“Atyre dy të huajve u kërkojmë ndjesë dhe shpreh keqardhje se nuk duhej kurrsesi dhe po të dihej se është qendër kulturore dhe se aty ka të huaj, kjo nuk mund të ndodhte. Unë e mora vesh që ajo është shndërruar qendër kulturore absolutisht pasi ndodhi ngjarja”, kështu u shpreh Sali Berisha këtë të hënë, pasi doli nga SPAK, si i pandehur për korrupsion.

Në tentativë për të bërë një prapakthehu për sulmin që vetë drejtoi me bomba molotovë në vilën 31, pas reagimit të ashpër ndërkombëtar, Sali Berisha edhe “kërkim faljen” e bën me të pavërteta.

Para SPAK, ku ishte për masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’ për aferën ‘Partizani’, Sali Berisha, nën insistimin e Report Tv për t’i marrë një reagim, gënjeu kur tha se në vilën 31 ishin vetëm dy të huaj. Është e konfirmuar nga vetë artistët e “Art Explora” por edhe burime të tjera se në momentin e hedhjes së dhjetëra bombave molotovë, brenda në godinë ishin 13 persona, 10 artistë të huaj dhe 3 shqiptarë staf. Berisha nuk thotë të vërtetën gjithashtu se ‘kryengritësit’ e tij nuk e dinin se brenda vilës 31 në ato momente kishte banorë.


“Jo, por nuk e kanë ditur se janë aty. Aty nuk kishte njeri, ata nuk panë njeri aty, ata kanë menduar se nuk ka njeri.”, u shpreh Berisha.

Pamjet janë mëse të qarta të artistëve në alarm që vraponin brenda godinës. Edhe një foto e shpërndarë në mënyrë triumfale nga vetë nga Partia Demokratike evidenton qartë artistët brenda godinës.

Pretendimi tjetër se nuk e dinte që Vila 31 është shndërruar në qendër arti e vërteton hipokrizinë në këtë gjoja ndjesë.

“Unë për shembull e mora vesh pasi pyeta dhe më thanë se është bërë qendër kulturore”, tha Berisha.

Ka qenë një vizitë e bujshme e Presidentit francez Emmanuel Macron, kur tetorin e vitit 2023 u njoftua idea që ish-vila e diktatorit Enver Hoxha të kthehej në një qendër artistësh. Atëherë u firmos edhe marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe asaj franceze, pra gati 2 vite e gjysmë më parë.

Ndërsa janarin e vitit 2025 përmes një ceremonie të posaçme u inaugurua qendra e re kulturore. Vetëm 3 muaj më pas erdhën edhe rezidentët e parë nga të paktën 5 vende të ndryshme të botës, edhe kjo e njoftuar përmes një ceremonie tjetër të madhe. Që kryetari i opozitës të mos ketë dijeni për një zhvillim kaq të rëndësishëm, sidomos nga i mirëinformuari Berisha, duket aspak e besueshme.

Reagimi i Berishës nga SPAK, ku në fakt nuk është referuar për molotovët e së shtunës, sepse policia është mjaftuar vetëm me Klevis Balliun, duket se është i detyruar nga deklaratat e djeshme të ambasadës franceze në Tiranë dhe delegacionit të Bashkimit Evropian. Dhunë të një niveli të papranueshëm që vuri në rrezik jetët e artistëve e quajti Franca që i kërkoi organizatorëve të mbanin përgjegjësi. Rrezikimin e jetës së njerëzve edhe theksoi edhe Bashkimi Evropian që kërkoi vetëpërmbajte.

SI.E./I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Gaci: 02/03/2026 14:38

    Ai "nuk e dinte qe kishte te huaj....", poooor e dinte se atje ishte Rama! Pra qelloi per ta vrare Ramen!!! Çfare do me shume se kaq SPAK???

    Përgjigju
    • Anna: 02/03/2026 17:17

      Ajduti eshte shume i rrezikshem po themi se dhe te vret Po më i rrezikshem eshte vrrasesi O. spak o prokurore o gjykates kini mend e kokës në terezi

  • Sondazhi i ditës: 28 Shkurt, 17:02

    Si e vlerësoni sulmin e SHBA dhe Izraelit ndaj Iranit?