TIRANË – Drejtues të kompanisë ajrore "Blue Panorama" kanë dalë në  një konferencë ditën e sotme pas problemeve të shumta në vonesa dhe dy ulje të detyruara vetëm gjatë fundit të muajit gusht dhe fillimit të Shtatorit për të cilat ka shkruar edhe Shqiptarja.com pas zbulimit të një prej uljeve emergjente në 29 gusht, që ishte mbajtur e fshehtë. 
 
Drejtuesit e kësaj kompanie në konferencën me gazetarët, përfaqësuesit e Aviacionit Civil dhe përfaqësues të agjencive turistike, njoftuan për bashkëpunimin e ri me kompaninë e re ajrore Albawings që nis prej 1 tetorit 2016.
 
Në konferencë kompania ajrore deklaroi se do të shtojë flotën ajrore nga 8 aeroplanë që ka pasur në 12 aeroplanë gjatë sezoneve të larta duke shmangur në këtë mënyrë problemet me vonesat në të ardhmen, pas ankesave të shumta nga qytetarët dhe lajmet në media për vonesat që në disa raste kanë qënë 9 – 11 orë.
 
Gjatë konferencës janë dhenë shpjegime për vonesat e fluturimeve por nuk ka pasur një koment për 4 incidentet ajrore të shmangura kur gjatë mujit prill dhe maj 2015, dy aeroplanë të Blue Panorama kryen ulje të detyruar në aeroportin "Nënë Tereza" pas një defekti. Ndërsa në gusht të këtij viti u kryen dy ulje të tjera emergjente, në 31 gusht linja Tiranë- Malpensa edhe në 29 gusht linja Tiranë- Bolonja e cila u mbajt e fshehtë dhe u zbulua nga Shqiptarja.com.
 
Avioni i nisur në fluturim në 31 gusht pati një problem me transponderin dhe u rikthye në Rinas ndërsa për fluturimin tjetër që kreu ulje të detyruar në 29 gusht duke shmangur ndonjë aksident ajror, nuk ka pasur një asnjë koment gjatë konferencës.
 
Drejtuesit e kompanisë kanë deklaruar se do të ofrojnë më shumë siguri për pasagjerët e bashkëpunëtorët për vijueshmërinë e fluturimeve me 10 destinacione Italiane (e anasjelltas) me 56 frekuenca javore dhe se kanë lançuar edhe 3 destinacione të reja: Torino, Treviso, Firenze.
 
Mbetet për t’u parë nëse do të ketë probleme në fluturime pas bashkëpunimit të ri të dy kompanive  Blue Panorma dhe Albawings.

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)