen ekonomike të vendit dhe rritjen e punësimit të shqiptarëve: ky është prioriteti absolut i progranmit tonë ku përveç ndihmës financiare për të kapërcyer krizën ne do të ofrojmë edhe instrumentat dhe financimin e duhur për ekonominë prodhuese, uljen e taksave, luftën ndaj monopoleve dhe klientelizmit, si dhe mbështetjen dhe financimin e projekteve madhore ekonomike që do krijojnë punësim dhe mirëqënie për shqiptarët" shprehet Basha.