Shpallja fituese e ofertës së konsorciumit amerikan “Vetro Energy” për blerjen e Albetrolit është një lajm mjaft i mirë për publikun shqiptar. Në faqet e një tribune të pikpamjeve të lira, siç është “Shqiptarja.com”, unë kam shkruar me entuziazëm për ketë ofertë, duke e parë si një shans shumplanësh për vendin tonë dhe duke uruar që konsorciumi t’i kishte letrat në rregull konform legjislacionit shqiptar. Për fat, kështu ka ndodhur. Komisioni qeveritar i vlerësimit të ofertave i ka gjetur të qepura të gjitha kërkesat e tenderit në dokumentacionin e “Vetro Energy”, duke e shpallur fituese. Dhe ja ku jemi tani: kemi shitur Albetrolin për 850 milion euro, një shumë që nderon dhe respekton në ditë të vështira këtë pasuri të popullit shqiptar; ia kemi shitur një konsorciumi amerikan, që si shumica e konsorsiumeve dhe si çdo gjë amerikane është multinacionale.
Por rrënjën e ka në SHBA, pra kemi tashmë edhe “SHBA” në hartën e privatizimeve dhe konçensioneve në sektorët me
rendësi strategjike; kemi shitur ndërmarrjen, ndërsa vendburimet e nëntokës i kemi dhënë me konçension për njëzet e pesë vjet. Mund të flisnim gjatë për kontekstin gjeoplitik të aferës më të madhe në historinë e privatizimeve shqiptare. Por “pragnmatizmi” e do të qëndrojmë të çmimi. Fitoi oferta me çmimin më të lartë.


Në arkën e boshatisur të qeverisë do të futet një shumë që do t’i japë pak oksigjen ekonomisë. Jo aq shumë sa ç’mendon ndokush, por edhe pak nuk janë. Sidomos në këtë periudhë kur financat e shtetit i kanë hapur sytë si daci, ndërsa Shqipëria vetëm po ndalon. Shqiptarët nuk mund të mos jenë entuziastë me “paratë” që bëri qeveria e tyre dhe nuk mund të mos jenë të ndjeshëm ndaj zërave dhe diskutimeve për përdorimin e tyre. Si do të përdorën paratë e Albpetrolit? Kjo në thelb është një pyetje me domethënie publike dhe politike. Sepse paratë janë të publikut. Sepse vendi po përgatitet të shkojë drejt zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 dhe në këtë kontekst kanë lindur shumë dyshime sikur qeveria do t’i përdorë për qëllime elektorale apo “për të blerë zgjedhjet”, siç thuhet në të folurën e përditshme. Para se ta zhvilloj këtë shqetësim, po nxitoj të pohoj ai që është publik dhe ai që është individ i lirë në shoqërinë e hapur demokratike nuk mund të blihet me paratë e veta. Populli në parim nuk mund të blihet me paratë e veta sepse në këtë rast do t’i binte të ishte një popull budalla, çfarë asnjë popull nuk është dhe populli shqiptar nuk është.

Dëshiroj të përseris gjithashtu, pa u zgjatur, se në rrafshin politik elektoral lajmet e mira në këtë periudhë favorizojnë ndryshimin, jo statusquonë.
Por shqetësimi se mos paratë e Albpetrolit mund të përdoren për vota është plotësisht i ligjshëm në kontekstin e manipulimit sistematik të zgjedhjeve shqiptare jo vetëm gjatë numërimit dhe votimit, por edhe gjatë fushatës, me propagandën e shfrenur, me gërshërët dhe shiritat elektoralë, me blerjen e drejtpërdrejtë të votave, me fabrikimin e entuziazmit, e tjerë e tjerë. Është mjaft domethënëse në këtë kontekst prononcimi i parë i kryeministrit për destinacionin e parave të Albetrolit, kur tha se do t’i përdorim për ujësjellës dhe kanalizime, për shkolla, spitale, çerdhe… Po, po, patjetër. Ka vite që Shqipëria investon në këto drejtime (jo rrallë si në një thes të shpuar) dhe do të vazhdojë të investojë. Por deklarata e kryeminsitrit, edhe pse spontane në momentin e dhënë, zbulon se ai ka në mendje vetëm gërshërë dhe shirita elektoralë. Nuk ka prioritete të tjera ky vend, nuk ka shtresa në nevojë kjo shoqëri, nuk ka të drejta të shkelura dhe obligime të papërmbushura nga kjo qeveri që kryeministrit të saj i shkon mendja vetëm të shiritat elektoralë? Ka dhe ka shumë.

Janë ish-të përndjekurit, disa prej të cilëve janë ngujuar në grevë urije pikërisht për çeshtjen e kompensimit të famshëm. E kemi ditur e thënë se përgjatë viteve të demokracisë është bwrë diçka për këtë shtresë të shumëvuajtur, diku me privatizimet nwpërmjet letrave me vlerë, diku me banesa sociale, diku me kompensimin e pjesshëm, e tjerë. Por po dëgjojmë dëshmi renqethese nga greva e urisë; po shohim ish të përndjekur që nuk kanë marrë as edhe një gjilpërë. Janë denoncime që padisin si klientelist dhe të kalbur edhe atë sistem modest kompensimesh që kemi ngritur. Mirë që ish të përndjekurit nuk kanë marrë ende gjithë çfarë meritojnë sipas ligjit, por që mjaft prej tyre të mos kenë marrë asgjë, asgjë, kjo është për të vënë duart në kokë! Kryeministri ka detyrimin të reagojë menjëherë ndaj kësaj situate. Dhe më tej, ai dhe qeveria, kanë mundësi të avancojnë fuqishëm me kompensimin, duke destinuar në këtë drejtim një pjesë të parave nga shitja e Albpetrolit. Opozitës i shkon të kërkojë dhe të japë miratimin e saj për këtë.

Një detyrim tjetër i qeverisë, i shtyrë deri ku nuk mban, janë borxhet që ajo u ka kompanive private, një shumë që në total shkon mbi 100 milion euro. Në gjithë botën e lirë, qeveritë po kërkojnë incentiva dhe mundësi për t’i dhënë frymëmarrje biznesit privat në këtë kohë krize. Kurse qeveria e Shqipërisw vetëm i zhyt kompanitë në fjalë duke mos u paguar paratë për punën e kryer, ndërkohë që në shumë raste kjo qeveri jo vetëm ka marrë në dorëzim veprat dhe është mburrur duke i përuruar, por ka marrë edhe TVSH-në për arkën e saj nga këto kompani. Pa llogaritur këtu tangjentet që ato kanë paguar për të marrë punën, që shkojnë deri në 20 përqind të vlerës së kontratës. Situatë dramatike, qëndrim plotësisht i paligjshëm, sjellje çnjerëzore!

Po nuk mbaron këtu. Një tjetër fushë e detyrimeve dhe arrogancës së skajshme të qeverisë “Berisha” është mosekzekutimi i vendimeve të formës së prerë të gjyakatave. Edhe pse tani kemi përmbarimin privat, qeveria e gjen kurdoherë rrugën për t’i dribluar këto detyrime. Kur nuk e gjen, i drejtohet arrogancës: Nuk dua! Qeverinë tonë nuk e kap ligji. Kjo e mosekzekutimit të të vendimeve të gjykatave është një ironi me vete me lotët që derdhte Berisha pak para se të vinte në pushtet në vitin 2005 për sipërmarrwsit e dhunuar dhe kur e trajtonte këtë temë, me të drejtë, si vijë demarkacioni mes një qeverie demokratike dhe një qeverie xhungle. Sot se si duken ato lotë.

Pwrmenda vetëm tre drejtime akute ku mund të destinohen një pjesë e parave të shitjes se Albpetrolit. Ka edhe të tjera. Janë para që i shkojnë ekonomisë, familjeve. Në këtë histori një gjë është e rëndësishme për t’u ditur e mbajtur në kokë nga të gjithë: paratë janë të popullit, qeveria, normalisht, është vetëm menaxherja.

(Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)