Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe Bashkimi Europian ka shprehur përpjekjet e disa liderëve të Ballkanit Perëndimor për të thelluar dhe forcuar integrimin gjithëpërfshirës.  Së fundmi ka qenë Ana Pisonero, zëdhënëse pranë  Komisionit Evropian, e cila e pyetur për qëndrimin për 'Open Balkan' ka nënvizuar se  BE-ja i mirëpret angazhimet e liderëve për bashkëpunim rajonal, derisa e thekson rëndësinë thelbësore të gjithëpërfshirjes.

Në një përgjigje për gazetën "Express", Pisonero thotë se duhet të përparohet për projektin e tregut të përbashkët.

“Ne i mirëpresim angazhimet e udhëheqësve për bashkëpunimin rajonal, një element thelbësor i perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe një pjesë integrale e Procesit të Stabilizim-Asociimit. Ne e kuptojmë dëshirën për të ecur përpara. Në të njëjtën kohë, një proces që e përfshin të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor është thelbësor. Në këtë kontekst, është e rëndësishme që rajoni të përparojë në krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal, një angazhim politik i marrë nga gjashtë udhëheqësit e rajonit në Samitin e Sofjes vjeshtën e kaluar”, thuhet në përgjigjen me shkrim të zëdhënëses së BE-së, Ana Pisonero.

Ajo në fund ka thënë se BE-ja është duke krijuar mundësi investimi në rajon përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve dhe se tashmë i takon rajonit që t’i shfrytëzojë këto mundësi në mënyrën e duhur.

“Ne po sjellim mundësi të rëndësishme investimi në rajon nëpërmjet Planit Ekonomik dhe atij të Investimeve. Tani i takon rajonit t’i përdorë ato mirë duke e shfrytëzuar potencialin e tij të plotë ekonomik dhe duke ngritur një treg të përbashkët rajonal bazuar në rregullat e BE-së”, ka përfunduar Pisonero.

Ditën e djeshme një zëdhënës i DASH i tha Zërit të Amerikës se  SHBA u bëjnë thirrje udhëheqësve në rajon “të përpiqen për të gjetur mundësi për reduktimin e pengesave tregtare, rritjen e konkurrencës ekonomike dhe ndërtimin e ekonomive të integruara, dinamike në shërbim të qytetarëve të tyre”. Thuajse në të njëjtën linjë ka qenë së fundmi edhe Qeveria gjermane, e cila kërkon gjithëpërfshirje. 

Pasi qeveria gjermane ka dalë hapur në mbështjetje të nismës "Ballkani i Hapur", ka reaguar kryeministri Edi Rama. Kryeministri thotë qe qeveria gjermane përveçse e mbështet nismën kërkon me urgjencë që të nënshkruhet marrëveshja për Tregun e Përbashkët Rajonal para Samitit BE-Ballkan në 6 tetor.

Në iniciativën “Ballkani i Hapur”, që më herët njihej me termin “mini-Shengeni”, marrin pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Kryeministri  Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, nënshkruan një deklaratë të përbashkët, e cila bazohej në zbatimin e lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve. 

Me 29 korrik 2021, kur “mini-Shengeni” e ndryshoi emrin gjatë një forumi ekonomik në Shkup, Rama, Vuçiq dhe Zaev edhe njëherë i ftuan vendet e tjera të rajonit që t’i bashkohen nismës. Nismat për bashkëpunim rajonal po i përkrahin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania. Megjithatë kësaj nisme s’po i bashkohet Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina. Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, mendon se iniciativa e “mini-Shengenit” është nismë pa vizion për rajonin.