Prej 10 korrikut të vitit të kaluar, pas këtij paralajmërimi të kryepolicit Ilir Proda, nisur nga shqetësimi gjithnjë e më i madh i bllokimit të qarkullimit prej parkimeve dyshe të makinave, uniformat blu nisën t’i referonin në prokurori shoferët shkelës, përveçse ndëshkimit të tyre me gjobë.

E gjitha u bë duke iu referuar nenin 293 të Kodit Penal për pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit, i cili parashikon gjobë deri në 3 vjet burgim.

Por sforcimi për shkak të legjislacionit të paplotë, që nuk parashikon në mënyrë të qartë si vepër penale bllokimin e qarkullimit prej parkimeve dyshe, detyroi një iniciativë ligjore në Kuvend. Së fundmi, në komisionet parlamentare po diskutohet për shtimin e një neni të ri në Kod Penal, 293/1.

Neni 293/1: Pushimi i mjetit në karrexhatë në rresht të dytë, që pengon qartazi dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë lëvizjen e automjeteve në shërbim të policisë, zjarrfikëseve e të autoambulancave apo shërbimeve të tjera të institucioneve, bllokon tërësisht rrugën, duke e bërë të pamundur kalimin e mjeteve të tjera ose shkakton bllokim total të rrugës për këmbësorët, duke u bërë pengesë serioze për sigurinë publike, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Pra kush ndalon mjetin në mes të rrugës rrezikon deri në një vit burg, duke përjashtuar mjetet biçikletat apo motorët. Me hyrjen në fuqi të ndryshimeve, në vijim, të gjitha referimet në prokurori për bllokim të qarkullimit do të bëhen përmes këtij neni.

Në 6 muaj të punës së policisë për ndëshkimin e bllokuesve të rrugës me parkime dyshe, 268 raste u referuan në total nga 9 qarqe nëpër prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm dhe 3 të tjera me asnjë referim, Gjirokastra, Berati dhe Dibra. Siç pritej, Tirana ka pjesë dërrmuese, me 207 raste ose mbi 77% të totalit, ndjekur nga Kukësi me 25, Lezha me 11, nga 6 janë në Fier dhe Vlorë, 5 në Shkodër, 4 në Durrës dhe nga 2 në Korçë dhe Elbasan.

Report Tv kërkoi zyrtarisht të dhëna në Prokurorinë e Përgjithshme për fatin e këtyre procedimeve, por për shkak se statistikat nuk i veçojnë rastet nëse bllokimi i qarkullimit bëhet nga parkim dysh apo nga faktor të tjerë, të dhënat nuk disponohen. Gjithsesi, burimet i thanë Report Tv se pjesa dërrmuese e referimeve për bllokim të qarkullimit me parkim dysh janë pushuar.

Uniformat blu kanë konstatuar se të referuarit nuk rezulton ta kenë përsëritur shkeljen, gjë që sipas policisë realizon qëllimin kryesor sensibilizimi dhe edukimi i drejtuesve të mjeteve. Efekt parkim dysh

REFERIMET NË PROKURORI 
Tiranë                   207
Kukës                    25
Lezhë                    11
Fier                         6
Vlorë                       6
Shkodër                  5
Durrës                     4
Korçë                       2
Elbasan                   2
TOTAL                   268