Përmbledhja e njohur me tregime “Parullat me gurë” e shkrimtarit Ylljet Aliçka, këto ditë u botua në gjuhën gjermane. Vepra u përkthye nga Edmond Ludwig dhe është botuar nga shtëpia botuese MAS. Me rastin e këtij botimi, botuesi gjerman shkruan: “krahas historive të thjeshta të vendit të tij, Shqipërisë, nën regjimin stalinist të Enver Hoxhës, në tregimet e tij, autori përshkruan ndodhitë, po aq absurde të tranzicionit postkomunist.”
Disa vite më parë, pas botimit të këtij libri në polonisht,shkrimtari i njohur polak, Riçzard Kapuçinski, ndër të tjera ka shkruar: “… i lexova me emocion dhe konsideratë të lartë, fjala është për disa tregime të shkurtra të një letërsie të madhe...”
Varianti gjerman i “Parullave” të Aliçkës, pason botimet e këtij libri në frëngjisht, italisht, çekisht, anglisht dhe polonisht, si dhe filmin e mirënjohur të regjisorit Gjergj Xhuvani “Sllogans”, me skenar të autorit vetë, autorit të “Parrulla”-ve. Në rastin e botimit në Francë, shumë vite më parë, atje ku nisi dhe fama e librit “Parullat me gurë” përkthimi është bërë nga ish ambasadori francez në Tiranë, Patrick Chrismant. Filmi “Slogan” i mbështetur në veprën “Parullat”, në vitin 2003 fitoi çmim në festivalin prestigjioz të Kanës. Patrick Chrismant ka shkruar për “Parullat” ndër të tjera: “Të mos harrojmë, megjithatë, se Ylljet Aliçka shkruan në një kohë kur ëndrrat janë shembur: ëndrrat e një shoqërie të drejtë dhe pa klasa, ëndrra e çuarjes marramendësi drejt një sistemi ekonomik të urryer për një gjysmë-shekulli, ëndrra e integrimit të përshpejtuar në gjirin e bashkësisë politike dhe ushtarake euro-atlantike.”
Ndërsa Jean Soublin në gazetën “Le Monde” është shprehur se “përgjatë makthit të Partisë, ashtu edhe nën anarkinë liberale që e zëvendësoi atë, mbetet e njëjta shpërbërje morale që i zhvlerëson personazhet e Aliçkës… Ky është absurdi me të gjitha format e tij që të çon tinëzisht drejt poshtërsisë.”
Pierre Hazan në “Le Temps” ka folur për mesazhin thelbësor të veprës: “Trembëdhjetë tregime nga ku kupton se ideologjia s’është veçse një guaskë boshe.” Ndërsa kur u përkthye në gjuhën italiane, Giuseppe Pontiggia në “Il sole 24 orë” ka shkruar se: “Parullat” e Aliçkës janë vlerësuar në “Nga rrjedhshmëria e rrëfimit dhe përzgjedhja e fjalëve, Aliçka më duket një mirazh i realizuar.” I vlerësuar për mjeshtërinë e nëntekstit dhe për humorin e tij të zi befasues e njëkohësisht të magjishëm, Aliçka iu jep të gjithave vendeve të botës një pasqyrë të qartë për zymtësinë e jetës gjatë diktaturës komuniste në atdheun e tij.
Ylljet Aliçkaj, një ndër shkrimtarët më të përkthyer në botë
Shkrimtari shqiptar Ylljet Aliçkaj ka nisur të botojë letërsi në vitin 1996. Libri i tij i parë është një përmbledhje me tregime. Në vitin 2000, ai botoi romanin “Kompromisi”, i cili do ta rendiste ndër autorët interesantë në letrat shqipe pas viteve ’90. Aliçkaj ka botuar librat “Parullat me gurë” (2003) i cili do të ekranizohej më pas nga regjisori Gjergj Xhuvani, “Një rrëfenjë me ndërkombëtarë” (2006”. Librat e tij janë përkthyer në frëngjisht, polonisht, anglisht, italisht, e etj, e së fundi në gjuhën esperanto. Ai është autor i disa skenarëve me të cilët është vlerësuar dhe me çmime.
Ka botuar në gjuhë të huaj: “Les slogans de pierre”, përmbledhje me tregime, Francë. “Kompromisi”- Poloni, “I slogani di pietra”- Itali, “Balkan blood, Balkan beauty”, SHBA. Në fushën kinematografike është mjaft i njohur me skenarët e filmave: “Parullat”, bashkëprodhim franko-shqiptar, Kronikë provinciale, bashkëprodhim franko-italo-shqiptar; Ndodhi shqiptare. Është vlerësuar me mjaft çmime letrare e kinematografike, si: çmimi “Teramo”, Itali, 2000; çmimi i dytë, “Arts et Lettres de France”, Francë, 2000; medalje bronzi nga “Academie Internationale de Lutece”, Francë, 2001; “Penda e Argjendtë”, në prozë, nga Ministria e Kulturës, Rinisë e Sporteve, 2001; çmimi i parë, si skenari më i mirë, “Festivali i filmit shqiptar”, 2006; libri më i mirë artistik i vitit, “Akademia KULT”, 2006.etj.