Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi nuk ka bërë asnjë deklaratë politike në këto 51 ditë karantinë të vendit. Por duket se heshtja ka marrë fund dhe Kryemadhi i është rikthyer akuzave politike duke u shprehur qartë 'të fitojmë kohën e humbur'.

Ajo ka zhvilluar një takim me biznesin fason dhe ka kërkuar mbështetjen e këtij biznesi pasi është gjeneratori i punësimit të mijëra qytetarëve. Kryemadhi akuzoi qeverinë se nuk mbështet këtë sektor duke i kërkuar një paketë urgjente ekonomike në mënyrë për të siguruar vijimësinë e pagesës së punonjësve dhe sigurimin e vazhdimit të këtij biznesi

"Sot zhvillova një takim me përfaqësuesit e Fasonistëve të Bashkuar, ndamë shqetësimet emergjente me të cilat po përballet ky sektor, i cili është jetik për sa i takon punësimit masiv që realizon. Sektori fason, sipërmarrësit dhe gjithë punonjësit e tij janë goditur rëndë nga keqmenaxhimi i situatës ekonomike nga ana e qeverisë. Mijëra familje të thjeshta shqiptare sigurojnë mbijetesën me pagat e realizuara në biznesin fason. Tashmë dihet që ky biznes është përballur vazhdimisht me vështirësi të shumta për sa i takon procedurave burokratike, të padrejta dhe jo stimuluese, duke funksionuar me vështirësi më të mëdha se çdo biznes fason në vendet e tjera në rajon. Kërkohet një paketë urgjente ekonomike për sektorin fason, për të siguruar vijimësinë e pagesës së punonjësve dhe sigurimin e vazhdimit të këtij biznesi. Të mbrosh biznesin fason do të thotë të mbrosh mijëra të punësuar. Ndaj edhe një herë distancohemi prerë nga gjuha e papranueshme e qeverisë dhe mungesa e plotë e gatishmërisë për mbështetjen e këtij biznesi. Nuk kemi kohë për të humbur me propagandën e kryeministrit të Facebook. Duhet të shkrijmë akujt që prej 2 muajsh kanë ngurtësuar jetën dhe ekonominë e shqiptarëve, të fitojmë kohën e humbur duke jetuar e punuar 365 ditë të vitit. Çdo ditë me vendime eksperimentale është humbje e madhe për ekonominë shqiptare, për familjen shqiptare dhe Shqipërinë", shprehet Kryemadhi.