6 ministrat dhe zv/kryeministrja e re në detyrë, janë betuar sot përpara presidentit të Republikës Bajram Begaj pas marrjes së votëbesimit dje në Kuvendin e Shqipërisë në mes të kaosit e PD. Përpos ndryshimeve në disa dikastere, janë 4 ministra të rinj që i bashkohen kabinetit të qeverisë së Edi Ramës.
Ferit Hoxha është diplomati, i cili tashmë do të drejtojë Ministrinë e Jashtme. Enea Karakaçi, i cili ka mbajtur deri më tani postin e drejtorit të OSHEE-së, është emëruar ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, duke zënë vendin e Belinda Ballukut.
Ermal Nufi do të jetë ministri i ri i Mbrojtjes, i cili deri më sot ka mbajtur postin e zv/sekretarit të Përgjithshëm në Kryeministri. Erion Ismaili do të drejtojë Ministrinë e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentit.
Albana Koçiu tashmë do të mbajë postin e zv/kryeministres, ndërsa Ministra e Brendshme i është besuar Besfort Lamallarit, i cili për 6 muaj ka drejtuar Ministrinë e Drejtësisë. Vendi i Lamallarit tashmë i është besuar Toni Gogut. Nga kabineti janë larguar Belinda Balluku, Elisa Spiropali dhe Pirro Vengu.
Po sot, ministrat e rinj po marrin pjesë në mbledhjen e parë të qeverisë.
Ndryshimet në kabinet u votëbesuan dje në Kuvend në mes të kaosit të krijuar nga Partia Demokratike. Foltorja u bllokua nga Berisha dhe deputetët e tjerë, të cilët nuk morën pjesë as në procesin e votimit.

Ministri i ri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka deklaruar se dosja e parë në tryezën e tij është ‘përditësimi me situatën e sigurisë në vendet e Lindjes së Mesme, si pasojë e përshkallëzimit ushtarak në rajon, dhe në veçanti, analizimi i detajuar i problematikave dhe nevojave të qytetarëve shqiptarë, rezidentë apo me qëndrim të përkohshëm në këto vende.’
Përmes një postimi në faqen zyrtare të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme në Facebook, shtabi i posaçëm i ngritur pranë kësaj ministrie, po ndjek me vëmendje maksimale çdo zhvillim, duke qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me shqiptarët në Lindjen e Mesme.
Po ashtu në njoftim thuhet se strukturat e Shërbimit të Jashtëm, në bashkëpunim me institucionet e tjera, janë në gatishmëri të plotë për të marrë çdo masë të nevojshme në varësi të zhvillimeve në vendet e prekura dhe për t'iu përgjigjur çdo situate.
Postimi i Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme:
Në ditën e parë të punës, dosja e parë në tavolinën time: përditësimi me situatën e sigurisë në vendet e Lindjes së Mesme, si pasojë e përshkallëzimit ushtarak në rajon, dhe në veçanti, analizimi i detajuar i problematikave dhe nevojave të qytetarëve shqiptarë, rezidentë apo me qëndrim të përkohshëm në këto vende.
Shtabi i posaçëm i ngritur në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe ekipi drejtues i institucionit, në koordinim të ngushtë me përfaqësitë tona diplomatike në rajon, të cilat i falënderoj për angazhimin dhe përkushtimin profesional, po ndjek në mënyrë të pandërprerë dhe me vëmendje maksimale çdo zhvillim, duke qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët tanë dhe pranë kujtdo që ka nevojë për informacion, këshillim dhe asistencë.
Strukturat e Shërbimit të Jashtëm, në bashkëpunim me institucionet e tjera, janë në gatishmëri të plotë për të marrë çdo masë të nevojshme në varësi të zhvillimeve në vendet e prekura dhe për t'iu përgjigjur përshtatshmërisht çdo situate.
Siguria dhe mirëqenia e shtetasve tanë mbeten përparësi absolute.
Këshilli i Ministrave zhvilloi sot mbledhjen e parë pas ndryshimeve në qeveri. Pas betimit, ministrat e rinj morën pjesë në mbledhjen e qeverisë. Është kryeministri Edi Rama i cili ka ndarë disa pamje nga mbledhja, ku ai dallohet krah zv.kryeministres së re Albana Koçiu, ndërsa në tryezë janë të gjithë ministrat, përfshirë edhe 3 të rinjtë, Ferit Hoxha, Ermal Nufi dhe Enea Karakaçi.
Ministrja e re e kabinetit të Ramës, Eriona Ismaili ka shkuar me taksi në Pallatin e Brigadave, aty ku është zhvilluar ceremonia për betimin e ministrave të rinj në qeveri. Ndryshe nga sa jemi mësuar që ministrat të lëvizin me makinat e shtetit, Ismaili ka zgjedhur si mjet transporti në taksi.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka ndarë një postim në rrjetet sociale pas betimit të tij para presidentit. Ndërsa shpreh mirënjohjen për këtë detyrë të re, ai shkruan se do të vazhdojë të punojë për përmbushjen e misionit në politikën e jashtme, ku në qendër është procesi i anëtarësimit në BE.
Më pas, ndërsa vlerëson rritjen e peshës dhe besueshmërisë së Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, shton se do të vijojë puna në dobi të respektit dhe suksesit të saj në arenën euroatlantike e globale.
“Për dikë që ka shërbyer me devotshmëri për më shumë se tri dekada e gjysmë si nëpunës publik dhe si anëtar i Shërbimit të Jashtëm, nuk ka nder më të madh sesa ngjitja në përgjegjësinë e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, në një moment kaq të rëndësishëm për vendin tonë.
Dua të falënderoj Kryeministrin Rama dhe Presidentin Begaj për besimin që më kanë dhënë, një privilegj të madh por edhe detyrim i lartë ndaj shtetit dhe qytetarëve të Shqipërisë.
Gjatë gjithë karrierës sime kam pasur nderin ta përfaqësoj flamurin kuq e zi në organizata ndërkombëtare dhe kryeqytete të rëndësishme, me bindjen e palëkundur se shërbimi ndaj vendit është detyra më e lartë e një nëpunësi publik. Kjo përvojë më ka dhënë mundësinë të shoh nga afër se sa shumë është rritur pesha dhe besueshmëria e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, dhe se zëri ynë dëgjohet sot me më shumë respekt dhe vëmendje.
Se së bashku me kolegët e mi në Shërbimin e Jashtëm dhe me të gjitha institucionet e përfshira në hartimin dhe zbatimin e politikës së jashtme, do të vazhdojmë të punojmë për të përmbushur me dinjitet misionin tonë në shërbim të Republikës së Shqipërisë, duke jetësuar përparësitë e programit të qeverisë në politikën e jashtme, në zemër të të cilit qëndron pakthyeshëm procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Me përkushtim, përgjegjësi dhe besim në potencialin e vendit tonë, të udhëhequr nga parimi themelor - interesi ynë kombëtar - do të punojmë që Shqipëria të jetë gjithnjë e më e respektuar, më e dëgjuar dhe më e suksesshme, në hapësirën euroatlantike dhe arenën globale”, shprehet Hoxha.

Besfort Lamallari është betuar në Presidencë si Ministër i Brendshëm i Shqipërisë. Pas ceremonisë së betimit, përmes një reagimi ai theksoi përgjegjësinë që merr me këtë detyrë dhe angazhimin për forcimin e sigurisë dhe të sundimit të ligjit.
Lamallari shprehet se e merr këtë detyrë me përgjegjësi të madhe, përulësi dhe vendosmëri për t’i shërbyer vendit dhe qytetarëve me integritet, profesionalizëm dhe përkushtim të plotë.
Reagimi i plotë:
Betimi te Presidenti i Republikës si Ministër i Brendshëm. E marr këtë detyrë me përgjegjësi të madhe, me përulësi, por edhe me vendosmërinë për t’i shërbyer vendit dhe qytetarëve me integritet, profesionalizëm dhe përkushtim të plotë. Do të punojmë së bashku për të ngritur standardet e sigurisë në nivelin e vendeve të Bashkimit Europian, duke përshpejtuar çdo hap të përafrimit të institucioneve tona me praktikat dhe standardet më të mira. Falënderues kryemistrit Rama për besimin e dhënë dhe Partisë Socialiste. Përgjegjësia tani është të veprojmë me vendosmëri dhe rezultate e së bashku të jemi në lartësinë e nevojave dhe pritshmërive të qytetarëve dhe të qëndrojmë përballë kujtdo që shkel ligjin.
Komente











