Në Prishtinë deklaratat e ministres serbe të pushtetit lokal dhe administratës Snezhana Paunoviç vijon të jehojnë. Këtë të premte avokati dhe aktivisti Gent Gjini dorëzoi një kallëzim penal ndaj ministres, në Prokurorinë Speciale të Kosovës. Deklaratat sipas tij cenojnë drejtpërdrejtë sigurinë e Kosovës dhe kërkoi që Interpoli të lëshojë një urdhër arresti për të.
"Ky veprim i saj neve na shqetëson sepse duhet ditur që kjo ministre është në qeverinë aktuale. Kjo na cenon neve. Duhet domosdoshmërisht të përfshihet dhe faktori ndërkombëtarë si INTERPOL, dhe ndaj kësaj ministre të pandërgjegjshme e shoviniste të iniciohet procedure e flet arrestit ndërkombëtarë dhe në momentin e kapjes së saj, ne do kërkojmë ndihmë edhe nga misioni i OKB-së dhe NATO, sepse duke ditur që ajo flet për spastrim etnik ndaj shqiptarëve, duhet ditur se NATO na ka çliruar nga spastrimi etnik gjakatar i Millosheviqit", tha Gent Gjini.
Përveçse kërkoi dorëheqjen e saj nga pozita e ministres, Gjini shpreh rezerva për qasjen e qeverisë në Prishtinë. Vendimin e Ministrisë së Punëve të brendshme, që e shpalli non grata anëtaren e qeverisë serbe avokati Gjini e cilëson qesharake dhe kërkon bashkëpunim me institucionet e huaja ligjzbatuese për arrestimin e saj.
"Kjo është qesharake në raport me pasojat çka paraqet për ne si popull dhe që cenon rendin kushtetues dhe publik. Unë do të kërkoj që Prokuroria Speciale të aktivizohet, të kërkoj ndihmën e FBI dhe INTERPOL dhe e njëjta të kapet sa me parë”, tha ai.
Kallëzimi i Gjinit është i dyti që bëhet ndaj Paunoviç pasi më herët ishte ministrja e drejtësisë Donika Gërvalla e cila dërgoi një të tillë në prokurori me argumentin e veprës penale të përçarjes.
Paunoviç, për deklaratën e saj për spastrim etnik në Kosovë, i kërkoi falje presidentit të Serbisë Vuçiç, por jo shqiptarëve. Deklaratën ajo e bëri gjatë një emisioni për Kuririn serb, fundjavën e kaluar, ndërsa këtë të premte ajo në një intervistë për televizionin serb PRVA tentoi të ndryshojë fjalët kur tha se nuk kishte nënkuptuar vrasje të shqiptarëve kur tha spastrim etnik, por pastrim me vullnetin e lirë të komunitetit.
Komente







