Një mori denoncimesh politike e kanë burimin tek roli dhe aktiviteti i ekipit drejtues politik në Ministrinë e Mbrojtjes. Akuza për financime elektorale politike (përmes reklamave), për shkelje të kushtetutës dhe ligjeve në financimin dhe pajisjen me armë (përmes blerjeve të 19 janarit), për mungesë transparence dhe emërime nepotike (për rokadën në ushtri) apo për veprime në kundërshtim me interesat kombëtare (kontratat për armët me kompanitë serbe) e kanë shndërruar Ministrinë e Mbrojtjes në një target politik e mediatik, si asnjëherë më parë. Vetë Ministria mbrohet në forma të ndryshme: institucionale (në emër të sekretit shtetëror), partiake (duke sulmuar ashpër opozitën), folklorike (duke evokuar politikën izoluese të regjimit të vjetër ndaj NATO-s). Midis këtyre dy pozicioneve mund të ketë të vërteta dhe spekulime, por me siguri ekzistojnë disa tregues për të cilët nuk ka dilemë dhe pranohen nga të gjithë. E para, diçka nuk funksionon në piramidën shtetërore ushtarake. Një shef shtabi që sulmon ashpër kryekomandantin (Presidentin) madje edhe në kundërshtim me kushtetutën (emërimi në Forcat Detare) dhe kështu bëhet pjesë e një loje politike të panevojshme dhe me ndikim në uljen e imazhit publik të ushtrisë.

Ligji përcakton qartë ndarjen midis vendimmarrjes ushtarake dhe civile në piramidën e mbrojtjes, por koha e faktet po tregojnë se një hierarki politike e standardit të mesëm në ushtri e ka të vështirë të krijojë sistem vlerash, pavarësi veprimi dhe respektim rigoroz të ligjit. Një staf civil që me ligj i ndalohet aktiviteti politik dhe që publikisht investohet në fushata politike, madje edhe kundër Presidentit të Republikës. Duket qartë se stafi politik në strukturën e mbrojtjes duket se kontrollon gjithçka, drejton gjithçka dhe i jep institucionit atë që nuk e ka asnjë shtet tjetër në NATO, një natyrë politike e thellësisht partiake, konfliktuale me publikun, opozitën dhe pjesën integrale të piramidës ushtarake. E dyta, në institucionin e mbrojtjes nuk ka një standard të ri sjelljeve midis Shqipërisë kandidate dhe Shqipërisë në NATO. Çdo vend ish komunist anëtar në NATO e ka bërë dukshëm diferencën, kurse tek ne sjellja mbetet gati e njëjtë me gjysmën e parë të viteve 90 kur prestigji i forcave të armatosura komprometohej nga sjellje të njëanshme politike, keqpërdorim elektoral dhe abuzim me asetet publike të mbrojtjes. P.sh, në një vend të NATO nuk mund të ndodhë që në Ministrinë e Mbrojtjes të bëhen konferenca shtypi thellësisht partiake kundër një pale politike, që mjetet ushtarake të përdoren për mitingje dhe aktivitete elektorale, që buxheti ushtarak të përdoret për financime të dukshme elektorale apo që zyrtarët e emëruar të refuzojnë kontrollin kushtetues parlamentar.

Për më tepër, ndryshe nga vendet e tjera në NATO, Shqipëria prej vitesh nuk ka strategji integrale të sigurisë, një dokument të plotë, publik, të pranuar dhe miratuar nga strukturat përkatëse, ku përcaktohen detyrat, përgjegjësitë, limitet dhe konturet e veprimit në të gjitha çështjet e sigurisë. E treta, ka një hendek të madh në raportet midis politikës dhe mbrojtjes. Mazhoranca nuk ka një qëndrim për problemet e mbrojtjes, kurse opozita e trajton atë pa dinjitetin e merituar, me fushata denigruese, për akuza që më shumë se me Forcat e Armatosura lidhen me individë zyrtarë apo vetë titullarin e qeverisë. Një opozitë serioze politike do të duhej të shfrytëzonte mekanizmat parlamentar dhe ligjor kushtetues për çdo pretendim të saj, duke hequr dorë nga praktika e gabuar, sipas të cilës, në fillim bëhet publike pretenca e fajësisë dhe pastaj kërkohen fakte për ta provuar atë. E katërta, në gjithë këtë debat janë lënë jashtë mekanizmat kushtetues të trajtimit të çështjeve të sigurisë dhe mbrojtjes. Nuk është mbledhur asnjëherë Këshilli I Sigurisë Kombëtare, Presidenti nuk ka ndërmarrë asnjë veprim si kryekomandant, kryeministri nuk ka mbledhur këshillin e tij të sigurisë dhe as qeveria nuk e ka trajtuar asnjëherë këtë problematikë.

Parlamenti nuk ka ushtruar asnjë prej kompetencave e përgjegjësive të tij kushtetuese: p.sh, séance dëgjimore në komisionin e sigurisë, komision hetimor parlamentar, komision faktmbledhës me të gjithë aktorët e përfshirë në debat, interpelancë apo seancë pyetjesh në parlament, seancë të mbyllur apo të hapur debati parlamentar, etj. Po ashtu struktura më e lartë e mbrojtjes (Shtabi i Përgjithshëm) nuk ka zhvilluar asnjë analizë me përfundim publik, dhe kështu, asnjë nga mekanizmat e brendshëm të kontrollit nuk ka dhënë përgjigje për asnjë prej akuzave dhe pretendimeve të palëve. Së fundi, debati tregon dukshëm dobësinë e sistemit qeverisës dhe të demokracisë në Shqipëri. Zyrtarët e lartë, politikë e civilë, deputetë, ministra e kryeministër, sillen me një shpërfillje të dukshme ndaj përgjegjësive publike, duke e trajtuar këtë çështje si sekret shtetëror apo çështje jashtë interesit publik. Në një vend demokratik palët nuk kanë përgjegjësi përgjigjeje serioze ndaj palëve të përfshira apo mekanizmave kushtetuese, por sidomos kanë përgjegjësi përpara publikut. Të gjitha organet e sigurisë paguhen me para publike, kanë mision kushtetues në dobi të publikut, investohen e votohen nga qytetarët dhe natyrshëm kanë përgjegjësi përpara publikut. Edhe pa i akuzuar askush, ata kanë përgjegjësi që në çdo kohë të tregojnë publikisht se ku shkojnë paratë dhe besimi ynë, si respektohet hierarkia e vlerave dhe aftësia profesionale në emërime, etj. Sekreti shtetëror ka vlerën dhe kornizën e tij të domosdoshme, por kur hidhen hipoteza institucionale e politike për partneritet biznesi ushtarak me vende si Serbia, apo për skandale të dukshme abuzimesh politike, ushtarake dhe elektorale, nuk kemi të bëjmë më me sekrete shtetërore. Presidenti Regan për një rast të tillë desh u bë presidenti i dytë amerikan i shkarkuar, në Francë, Gjermani, Britani apo Itali raste të tillë sjellin termet politik dhe ndryshim të elitave vendimmarrëse, kurse tek ne ato trajtohen me më pak seriozitet sesa p.sh, batutat banale midis dy deputetëve në komisionin parlamentar të ligjeve. Duke qenë njohës me përvojë i marrëdhënieve institucioneve dhe çështjeve të sigurisë nuk kam arsye, bindje dhe as synim të arrij në konkluzionin se akuzat e palëve janë të sakta.

Askush nuk e ka këtë pushtet përmes mekanizmave kushtetues dhe ligjorë që përmenda më lart. Por si qytetar dhe njeri publik kam bindjen e plotë se diçka nuk po funksionon si duhet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë (ushtri, polici e SHISH) dhe për këtë, kam tërë argumentin dhe të drejtën të ngre zërin për një reflektim dhe reagim institucional. Ky vend ka vuajtur aq shumë nga mbipushteti i partive-shtet sa ka nevojë jetike të krijojë sa më parë sistemin e qeverisjes përmes institucioneve, ku partitë kanë rol të kufizuar dhe të deleguar me vullnet e program politik në institucionet politike, siç përcaktohet edhe nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe ligji i funksionimit të partive politike. Duke pranuar standardin tonë parademokratik, mund të thuhet se ky vend mund të tolerojë përkohësisht një ministri arsimi, transporti, mjedisi apo shëndetësie që bën biznes politik me emërime, shkarkime, financime, por nuk ka luks, arsye dhe interes të tolerojë askënd që bën biznes politik e abuzim në çështje që lidhen me integritetin dhe interesin tonë madhor, siç janë organet e sigurisë, shërbimit dhe mbrojtjes. Një tender i padrejtë rruge sjell pasoja publike, por pasojat që sjell një vendimmarrje e gabuar në çështjet e sigurisë janë shumëfish më të larta për shtetin, për publikun, për imazhin e vendit, integritetin e tij dhe raportet e bashkëpunimit me partnerët tanë ndërkombëtarë. Misioni i institucioneve të sigurisë nuk është mbrojtja e qeverisë, por rendit kushtetues, pra qeverisjes, ku bëjnë pjesë ata që e votojnë qeverinë, ata që votojnë kundër apo refuzojnë votimin, struktura shtetërore dhe kushtetuese e vendit, interesat e saj madhore dhe elementët e përcaktuar të sigurisë kombëtare. Kjo është arsyeja që palët duhet të reflektojnë, për të zëvendësuar teserat e partive me kushtetutën dhe ligjet, urdhrat spekulativë partiakë e politikë me direktivat dhe kriteret standarde të modelit të NATO-s, dhe kështu, që debati mbi çështjet e sigurisë të zhvendoset nga rruga në institucione.

(Gre.M/Shqiptarja.com)