Në rastin e arrestimit të Erion Veliajt, “çudia” zgjati vetëm tre a katër ditë, në një atmosferë të fortë pre elektorale, më pas diskursi u ndalua. Por Edi Rama deklaroi atëherë  përafërsisht nëse kemi kafshuar gjuhën kur na janë ngulur thikat në trup, tani e mbrapa do ta themi tonën.

Duket se çasti ka mbërritur, që prej kërkesës në Kushtetuese për pezullimin, deklaratat për pagat e gjyqtarëve, draftin për shtesën në Kodin e Procedurës, apo qëndrime mbi ngjarjen konkrete siç ishte ajo e sotmja në takimin e AKSHI-it.

E gjithë kjo panoramë nuk është gjë tjetër veçse një betejë e fortë politike e mazhorancës, një kauzë apo temë, që do të sjellë padyshim pasojat e saj, që në radhë të parë janë politike, më pas edhe diplomatike apo imazhi.

Një betejë, dukshëm e përzgjedhur, edhe si një përgjigje por e llojit tjetër, qoftë e akuzave të opozitës ndaj Edi Ramës dhe ministrave të tjerë, apo edhe jehonës që krijojnë në opinion përhapja dhe debati mbi dosjet e ndryshme të SPAK, që më shumë pjesën propagandistike e ka synuar për krijimin e në efekti popullor.

Nga ana tjetër, lëvizja e Edi Ramës, duke mos u marrë me lëndët hetimore, por pikërisht me pjesën tjetër, atë ligjore, ekzekutive, e natyrisht humane, nuk është tjetër veçse pjesë e PR-it të kësaj beteje.

E cila së paku deri tani ka pasur një rezistencë, atë të disa zërave publik, selive diplomatike, por jo qëndrimin politik të opozitës.

E cila, ka mjaft arsye për t’ju trembur hyrjen në këtë betejë, duke mbajtur anë. Pasi hyrja në betejën kundër nga ana e Sali Berishës dhe Ilir Metës në 2016 mbi reformën në drejtësi, ka qenë një nga shtyllat e rëndësishme e suksesit elektoral të PS-së së Edi Ramës deri sot.

Megjithatë, edhe duke ndenjur jashtë, ka gjasa t’i kushtojë më shumë. Nga ana tjetër, për mazhorancën, një polarizim i kësaj beteje mund t’i rrisë konsensusin tek zgjedhësit e saj të zakonshëm, siç u pa nga sondazhi i transmetuar mbrëmë në ABCNews.

Por elektorati gri mund të krijojë një distancë sanitare me socialistët, fakt që nuk e shqetëson realisht as Ramën as mazhorancën.

Kjo pasi Edi Rama është  në mandatin e katërt, që përbën një termin politik ku lëvizja në fushë nuk bëhet as me ndrojtje apo me ankth.

Një betejë e tillë pa teklif, ka të gjitha gjasat që të plugojë terrenin politik në vend, për të krijuar një farë të re politike në krahun e kundërt, përkatësisht në opozitë.

E cila tek kundërshtimi i këtij diskursi, duke u bërë realisht “krahu politik i SPAK” mund të krijojë kauzën e rëndësishme të betejës së madhe.

Betejë që edhe Rama, duket se e pret me gjithë qejf, e sipas gjasave është edhe i përgatitur. Krahu politik i prokrorëve të Milanos në vitin 1992, u pa qartë se ishte ish-partia Komuniste Italiane e kthyer në PDS në opozitë dhe një pjesë e demokristianëve.

Ky krah politik që mbronte prokurorët e cilësoheshin si “giustizieri delle studio” u përplasën me një personazh popullor që ishte nën objektivin e prokurorëve-Silvio Berlusconi, i zbritur papritur në politikë. Pasi siç theksonte diskursi i “krahut politik” të Prokurorëve të Milanos, hyri në politikë për të shpëtuar nga dara e drejtësisë.

Por “il Cavaliere” siç e thërrisnin, i fitoi zgjedhjet vetëm 1 vit pasi zbriti në fushë,  në marsin e 1994-s, që më pas ra shpejt. Humbi zgjedhjet dy vjet më pas, por u ngrit, ra e u ringirt sërish, duke pasur betejën primare atë me drejtësinë, që ai e quante beteja për dinjitet dhe liri.

Betejë politike që bëhet edhe në këto momente kur Berlusconi nuk është më në jetë, por që është rimarrë nga ish-ministrja e tij Giorgia Meloni-sot kryeminisre e vendit dhe lidere e qendrës së djathtë.

Në fundjavë zhvillohet një referendum i madh për reformën e re në drejtësi, ku përcaktohen edhe ndryshime “bizzarre” siç cilësohen.

Ku një nga këto është edhe përzgjedhja e disa anëtarëve të Këshillit të Lartë të Magjistraturës, përkatësisht trupën që emëron gjykatës e prokurorë, me…short./TemA