Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, teksa foli për sistemin e Drejtësisë, është shprehur se një shqetësim shumë i madh është numri i lartë i të paraburgosurve.

Lamallari tha se në Shqipëri mbi 50 % e personave në Institucionet e Vuajtjes së Dënimit janë aty pa një vendim të formës së prerë, gjë që sipas ministrit nuk ndodh në BE.

Lamallari ngriti edhe shqetësimin e mungesës së gjyqtarëve dhe ndihmësave ligjorë nëpër gjykata, që sipas tij ndikon drejtpërdrejt në rritjen e stokut të dosjeve.

“Le t’i themi gjërat siç janë, përtej vështirësive për plotësimin e vakancave, për të cilat janë ndërmarrë edhe veprime ligjore, nuk ka arsye bindëse që të justifikojë një numër kaq të ulët procedimesh disiplinore dhe mungesën e procedimeve proaktive. ILD ka një rol të pazëvëndësueshëm në garantimin e disiplinës dhe standardeve profesionale.  Dhe pavarësia nuk mund të kuptohet e shkëputur nga llogaridhënia.

Lidhur me stokun e dosjeve, Gjykata e Lartë ka dhënë një shembull pozitiv. Gjatë vitit 2025 totali i vendimeve gjyqësore të dhëna prej saj ka shënuar 6876 vendime. Kjo do të thotë se veprimtaria e Gjykatës së Lartë vitin e shkuar u karakterizua nga një përmirësim progresiv i situatës, lidhur me numrin e lartë të çështjeve gjyqësore të prapambetura. Por drejtësia nuk matet vetëm në majën e drejtësisë, por matet aty ku qytetari ka kontakt të drejtpërdrejtë me sistemin, në Shkallë të Parë dhe Apel, me kohën e gjykimit dhe zbardhjen në kohë të vendimeve. Mos-zbardhja edhe pas një vitit e vendimeve është e papranueshme.

Në shumë segmente, veçanërisht në Gjykatat e Apelit, normat e përfundimit të çështjeve janë minimale dhe numri i çështjeve të prapambetura është alarmant. Vetëm 1/10 e çështjeve përfundon brenda një viti. Stoku total po shënon shifrën në 19 mijë çështje për secilin nga Apelet.

Një tjetër realitet që nuk mund të anashkalohet është mungesa e burimeve njerëzore. Sistemi i Drejtësisë vijon të funksionojë me vakanca të konsiderueshme të gjyqtarëve dhe ndihmës-gjyqtarëve. Nuk mund të kërkojmë efektivitet dhe cilësi kur sistemi operon me kapacitete të kufizuara. Duhet një planifikim i mirë dhe i shpejtë i organikës dhe ndihmësave ligjorë. Miratimi nga viti në vit i një numri më të ulët kuotash për ndihmësat ligjorë, shkon në sensin e kundërt dhe çon në rritjen e stokut të dosjeve.

Për fat të keq, Shqipëria vijon të mbajë një nga përqindjet më të larta të paraburgimit në Europë. Mbi gjysma e personave që ndodhen në institucionet e vuajtjes së dënimit janë ende pa një vendim të formës së prerë. Ky realitet tregon mungesën e alternativave efektive. Hezitim në vendimmarrje dhe një kulturë gjyqësore zgjedh rrugën më të lehtë dhe jo më të drejtë. Paraburgimi grryen besimin e qytetarëve te Drejtësia.

62 të të dënuarve në Shqipëri u caktohet një masë nga 5 deri në 20 vite burgim. Ndërsa në BE ka një marzh burimi nga 1 deri në 10 vite burgim. Duhet të afrojmë politikën penale me Bashkimin Europian”, tha mes të tjerash Lamallari.

 


Lajmi kryesor:

Ceremonia e vitit të ri gjyqësor, Sadushi: Drejtësi e pavarur dhe cilësi! Ministri Lamallari: Llogaridhënie, pavarësia jo me papërgjegjshmëri