Një prej ish figurave kryesore të PDK-s, deputeti Fatmir Limaj, ka shpallur iniciativën për krijimin e një partie të re politike, duke deklaruar se ka mbështetjen edhe të Kryetarit të Parlamentit, Jakup Krasniqi. Kjo iniciativë përbën rastin e parë serioz të shkëputjes së një fraksioni nga partia kryesore që trashëgoi kontigjentin e luftës së UÇK-s. Më shumë se një dekadë më parë, një grupim tjetër i krahut të luftës, kryesisht në zonën e Dukagjinit, u grumbullua rreth ish komandantit të kësaj zone, Ramush Haradinaj dhe krijoi AAK-në. Kjo parti arriti të bëhej pjesë e Qeverisë së parë, të zgjedhur, në Kosovën e pas luftës.

Në zgjedhjet e dyta Haradinaj mori postin e Kryeministrit në këmbim të mbështetjes që i dha liderit të LDK-s, Ibrahim Rugova, për postin e Presidentit. Por ky duet politik nuk e pati fatin të jetojë gjatë në krye të Kosovës për shkak se Haradinaj u detyra të japë dorëheqjen, pas tre muajsh në krye të Qeverisë, për të shkuar në Gjykatën e Hagës, ndërsa Rugova vdiq si pasojë një sëmundjeje të rëndë.

Pas një aventure të gjatë dhe të mundimshme Haradinaj fitoi dy herë pafajsinë dhe u kthye nga Haga si hero, kurse pasuesi i Rugovës në krye të shtetit dhe LDK-s, Fatmir Sejdiu, nuk ja doli të ngjitej në nivelin liderit, teksa u përpoq ti mbante të gjitha funksionet derisa një ditë i humbi po të gjitha. Pas një krize të rëndë lidershipi LDK-ja u nda në dysh dhe falë kësaj krize Hashim Thaçi arriti të fitojë  dy mandate kryeministrore rresht. Sot e njëjta sëmundje e ka kapur edhe partinë e tij, këso here, jo për shkak të mungesës së lidershipit por, për të kundërtën: arrogancës.

Fatmir Limaj është i pari ish komandant i nivelit të lartë i UÇK-s që ja doli të triumfojë në Gjykatën e Hagës, i akuzuar për krime lufte. Ai u prit si hero në Prishtinë nga vetë Kryeministri Thaçi dhe mbështetës të tij, në emër të pastërtisë së luftës. E njëjta gjë ndodhi më vonë edhe me Ramush Haradinajn. Prej më shumë se dy vitesh Limaj dhe Kasniqi (edhe ky një prej figurave të UÇK-s, zëdhënës i saj në kohën e luftës), kanë shfaqur hapur pakënaqësitë për vendimmarrjet në PDK. Megjithatë ata kanë bashkëjetuar në një shumicë, për të mos i dhënë shans kundërshtarit historik të përfitojë politikisht.

Kryeministri Thaçi do të ketë edhe një vështirësi më tepër për tja dalë në zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti. Aq sa referuar rezultatit të fundit të PDK-s, në zgjedhjet për pushtetin vendor, mund të thuhet se kalimi i saj në opozitë bëhet pothuajse i sigurtë. Fatmir Limaj gëzon një mbështetje të konsiderueshme në bazë, ndërsa Jakup Krasniqi ka profilin e një burrri të rrafshët, simbol i urtësisë në politikën kosovare.

Ndërsa thuhet se edhe disa deputetë të tjerë do ti bashkëngjiten kësaj dysheje. Prova e parë e suksesit të Limajt ishin zgjedhjet vendore në komunën e Malishevës, ku fitoi kandidati i propozuar prej tij në emër të Iniciativës Qytetare.
Limaj dhe Krasniqi përbëjnë njën krah më radikal kur vjen punë për vendimmarrjet që lidhen me qëndrimet ndaj Serbisë. Ata i përkasin një linje më të ashpër se ajo e Thaçit dhe varësisht nga suksesi i projektit të tyre, që pritet të bëhet publik për pak ditë, do jetë edhe mbështetja në bazë. Fraksioni i dalë nga partia në pushtet, udhëhequr nga dy figura të rëndësishme të saj, mund të shkaktojë spostime të dukshme në politikën kosovare.

Kuriorziteti i publikut është i përqëndruar, më së pari, në listën e figurave që do ta mbështetesin këtë ofertë, brenda dhe jashtë Parlamentit dhe më tej në vendosjen e kësaj force në spektrin e politikës kosovare. Kemi parasysh se deri tani asnjë prej partive kryesore politike në Kosovë nuk është deklaruar si parti e majtë. Kjo mund të lehtësojë punën e subjektit të ri për tu pozicionuar në një vend ku ka mjaft hapësirë për një parti politike të majtë.

Gjatë dy mandateve në pushtet Qeveria e Hashim Thaçit (me ndihmesën edhe të Limajt që dha dorëhejqjen nga posti i Ministrit të Transporteve pas një akuze për korrupsion e pavërtetuar nga Gjykata dhe Krasniqit) ka bërë shumë punë, ku më e dukshmja është vazhdimi i Rrugës së Kombit, Durrës- Kukës-Morinë në anën tjetër të kufirit nga Prizreni deri në Prishtinë e drejt Merdares. Kjo do të mbetet vepra më e rëndësishme e Qeverisë së Thaçit, në planin e brendshëm, siç në planin e jashtëm do të mbetet Marrëveshja me Serbinë, që e ka futur Thaçin në listën e kandidatëve të përfolur për çmimin Nobël për Paqe.

Por pavarsisht nga kjo Qeveria e Thaçit nuk ka mundur të bëjë atë që do duhej në vendosjen e shtetit ligjor dhe luftën kundër korrupsionit. Kjo gjë pritet të ndikojë shumë në të ardhmen e tij politike, më shumë se sa infrastruktura dhe akoma më shumë se sa Marrëveshja.
Hashim Thaçi ka arritur të realizojë dy ndër tre synimet e mëdha të jetës së tij të cilat i ka përsëritur përtej modestisë së një politikani: së pari, çlirimin e Kosovës dhe, së dyti pavarsinë e saj, ndërsa ka pak shanse të realizojë procesin e integrimit të Kosovës në BE, për shkak të kompleksitetit të procesit shtrirë në kohë dhe thellësi.

Thaçi mund të konsiderohet politikani i Dytë më popullor në Kosovë, pas Ibrahim Rugovës, dhe i pari përsa i përket efektshërisë së angazhimit të tij të shtrirë në kohë. Fati i Hashim Thaçit këtë herë, më shumë se prej kundërshtarëve, do të varet prej të vetëve, me të cilët nuk ja doli të jetë komplementar aq sa do duhej. Ndërsa e ardhmja e dy ish bashkëpunëtorëve të tij më të afërt do të jetë në varësi të provës së parë në zgjedhjet e vjeshtës. Shtimi i një subjekti të ri e bën më spektakolare lojën politike në Kosovë rezultati i së cilës mbetet në dorë të qytetarëve.


Shkrimi u publikua sot (13.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)