Papunësia ka mbetur stabë për muajin gusht në eurozonë në raport me korrikun, në 11,5 për qind, njoftoi dje zyra evropiane e statisitkave Eurostat.
Shifrat e papunësisë janë rreth 18,32 milionë të papunë në gusht, ose 137 mijë më pak se muaji i më parshëm dhe 834 mijë më pak se sa një vit më parë.
Këto shifra fshehin në fakt shumë pabarazi. Gjermania dhe Austria vazhdojnë të jenë dy vendet në zonën euro ku papunësia është më e ulta, respektivisht 4,7 për qind dhe 4,9 për qind.

Në krahun tjetër të tabelës është Greqia me nivelin më të larët të papunësisë, në 27 për qind në qershor, data e të dhënave të fundit, e ndjekur nga Spanja me një nivel papunësie 24,4 për qind.

Por në disa nga vendet më të prekura nga kriza, shenja përmirësimi po perceptohen. Në një vit, papunësia ka kaluar nga 26,1 për qind në 24,4 për qind në Spanjë dhe nga 16,1 për qind në 14 për qind në Portugali.

Në të kundërt, situata degradoi nga viti i kaluar në Finlandë, me një papunësi që kalon nga 8,1 për qind në 8,6 për qind. Vendi nordik sapo doli nga recesioni ekonomik por prespektivat vazhdojnë të jenë jo optimiste. Ky vend rrezikon që në fund të vitit 2014 të njohë vitin e tretë rrjesht pa rritje ekonomike.
Një vend tjetër ku papunësia ka progresuar ndjeshëm në një vit është Franca. Ekonomia e dytë e zonës euro u përball me një nivel të papunësisë që kalon nga 10,2 për qind në 10,5 për qind.
Papunësia e të rinjve ka mbetur stabël në zonën euro në raport me korrikun, në 23,3 për qind. Që do të thotë rreth 3,33 milionë të papunë në moshat nën 25 vjeç.
Pa shumë surpriza është niveli i papunësisë në Spanjë që situata është më kritike me më shumë se një të ri në dy (53,7 për qind) pa punë, sikurse edhe në Greqi (51,5 për qind). Në Itali, 44,2 për qind e të rinjve janë të papunë. Për t'u përballur me këtë problem, Italia, që mban presidencën e radhës së BE-së deri në fund të vitit, organizon një mbledhje mbi punësimin, dhe kryesisht mbi atë të të rinjve, javën që vjen në Milano.

Në të gjithë Bashkimin Evropian, papunësia në gusht prekte 24,64 milionë persona, ose një nivel prej 10,1 për qind. Brenda një muaji numri i punë kërkuesëve ka rënë me 134 mijë dhe 1,74 milionë në një vit.

ATSH