Parkimi i gabuar dhe qëndrimet në vende të ndaluara përbëjnë shkeljen më të shpeshtë në statistikat e sigurisë rrugore në Shqipëri. Sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2025, kjo kategori përfaqëson 34% të masave administrative të evidentuara, duke shënuar rritje krahasuar me vitet e mëparshme.
Në raportin “Statistika mbi Sigurinë Rrugore 2025”, INSTAT evidenton se pesha e këtyre shkeljeve ishte 31.1% në vitin 2024 dhe 30% në vitin 2023, çka tregon një rritje të vazhdueshme të problematikës së parkimit të paligjshëm.
Në vendin e dytë renditen shkeljet e kufijve të lejuar të shpejtësisë, të cilat përbëjnë 18.9% të masave administrative. Megjithatë, kjo kategori ka shënuar rënie të ndjeshme krahasuar me vitin 2024, kur zinte 25.4% të totalit.
Ndërkohë, mosrespektimi i sinjalistikës rrugore përbën 14.3% të masave administrative, nga 12.6% një vit më parë. Në rritje të lehtë janë edhe shkeljet që lidhen me parakalimet e gabuara, të cilat përfaqësojnë 7.7% të totalit, krahasuar me 7.4% në vitin 2024.
Sipas të dhënave, përdorimi i telefonit gjatë drejtimit të automjetit përbën 3.4% të masave administrative, ndërsa mosvendosja e rripit të sigurimit dhe mosrespektimi i sistemeve të fiksimit zënë 5.5%.
Në tërësi, numri i masave administrative të përfshira në raport është rritur me 2.2% gjatë vitit 2025, krahasuar me një vit më parë.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se parkimi i gabuar mbetet problematika kryesore në ndarjen e masave administrative për sigurinë rrugore, ndërsa shpejtësia dhe mosrespektimi i sinjalistikës vijojnë të përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të shkeljeve të evidentuara.









Komente
Komento