PARIS, 10 qershor /ATSH-ANSA/ - Të paktën 77 për qind e francezëve thonë se janë të tronditur nga vendimi i kryeministrit Manuel Valls, i cili përdori avionin qeveritar për të shkuar në Berlin për të ndjekur ndeshjen finale të Champions League mes Barcelonës dhe Juventusit, doli sot nga një sondazh i realizuar nga instituti "Elabe" për televizionin BFM-TV.
Vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes së opinionit publik francez fakti që kryeministri Manuel Valls ka marrë në avionin qeveritar edhe dy djemtë e tij për të ndjekur ndeshjen finale të Champions League mes Barcelonës dhe Juventusit që u zhvillua të shtunën në Berlin.
Në ndërkohë, qeveria konfirmon se prania e dy fëmijëve të kryeministrit Valls nuk ka rritur koston e udhëtimit.
Që prej tri ditësh, Manuel Valls është në qendër të polemikave për shkak se vajti të shohë një ndeshje me paratë e taksapaguesve.
Valls vazhdon të mbrohet duke thënë se bëhej fjalë për një udhëtim pune.
"Isha në Berlin edhe për të takuar presidentin e UEFA-s, Michel Platini për shkak të zhvillimit të Kampionatit Evropian të Futbollit në Francë, vitin e ardhshëm", deklaroi kryeministri francez, Manuel Valls.
Valls ka katër fëmijë, Joachim, Benjamin, Ugo dhe Alice./ a.jor.











