Pas Piro Sotës, përjashtohet nga drejtësia edhe gjyqtari Ergys Selamani, vonoi urdhrin e mbrojtjes për Liljana Rukën nga bashkëshorti vrasës

Gjyqtari Ergys Selamani dhe salla e Vetingut

TIRANË-Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur të përjashtojë për 15 vite nga drejtësia gjyqtarët Ergys Selamani dhe Arben Mullaj, pas vendimit të tyre për të dhënë dorëheqjen, një lëvizje kjo taktike për të evituar përballjen me Vetingun. Procesi i Vetingut për gjyqtarin e Fierit Ergys Selmani kishte nisur që në dhjetor të vitit 2019. Në 8 korrik 2021, Komisioni i Vetingut i dërgoi gjyqtarit rezultatet e hetimit, duke i lënë disa ditë afat për të paraqitur prapësimet e tij. Gjyqtari Selmani ka paraqitur dorëheqjen në KLGJ dy javë më pas. Në 10 shtator 2021, Komisioni i Vetingut ka vendosur të ndërpresë procesin e Vetingut për gjyqtarin Selmani, duke e përjashtuar nga drejta për t’u bërë pjesë e drejtësisë për 15 vitet e ardhshme.

Ndërkaq, procesi i verifikimit për gjyqtarin e Tiranës Arben Mullaj kishte nisur në dhjetor 2019. Me datë 13 korrik 2021, Mullaj është njohur me rezultatet e hetimit, ndërsa në datën 15 korrik ka dhënë dorëheqjen. Ditën e djeshme, KPK-ja ka vendosur të ndërpresë procesin e Vetingut për gjyqtarin Mullaj, duke e përjashtuar gjithashtu nga drejtësia. Po gjatë ditës së djeshme, Komisioni i Vetingut ka përjashtuar nga drejtësia edhe Gent Pejon, ndihmës ligjor pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, pas dorëheqjes së tij.

Ergys Selamani është një emër i njohur dhe i lakuar në sistemin e drejtësisë. Në vitin 2018, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, i kërkoi ish Këshillit të Lartë të Drejtësisë shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Selmani, pasi sipas ministres, kishte vonuar zbardhjen e urdhrit për mbrojtjen e të ndjerës Liljana Ruka, e cila u vra nga bashkëshorti i saj, Ferdinand Rukaj.

Liljana Ruka kishte kërkuar mbrojte në gjykatë. Meqenëse policia nuk kishte një urdhër në dorë, Ferdinand Ruka shkoi në banesë dhe e hodhi Liljanën nga kati i katërt i pallatit, duke i shkaktuar humbjen e jetës. Ngjarja tronditi opinionin publik, ndërsa një hetim i Ministrisë së Drejtësisë nxori në hap shkelje të rënda nga gjyqtari Ergys Selmani, i cili vonoi zbardhjen e urdhrit të mbrojtjes, duke pamundësuar ndërhyrjen e policisë për të mbajtur larg Liljana Rukës bashkëshortin vrarës.

Megjithatë, KLD-ja refuzoi ndëshkimin e gjyqtarit Ergys Selmani, në kuadër të praktikës së mbrojtjes të gjyqtarëve të përfshirë në shkelje të rënda dhe praktika abuzive. U desh veprimi i ligjit të Vetingut për t’i ndërprerë karrierën gjyqtarit, Ergys Selmani, i cili ka deklaruar edhe 29 mijë euro dhuratë.

Paraditen e 9 shtatorit, Komisioni i Vetingut ka përjashtuar nga drejtësia edhe gjyqtarin tjetër të Fierit, Piro Sota, i cili liroi nga burgu vrasësin Elton Meta, i cili më pas vrau ish bashkëshorten e tij Sabrina Bengaj, një tjetër ngjarje kjo që ka tronditur opinionin publik. Piro Sota kishte liruar më parë të paktën edhe 4 perona të tjerë të akuzuar dhe të dënuar për vrasje.

K.T./KT/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A është e mjaftueshme rritja vjetore e pensioneve prej 5 për qind ashtu siç premtohet në programin e Rama 3?

Komento


×

Lajmi i fundit

John

‘Dilni jashtë, tërmet 8 ballë’, arrestohet 18-vjeçari në Golem, alarmoi banorët me altoparlant