Në një raport të së mërkurës, eurodeputetët theksojnë se zgjerimi i Bashkimit Europian forcon sigurinë dhe parandalon krijimin e zonave gri destabilizuese gjeopolitike.
“Mali i Zi dhe Shqipëria kanë vendosur tashmë objektiva ambicioze për përfundimin e negociatave deri në fund të viteve 2026 dhe 2027 përkatësisht. BE duhet të inkurajojë këto vende kur ambicia e tyre shoqërohet me reforma konkrete”, thuhet në raport ndërsa eurodeputetët bëjnë thirrje për heqjen e çdo pengese prej BE-së.
Sipas eurodeputetëve, kostoja do të ishte më e lartë në rast moszgjerimi. Progresi duhet të mbetet i bazuar në meritë, i drejtuar nga vlerat dhe i kushtëzuar nga reformat.
“Duke rikonfirmuar se procesi i anëtarësimit duhet të mbetet i bazuar në meritë dhe i kthyeshëm, dhe se asnjë vend nuk duhet të trajtohet si pjesë e një pakete, eurodeputetët theksojnë se nuk mund të ketë rrugë të shkurtra për vlerat dhe parimet themelore të Bashkimit Europian”, thekson raporti duke shtuar se “përshtatja me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së është një tregues kyç i orientimit gjeostrategjik të një vendi kandidat”.
Gjithashtu nënvizohet se duhet përdorim më i madh i votimit me shumicë të kualifikuar në fusha të rëndësishme për procesin e anëtarësimit.
Eurodeputetët kërkojnë forcimin e monitorimit të reformave në vendet kandidate nën “grupkapitullin e bazamentit” dhe përforcimin e mbështetjes për aktorët pro-BE të shoqërisë civile, të përkushtuar ndaj reformave të nevojshme dhe vlerave evropiane.
Raporti u miratua me 385 vota pro, 147 kundër dhe 98 abstenime.
Komente











