TIRANË- Menjëherë, pas përfundimit të provimit të matematikës, disa maturantë janë mbledhur për të tretën herë radhazi në protestë përpara ministrisë së Arsimit.

Kërkesa e tyre është e qartë, kërkojnë rivlerësim të provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, pasi sipas tyre formulimi i testit kishte shumë pasaktësi, ku pyetjet më shumë ngatërronin nxënësit, se testonin njohuritë e tyre të marra përgjatë këtyre 3 viteve. Edhe pse ministria e Arsimit ka deklaruar se nuk do të ketë një rivlerësim të provimit, ato kanë vijuar protestën edhe ditën e sotme deri në plotësimin e kësaj kërkese, duke qenë të bindur në të drejtën e tyre, teksa më herët kanë përgatitur një draft me 10 pika ku janpin argumente se përse testet duhet të rivlerësohen nga e para. 

Pa maska, ngjitur me njëri- tjetrin, maturantët kanë bllokuar rrugën te Ministria e Arsimit, duke u ulur këmbëkryq. Ajo që vihet re, ndryshe nga protestat e tjera, studentët nuk mbajnë në duar pankarta, kjo pasi kanë dalë në protestë menjëherë pas përfundimit të provimit të matematikës.

Pyetja që ngjalli më shumë pakënaqësi e që bëri që maturantët të ngriheshin në protestë ishte pyetja e famshme "Çfarë bëri Turi", por edhe përfshirja e shkrimtarit Lasgush Poradeci, i cilësuar prej tyre si shumë filozofik dhe i vështirë për brezin e tyre. Por në një kohë që maturantët protestojnë prej 3 ditësh, ministrja Besa Shahini i ka cilësuar këto si protestat të stër-politizuara, e ndërsa duke u ndalur tek përmbajtja e testit, ajo tha se nuk kishin qëllim që të testonin vetëm njohuritë, por edhe aftësitë për t'i vënë ato në jetë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:17
'S'na ka mbetur asgjë për të humbur'/ Maturantët fletushka në shkollë...thirrje për protestë: Shpëto të ardhmen

Në dyert e shkollave, ku do të zhvillohet provimi i matematikës, është shpërndarë një fletushkë ku u bëjnë thirrje për një pjesëmarrje sa më të madhe në protestën e thirrur ditën e sotme. Motoja e kësaj proteste është "shpëto të ardhmen".

"Nëse abuzimi me testin nuk ishte mjaftueshëm i kobshëm sa për të të nxjerrë në rrugë, sot, në orët e pasdites u abuzua me dinjitetin e rinisë që do të kërkojë të drejtat e saj. Dil në rrugë për mundin tënd, për orët e tëra duke studiuak për presionin e paaftësisë që na ka rrethuar. Merr nesër me vete prindërit, motrat dhe vëllezërit për kauzën e përbashkët, arsim dinjitoz. Nuk ka mbetur më gjë për të humbur, kur po na bëjnë të humbim vetveten", shkruhet në pankartat e afishuara në dyer e shkollave.