Një përballje për t’u mbajtur mend ishte ajo e 200 m për meshkuj në Lojërat Olimpike të Parisit.
Letsile Tebogo fitoi medaljen e artë mes spektaklit. Të enjten mbrëma, gara 200 metra për meshkuj mori vëmendjen e këtyre lojërave, me Noah Lyles që duhet të kënaqet me vendin e tretë.
Amerikani fitoi medaljen e artë në 100 metra më herët gjatë javës duke mposhtur Kishane Thompson të Xhamajkës dhe shokun e skuadrës amerikane Fred Kerley. Noah Lyles garoi i sëmurë me Covid dhe pas garës dhe medaljes u largua për në spital me ndihmën e mjekëve.
Megjithatë, Lyles përfundoi në vendin e tretë pas shokut të skuadrës amerikane Kenny Bednarek dhe Letsile Tebogo të Botsvanës, me këtë të fundit që fitoi medaljen e artë. Tebogo e mbylli garën me kohën 19.46 sekonda.
Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:03
Paris 2024/ Garoi i sëmurë me Covid në finale, fiton të bronztën dhe largohet me karrige me rrota për në spital
Atleti amerikan Noah Lyles mori pjesë në finalen e 200 metrave në Lojërat Olimpike “Paris 2024” edhe pse kishte dalë pozitiv me Covid-19. Në këtë garë ai arriti të marrë medaljen e bronztë, e dyta për të në këtë Olimpidë. Pak ditë më parë, Lyles fitoi me fotofinish medaljen e artë në 100 metra, ndërsa në finalen e 200 metrave u mjaftuan me vendin e tretë. 25-vjeçari u shfaq para garës me një maskë mbrojtëse në fytyrë. Pas garës ai ishte i lodhur, vendosi sërish maskën dhe u largua nga stadiumi me një karrige me rrota, për t’u shoqëruar në spital. Medalja e artë në këtë garë i fituar nga Letsile Tebogo i Botsvanës (19”46).